Uraniumi, ari i ri i ekonomisë globale – Rritje e çmimit paralelisht me zgjerimin e energjisë bërthamore

Uraniumi po shfaqet si një “ar i ri” në ekonominë globale, pasi përpjekjet për të zhvendosur ekonomitë në energjinë e gjelbër zbehin frikën e një aksidenti tjetër bërthamor dhe rrisin kërkesën për metalin e rëndë, i cili nevojitet për të drejtuar reaktorët bërthamorë dhe për të gjeneruar energji bërthamore.

Vende të tilla si Kina, India dhe Rusia po promovojnë gjithnjë e më shumë programet bërthamore, ndërsa të tjera si Kanadaja, Franca, Japonia dhe Ukraina po zgjasin ‘jetën’ e reaktorëve të tyre bërthamorë deri në 60 vjet funksionim. Në SHBA, në disa raste arrijnë 80 vjet funksionim.

Kështu, kërkesa globale për uranium po rritet në mënyrë agresive, e cila sipas Shoqatës Botërore Bërthamore – WNA, pritet të rritet me 28% deri në vitin 2030, kur do të arrijë në 83.849 ton dhe do të rritet më tej në 130 nijë ton deri në vitin 2040. Në raportin e fundit të WNA nënvizon se brenda dekadës së ardhshme duhet të vihen në punë minierat e planifikuara të uraniumit dhe të rritet furnizimi me metal.

Reklama e sponzorizuar

Prodhimi global i uraniumit është rritur paksa gjatë vitit të kaluar në 49.355 ton, por në përgjithësi mbetet rreth 25% më i ulët nga nivelet para incidentit të Fukushimës dhe fatkeqësisë bërthamore të vitit 2011. Por duke pasur parasysh kërkesën në rritje, çmimet po rriten në nivele të paprecedentë. Megjithëse mbetet shumë poshtë rekordit prej 140 dollarë për kilogram të arritur në vitin 2007, çmimi i tij është rritur me 40% në 12 muajt e fundit në 66.24 dollarë për kilogram.

Aktorët e tregut vlerësojnë se do të arrijë në 80 dollarë deri në fund të vitit. Përsa i përket etiketimit të uraniumit si ‘ari i ri, krahasimi është i qartë, pasi në të njëjtin 12 muaj çmimi i arit është rritur me vetëm 5%.

Ndërkohë, zhvillimet gjeopolitike po krijojnë pasiguri në lidhje me furnizimin me uranium. Burimi i parë i madh i pasigurisë në lidhje me mjaftueshmërinë e furnizimit me uranium ishte pushtimi rus i Ukrainës.

Vendi i shkatërruar nga lufta, 15 reaktorët e të cilit varen plotësisht nga Rusia për furnizimin e tyre me uranium, nxitoi të mbyllte një kontratë 12-vjeçare për furnizimin e metalit me Kanadanë. Në të njëjtën kohë, ndërmarrjet europiane, gjithashtu shumë të varura nga Rusia, nxirrnin aq uranium sa lejonin kontratat e tyre ekzistuese.

Kompanitë finlandeze dhe të Europës Lindore kishin ekspozimin më të madh ndaj Rusisë, pasi ato kanë reaktorë të prodhuar nga Rusia dhe vetëm kompanitë ruse dinë t’i furnizojnë me metalin e rëndë. Dhe u desh një vit që ata të gjenin një kompani amerikane që mund të konkurronte me prodhimin rus. Mungesa e uraniumit rus është shtuar në dy muajt e fundit nga shqetësimi për furnizimin e tij nga Nigeria, një nga prodhuesit kryesorë të uraniumit, pasi grushti i shtetit në vendin afrikan ngriti frikën për mungesa në tregun global.

Kërkesa në rritje dhe interesi i përgjithshëm i tregut për uranium reflektohet në zhvendosjen e investitorëve drejt mjeteve investuese si Yellow Cake, e cila zotëron uraniumin në formë fizike. Aksionet e saj janë rritur me 8% në muajin e kaluar. /Scan tv/