Në tregjet e gjelbra të Kosovës, më në fund, prani më e madhe e perimeve vendore

Edhe dje dhe sot, në shtandet e shumta të tregjeve të gjelbra të Prishtinës, por edhe në minimarkete dhe supermarkete, të cilat tregtojnë edhe produkte bujqësore, dominonin si shumicë specat e llojit “somborka”, thasët e vegjël dhe sish të madhësisë mesatare, por edhe shitblerja me kilogramë, të cilin kosovarët me vite e konsumojnë shumë në këto kohë, por sidomos për përgatitjen e dimrishteve (turshive të servuara në shumë mënyra). Çmimet e produkteve bujqësore vendore vazhdojnë të jenë shumë të larta për rrethanat kosovare.

Buletini Ekonomik

Në ditët e fundi,t më në fund, në shtandet e tregjeve të gjelbra të Kosovës po bie në sy prania shumë më e madhe e produkteve bujqësore të vendit. Në këto tregje ka ditë që kanë arritur me shumicë, sidomos speci i sortës ‘somborka’, i njohur nga konsumatorët, dhe i kultivuar me shumicë nga kopshtarët anekënd vendit.

Reklama e sponzorizuar

Edhe dje dhe sot, në shtandet e shumta të tregjeve të gjelbra të Prishtinës, por edhe në minimarkete dhe supermarkete, të cilat tregtojnë edhe produkte bujqësore, dominonin si shumicë specat e këtij lloji, thasët e vegjël dhe sish të madhësisë mesatare, por edhe shitblerja me kilogramë, të cilin kosovarët me vite e konsumojnë shumë në këto kohë, por sidomos për përgatitjen e dimrishteve (turshive të servuara në shumë mënyra). Mirëpo, sivjet, pra edhe gjatë ditëve të fundit, speci “somborka” tregtohet me çmim shumë më të lartë se në vitin e kaluar në këtë kohë, respektivisht një thes rrjete fare i vogël (nga 1,5 deri më së shumti 2 kilogramë) me speca të cilësisë së lartë dhe të freskët, të enjten dhe të premten kishte çmimin nga 1,5 deri në 1,8 euro, ndërsa, siç dihet i njëjti ambalazhim në vitin e kaluar në këtë kohë, ka kushtuar rreth 50-60 centë.

Thesi i mesëm, i cili peshonte rreth 3,5 kilogramë kushtonte saktësisht 3,5 euro. Ç’është e vërteta, somborka që ka qëndruar me ditë në shtandet e tregjeve dhe të cilësisë jo shumë të pëlqyeshme, në të njëjtat ambalazhime gjendej ndjeshëm me çmim më të ulët, përkatësisht 1-120 euro thesi i vogël. Duhet theksuar se specat e arritur në tregjet e Kosovës në ditët e fundit janë shumë cilësorë, për dallim nga somborkat që dolën në treg para 2-3 e më shumë javësh.

Tani, po shihet se kultivuesit e këtij speci, që janë nga të gjitha viset e Kosovës, thuaja se e kanë ruajtur “dorën e parë’ për sezonin e turshive, kur konsumatorët, janë rëndom më dorëlirë për produktet bujqësore. Këto ditë është shtuar edhe prania e perimeve të tjera, por edhe të disa produkteve bujqësore, që prodhohen në arat e fermerëve tanë.

Ka shumë më shumë domate vendore, të cilat tregtohen me çmim pakuptueshëm të lartë për këtë sezon. Një kilogram i domateve të ashtuquajtura rozë dhe të tjera, të prodhuar kryesisht në bahçe të vogla të bujqve tanë, tregtohej nga 1,30-1,50 euro, ndërsa domatet nga kopshtijet e Mamushës dhe të kopshtarëve që kultivojnë më shumicë dhe në sera domaten, kushtonin përgjysmë më lirë, ose 70 deri në 80 centë kilogrami.

“Nuk ka domate tonat. Mbillen pak, prandaj edhe prodhohen fare pak. Këto që shihen këtu, janë të familjarëve që kanë pak teprica mbase, por edhe që kanë nevojë për para”, thotë një nga tregtarët që kishin ekspozuar domate të prodhuara në një fshat të rrethinës së Prishtinës.

Ai thotë se nuk ka ndodhur më parë që në pikun e sezonit të domates edhe te ne, një kilogram të kushtojë 1,50 euro. E shumta, ka kushtuar deri në 50-60 centë për kilogram domatja nga kopshtet vendore. Kurse karrotat vendore kushtonin një euro për kilogram, ndërsa sallata e gjelbër e freskët 70 centë copa. Çmimi i fasules, sikur është standardizuar në tregjet tona të gjelbra dhe këto ditë një kilogram fasule e cilësisë së mirë kishte çmimin 5-5,50 euro, ndërsa e cilësisë më të paktë, kilogrami kushton 3,50 euro. Spanaqi ende vazhdon të ketë çmim të lartë për konditat kosovare dhe dje kushtonte ende 3 euro kilogrami.

Ndërkohë, ndër produktet që kishte ulje çmimi në krahasim me muaj më parë është mielli i misrit, i cili deri së voni ka kushtuar 1,30 euro kilogrami, ndërsa tani kushton një kilogram 1 euro. /Buletini Ekonomik/