Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastruktës, Liburn Aliu, ka njoftuar sot se pas ndryshim-plotësimit të udhëzimit administrativ për ndërtimet për të cilat nuk kërkohet leje ndërtimore, qytetarët nga tani e tutje nuk do të kenë nevojë që të pajisen me leje ndërtimore për vendosjen e paneleve solare fotovoltaike për konsum familjar.
Kapaciteti i lejuar për vetkonsum i paneleve solare do të jetë deri në 7 kW, përcjell Buletini Ekonomik.
Kjo sipas ministrit Aliu, është si rrjedhojë e punës së tyre për dekarboinizimin dhe është në linjë me rregullat Acquis të BE-së.
Sipas njoftimit, në nenin 2, paragrafin 2, të Udhëzimit Administrativ bazë, është bërë plotësim ndryshimin me paragrafët e rinj 2.15 dhe 2.16, si në vijim:
Paragrafi 2.15. Vendosja në çati e paneleve solare fotovoltaike, për prodhim të energjisë elektrike për vet-konsum, që janë konsumator familjar, me kapacitet të instaluar deri në 7 kW, siç definohet me legjislacionin përkatës për energji, dhe
Paragrafi 2.16. Vendosja e termoizolimit në muret e jashtme të shtëpive familjare ekzistuese, por të cilat nuk e ndryshojnë dukjen/fasadën dhe nuk bien ndesh me nenin 14 nën-paragrafi 1.5 të Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim. /Buletini Ekonomik/