OEGJK dhe ITP bëhen bashkë për tërheqjen e bizneseve gjermane në Kosovë

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren (ITP) kanë filluar të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta në tërheqjen e bizneseve gjermane në vend dhe të lehtësojnë promovimin e eksportit për kompanitë vendore përmes ofrimit të shërbimeve të ndërsjella, përkatësisht:
Shërbimi Soft-Landing, që synon të tërheqë bizneset gjermane në ITP dhe të lehtësojë integrimin e tyre, dhe Shërbimi Go-Global, i cili mundëson eksportimin e bizneseve anëtare të ITP në Gjermani.
Nënshkrimin në këtë marrëveshje e vunë drejtoresha e OEGJK-së, znj. Nora Hasani dhe përfaqësuesi i autorizuar i ITP Prizren, z. Muhamed Rexhepi.
Më tej, u bë e ditur që bashkëpunimi ndërmjet OEGJK dhe ITP do të marrë në konsideratë aktivitetet e përbashkëta promovuese për hulumtimin, komercializimin dhe ndërmarrësinë, pjesëmarrjen në programe dhe projekte vendore e ndërkombëtare në inovacion, teknologji, ndërmarrësi, hulumtim dhe zhvillim, shkëmbimin e njohurive, ekspertizën, mentorimin dhe trajnimet profesionale të stafit dhe ndarjes së praktikave të mira.