Pritet ndërtimi i rrugëve që lidhin disa fshatra të Kosovës dhe Shqipërisë

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka bërë të ditur se disa fshatra të thella në brezin kufitar në mes të Kosovës e Shqipërisë, do të lidhen me njëra – tjetrën.

Durmishi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sot kanë nënshkruar protokollin për zbatimin e marrëveshjes për ndërtimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitarë që ndërlidhin fshatrat ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Reklama e sponzorizuar

“Nëpërmjet kësaj marrëveshje përveç se do të ndërlidhemi më afër me njëri tjetrin ekonomikisht, bashkarisht do të kontribuojmë në vlerësimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri-Kosovë”, ka thënë Durmishi.

Tutje bëhet e ditur se “Zona e përbashkët në mes të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, e cila do të mbulohet me këtë program zhvillimi, është e përbërë nga Bashkia e Hasit dhe Kukësit në Republikën e Shqipërisë, si dhe Komunat e Prizrenit dhe Dragashit në Republikën e Kosovës. Këto janë fshatrat: Zapod- Kërstec, Pogaj – Gorozhup dhe Dobrunë – Blinishtë ”, ka shkruar Durmishi./Telegrafi/