Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka propozuar themelimin e Komisionit hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore.
Gashi në emër të 41 deputetëve nënshkrues ka thënë se kjo iniciativë vjen pas dyshimeve të bazuara për abuzime të mundshme lidhur me procesin e furnizimit të rezervës shtetërore, që është kompetencë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, drejtuar nga Rozeta Hajdari.
“Është e domosdoshme që të ketë hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar lidhet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore. Ne deputetët nënshkrues kërkojmë të dimë se cila është procedura e ndjekur në tërësinë e procesit, a janë hapur tenderë dhe nëse kontratat janë klasifikuar si sekrete, atëherë cila është forma që është përdorur dhe pse është kualifikuar si sekret shtetëror”, ka thënë Gashi.
Po ashtu, ai ka shtuar se duhet kuptuar se cilët kanë qenë akterët që, sipas tij, janë përzier në këtë çështje.
“Cilët kanë qenë akterët politikë që e kanë drejtuar këtë proces, cila mund të jetë afërsia eventuale e përfituesve të këtyre kontratave me kryeministrin apo me nivelet e tjera të politikës, pra deri në cilin nivel të hierarkisë arrin marrëdhënia eventuale e të përfshirëve, përfituesve dhe njerëzve me pushtet politik”, ka theksuar ai.
Ky komision është propozuar që t’i ketë 11 anëtarë, ku LVV do t’i ketë 5 anëtar, PDK do ta ketë kryesuesin dhe 1 anëtar, LDK-ja zëvendëskryetarin dhe 1 anëtar, AAK-ja dhe grupi multietnik nga 1 anëtar.