Njësia e Inteligjencës Financiare që dy vjet pa drejtor

Muajin e kaluar janë bërë dy vjet prej se Njësia e Inteligjencës Financiare është pa drejtor.

Kjo njësi në kuadër të Ministrisë së Financave, merret me parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Ky institucion tash e disa ditë nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit se për cilat arsye ende kjo pozitë është me ushtrues detyre dhe se kur do të zgjidhet drejtori i ri.

Reklama e sponzorizuar

Anëtarë të shoqërisë civile thonë se institucionet duhet të ndryshojnë praktikën, në mënyrë që pozita të tilla të rëndësishme të mos lihen kaq pa udhëheqës me mandat të plotë.

“Praktika e vendosjes së personave të caktuar si ushtrues detyre të udhëheqësve të institucioneve publike, paraqet një anomali në vete që rrjedh si rezultat i mungesës së dispozitave ligjore, të ligjeve materiale për përcjelljen e udhëheqësve të institucioneve publike, fatkeqësisht kjo mënyre e udhëheqjes së institucioneve publike, tashmë është bërë në mënyre sistematike dhe si duket ka një mungesë të vullnetit politik”, ka deklaruar Albana Hasani, nga Lëvizja FOL.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Shkelzen Sopjani thotë se kjo njësi është ndër më të rëndësishmet në Kosovë, dhe si e tillë duhet të trajtohet nga institucionet.

“Është një njësi që e ndjek paranë, që i bie që godet aty ku është pjesa më e rëndësishme e luftimit të këtyre fenomeneve, pra kjo njësi funksionin primar e ka shpërndarjen e inteligjencës dhe informatave tek institucionet e zbatimit të ligjit me theks të veçantë policisë së Kosovës por duke mos përjashtuar edhe prokurorinë”, ka thënë Sopjani.

Sopjani tutje shton se Njësia e Inteligjencës Financiare, ka përgjegjësi edhe jashtë kufijve të Kosovës.

“Përveç që kontributi i saj është përbrenda kjo njësi rëndësi ka edhe për luftimin e krimit të organizuar transnacional apo edhe terrorizimin ndërkombëtar dhe me vetë faktin që ka këtë rëndësi është me rëndësi që kjo njësi të mos ketë shkëputje në vazhdimësi në punën e saj, e me theks të veçantë të mos ketë të meta në procesin e vendimmarrjes”, ka theksuar Sopjani.

Njësia e Inteligjencës Financiare është pa drejtor që nga shkarkimi i Dardan Nuhiut, nga kjo pozitë, pas publikimit të disa incizimeve, në gusht të vitit 2021.

Ky mekanizëm është në mesin e dhjetëra institucioneve që vazhdojnë të funksionimin pa drejtor, por vetëm ushtrues detyre. /Dukagjini/