Shqipëri: Më shumë eksporte se importe, sigurohen 35 milionë euro nga shitja e energjisë

Eksportet e energjisë elektrike këtë vit kanë mposhtur vlerën e importeve. Nga shpenzimet stratosferike të vitit të kaluar për të blerë energji për shkak të krizës, këtë vit Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka shitur 35 milionë euro energji elektrike, ndërkohë që nga korriku deri tani ka blerë 34 milionë euro energji për shkak të thatësirës.

Situata e tregtisë së energjisë elektrike këtë vit ka ndryshuar për Shqipërinë, që është kthyer në një vend që më shumë ka eksportuar sesa ka importuar.

Prej janarit deri në qershor kur janë bërë edhe shitjet e fundit të energjisë KESH ka eksportuar energji me vlerë 35,499,736 euro. Çmimi më i lartë me të cilin është shitur energjia ka qenë mbi 161 euro/MWH, ndërsa më i ulëti është regjistruar në fund të muajit janar me 25.5 euro megavat.

Reklama e sponzorizuar

Shitjet e energjisë nga KESH janë përqendruar në muajit e parë të vitit, si pasojë e reshjeve të shumta, dhe prodhimit më të madh se sa ishte kërkesa për konsum. Ndërsa korporata Elektroenergjetike i është rikthyer importeve që në muajin korrik për shkak të thatësirës.

Për të garantuar furnizim me energji elektrike, vetëm për muajin shtator KESH ka importuar energji me vlerë 10.2 milionë euro. Ndërkohë që importet për shtatorin e vitit të kaluar kushtuan 60.4 milionë euro, si pasojë e çmimeve tepër të larta që kishte energjia në bursë si pasojë e krizës globale.

Sipas të dhënave të KESH përgjatë 9 muajve të këtij viti (janar-shtator 2023), është blerë nga jashtë energji me vlerë 34 milionë euro (34,011,045), ndërkohë që ankandet për importet janë përqendruar vetëm në muajit korrik-gusht dhe shtator, si pasojë e mungesës së reshjeve.

Ndërsa vjet deri në shtator importet e energjisë sipas të dhënave të audituara nga KLSH kishin kapur vlerën e 401,339,133 euro, për shkak se çmimi për megavat vjet kapërceu deri në mbi 1000 euro.

Edhe pse çmimet në bursën (HUPX) kanë zbritur në shifrat e para krizës së energjisë, ku një megavat mund të blihet në ditë të caktuara edhe me 50 euro, përsëri situata është e pa-stabilizuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe pasigurisë që ekziston për garantimin e sasive të gazit në Evropë.

IMPORT/EKSPORT I ENERGJISË

  • Eksportet: 35,499,736 euro
  • Importet: 34,011,045 euro
  • Diferenca: 1,488,691 euro

IMPORTET E ENERGJISË

  • Janar-Shtator: 2022 401,339,133 euro
  • Janar-Shtator: 2023 34,011,045 euro
  • Diferenca: -367,328,088 euro

/Shqiptarja.com