Ngurrimi i pakuptimtë për të investuar në kapacitete gjeneruese elektroenergjetike

Termocentrali 'Kosova B'

Pse gjithë ky ngurrim, gjithë këto mëdyshje dhe pavendosmëri, për t’ia nisur ndërtimit të një kapaciteti të ri në bazë të qymyrit (tani thuaja është e sigurtë se një termocentral i ri 500 megavatësh do të ishte zgjidhja për shumë vite të ardhshme), ose të nisjes së rindërtimit të ndonjë blloku ekzistues të Kosovës A? Nuk pati ndonjë projekt të realizuar (pas Shalës së Bajgorës) as nga energjia e rinovueshme, pos ca vizioneve dhe parashikimeve për vitet në vijim…

Mehmet GJATA

Kosova nuk ka energji të mjaftueshme elektrike të veten për të furnizuar me rrymë normalisht qytetarët e vet.

Nuk pati, praktikisht qe 23 vjet, dhe Kosova edhe sivjet do të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të ndihet jo pak, posa të fillojnë ditët e ftohta kur rëndom vendi, së paku deri tash, nuk pati asnjë ditë të vetme të sigurtë sa i përket furnizimit me rrymë.

Reklama e sponzorizuar

Kapacitetet tona gjeneruese nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e konsumit gjatë ditëve të acarta të dimrit, edhe po të punonin me parashikimet më ideale. Ndërkohë që në energjetikën kosovare nuk po ndodhë praktikisht asgjë, asnjë investim për të pasur një kapacitet të ri elektroenergjetik, nga çfarëdo burimi, qoftë nga qymyri apo nga burime të energjisë së ripërtëritshme, aq i nevojshëm për të shtuar prodhimin vetanak të energjisë elektrike.

Tani kur e tërë bota është orientuar kah energjia e ripërtëritshme, pa hequr dorë tërësisht nga qymyri (pas shpërfaqjes së krizës së ashpër energjetike, shumë shtete të botës iu rikthyen qymyrit, burimit të kahmotshën elektroenergjetik dhe që kishte tendenca evidente për ta shpallur “të dënuar” nga ambientalistët sidomos), Kosova akoma është e pavendosur, e paqartë në vendimmarrje, por edhe në vizionet zyrtare sa i përket veçmas të një kapaciteti të ri të prodhimit të rrymës në bazë të qymyrit. Ndërkohë, që sipas të gjitha njohurive dhe të dhënave, sistemi elektroenergjetik kosovar nuk do të ketë stabilitet pa një termocentral të ri, ose pa rindërtimin e blloqeve të Kosovës A, krahas më shumë impianteve prodhuese të energjisë së rinovueshme. Do të ketë ende paralajmërime për gjendjet e rënda të pritshme elektroenergjetike, krizat e mospasjes mjaftueshëm rrymë dhe mungesat e furnizimit normal të këtij vendi me energji elektrike. Sepse, kapacitetet tona gjeneruese të stërvjetëruara (Kosova A mbi 60 e sa vjet, dhe Kosova B mbi 40 vjet) nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e konsumit gjatë ditëve të acarta të dimrit, edhe po të punonin me parashikimet më ideale. Aq më parë, kur dihet se konsumi i Kosovës kontinentale shtohet vrullshëm dhe paparashikueshëm që në gjysmën e dytë të vjeshtës, dhe veçmas gjatë tërë dimrit, që rëndom është i ftohtë dhe i gjatë për kosovarët e skamur dhe pa para të bollshme për t’u përballur me mungesën e rrymës.

Prandaj, shtrohet pyetja tash e sa kohë: Pse gjithë ky ngurrim, gjithë këto mëdyshje dhe pavendosmëri, për t’ia nisur ndërtimit të një kapaciteti të ri në bazë të qymyrit (tani thuaja është e sigurtë se një termocentral i ri 500 megavatësh do të ishte zgjidhja për shumë vite të ardhshme), ose të nisjes së rindërtimit të ndonjë blloku ekzistues të Kosovës A?

Ç’është e vërteta, këto preokupime të shtruara në fillim të këtij teksti, në njëfarë mënyre janë sheshuraa dhe për to ka pasur edhe ndonjë vendim dhe vizion me afat të parcaktuar kohor, madje, nga zyrtarë të KEK-ut, për realizimin e tyre, por për fat të keq, asgjë përtej këtyre, nuk është bërë sot e kësaj dite.

Kështu, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që në gusht të vitit 2021 (19 gusht 2021), ka marrë vendimin për nisjen e procedurave për rindërtimin e termocentralit ‘Kosova A’.

“Përgatitja e draft dokumentit Teknik lidhur me Termocentralin Kosova A dhe përgatitja e draft letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e saj. Pas përgatitjes së drafteve do të bisedohet me aksionarin”, thuhej në komunikatën e Bordit të KEK të lëshuar për media.

Po në gusht të 2021-tës, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të KEK-ut kishte marrë vendimin për “zhvillimin e procedurës për zhvillimin e infrastrukturës për projektin e parkut solar dhe energjisë së ripërtritshme”.

Rindërtimi i tërësishëm i termocentraleve Kosova A, ishte inicuar si projekt edhe nga Qeveria e sotme qysh në ditët e para të ardhjes së saj në pushtet, si vizion për ringjallje elektroenergjetike të Kosovës. Dhe “kurgja kurrëkujt”. Asnjë hap i vetëm nuk është bërë për të pasur më shumë energji nga qymyri, të cilin resurs natyra na e ka falur me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës thuajse. Po të kishte vullnet politik dhe vendosmëri edhe nga qeveria Kurti, tashmë ndonjëri nga njësitë e termocentralit Kosova A, do të ishte fare i ri dhe potent për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit.

Nuk pati ndonjë projekt të realizuar as nga energjia e rinovueshme, pos ca vizioneve dhe parashikimeve për vitet në vijim. Kosova, siç dihet, ka gjithsej termokapacitete me fuqi në rrjet 1070 megavatë-orë, po të punonin pa ndalje Kosova B me të dy njësitë (B1 dhe B2) dhe Kosova A me 3 njësitë (A3, A4 dhe A5), dhe diku rreth 160-170 megavatë-orë energji të rinovueshme (nga hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).

Më saktësisht: Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë. Në anën tjetër, Kosova A, që nga paslufta ka operuar me tri blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 450 megavatësh, ose secili bllok nga 150 megavatë.

Në bazë të kësaj gjendjeje të sotshme elektroenergjetike në vend, po del që ishin të kota dhe ‘rrahje uji në havan”, qysh prej ditëve të krizës së ashpër energjetike, alarmet e parreshtura nga njohësit e rrethanave dhe ekspertët për domosdonë e një zgjidhje më urgjente të problemit. Dhe problemi i rëndë i mungesës së rrymës, po vazhdon të përsëritet njëtrajtshëm dhe shumëtrajtshëm pa ndryshuar asgjë, po bëhet i komplikuar dhe, gjithsesi, me pasoja tronditëse për Kosovën e varfër. Dhe, nga institucionet përgjegjëse dhe vendimmarrëse, edhe nga këto aktualet, ende ngurrohet për të nisur ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri elektroenergjetik, termocentrali të ri, aq të nevojshëm për vendin, ose të ndonjë kapaciteti më të efektshëm të energjisë së rinovureshme, qoftë me erë, qoftë të energjisë solare, sado që tashmë janë goxha të njohura potencialet për energjinë në bazë të erës dhe për atë në bazë të diellit, madje janë të identifikuara edhe vendet e mundshme për të ngritur këto kapacitete.

Përveç retorikës për “ëndrrat energjetike”, nuk doli një person as nga qeveria, as nga mjediset e tjera zyrtare, që ta thotë një të dhënë konkrete për shkaqet e mëdyshjeve të pafundta për të rindërtuar ndonjërin nga blloqet e Kosovës A. Në ministrinë e Ekonomisë, nën kompetencat e së cilës bie energjetika, nuk kthejnë përgjigje fare për mediet. Ka më shumë se një muaj qëkur Buletini Ekonomik u interesua në këtë ministri për shkaqet e zvarritjes së pafund të nisjes së rindërtimit të ndonjë blloku të Kosovës, A, por nuk ka përgjigje. Më në fund, sikur u ka dalë “boja” fajësimeve të vazhdueshme të qeverive të shkuara për mungesë të energjisë në Kosovë, që karakterizohet se “gjallon dhe fle” mbi resurse të pashterrshme të qymyrit.

Pse mos ta ketë edhe Kosova një termocentral të ri në bazë të qymyrit të vet, rezervave të pashterrshme të tij, kur shumë vende të globit, edhe sosh që shpallën më herët thëngjillin si ‘të dënuar”, iu rikthyen këtij resursi?

Nuk do të duheshin të paraqesin ndonjë sfidë të pakalueshme mjetet financiare. Kosova me gjithë varfërinë e saj, fundja edhe pa mjete të huazuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, do të kishte mundësi t’i ketë mjetet e nevojshme për një termocentral të ri fare, apo të rindërtuar. Qindra miliona euro që gjatë 2022-tës “mrizuan” dhe humbën vlerën në stoqe, më mirë do të ishte ndoshta të shkonin në ndërtimin e një “fabrike” të rrymës.

Sidoqoftë, po e përsërisim për të satën herë, se mjetet e nevojshme për një kapacitet të ri elektroenergjetik në bazë të qymyrit, ose të disa kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, Kosova shumë shpejtë do t’i shpenzojë kushtimisht duke importuar energjinë elektrike nga tregjet e pamëshirshme ndërkombëtare me çmime astronomike, që diktohen, natyrisht nga rrethanat e motit. Pokështu, edhe për të arritur synimet që energjia nga burimet e rinovueshme të bëhet me ndikim dhe efekte më të shpejta konkrete në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, dhe për të pasur më shumë energji nga prodhimi vendor, nuk mjaftojnë vetëm vizionet afatgjate, qofshin ato mrekullisht të mira.

Për Kosovën e ballafaquar me mungesa, në raste edhe goxha ekstreme të rrymës, duhet ndërmarrë edhe hapa urgjentë, për zgjidhje më të shpejtë. Prandaj, është edhe i pakuptueshëm dhe i diskutueshëm ngurrimi kaq i gjatë për t’ia nisur ndërtimit të ndonjë kapaciteti të ri energjetik, qoftë në bazë të erës, qoftë me panele solare. Kosovarët duan rrymën si e gjithë bota, qoftë nga thëngjilli, qoftë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. /Buletini Ekonomik/