Te kosovarët dhe te diaspora e Kosovës dominojnë tërësisht investimet në banesa

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), mbi 53 milionë euro është vlera e investimeve në patundshmëri të qytetarëve të Kosovës në vendet e rajonit, kryesisht në Shqipëri, gjatë periudhës të tremujorit të dytë të 2023-tës. Në investimet e deritashme të kosovarëve në Shqipëri, edhe ato të sivjetshmet, sipas të dhënave zyrtare, dominojnë thuaja qind për qind investimet në blerjen e banesave, në të shumtën e rasteve në bregdetin shqiptar. Edhe në investimet e diasporës së Kosovës dominuese palujtshmëritë.

Buletini Ekonomik

Ecuritë e investimeve të kosovarëve, dhe të diasporës kosovare, nga viti në vit, tash e sa kohë, praktikisht janë thuaja identike, ose me fare pak ndryshime. Kosovarët pra vazhdojnë të investojnë jashtë atdheut të tyre, kryesisht në Shqipëri, ndërkohë që në këto investime dominojnë absolutusht paluajtshmëritë. Më konkretisht në investimet e deritashme të kosovarëve në Shqipëri, edhe ato të sivjetshmet, sipas të dhënave zyrtare, dominojnë thuaja qind për qind investimet në blerjen e banesave, në të shumtën e rasteve në bregdetin shqiptar.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), mbi 53 milionë euro është vlera e investimeve në patundshmëri të qytetarëve të Kosovës në vendet e rajonit, kryesisht në Shqipëri, gjatë periudhës të tremujorit të dytë të 2023-tës. Këto të dhëna tregojnë se investimet e kosovarëve në vendet e rajonit (nga këto para, thuaja të tërat janë investuar në Shqipëri, dhe thuaja e tërë kjo shumë në blerjën e banesave) kanë shënuar rritje për rreth 3 milionë euro, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Investimet e huaja direkte të rezidenteve nga Kosova në vendet tjera kanë shënuar rritje në periudhën prill-qershor 2023, duke arritur vlerën prej 53.1 milionë euro (50.7 milionë euro në prill-qershor 2022), investime të destinuara në vendet e rajonit e të orientuara kryesisht në sektorin e patundshmërisë”, kanë konstatuar të dhënat e BQK-së.

Duhet theksuar se kosovarët deri vonë më shumë kanë qenë të përcaktuar në blerjen e banesave në Rivierën e Durrësit, të Shnëgjinit dhe në disa pjesë të bregdetit verior të Shqipërisë. Ky përcaktim është bërë për shkak të çmimit më të ulët të banesave në bregdetin e sipërpërmendur, krahasuar me Jugun e Shqipërisë, por edhe për shkak të afërsisë dhe kilometrave më të paktë që duhet bërë për të shkuar nga Kosova në detin shqiptar dhe anasjelltas.

Mirëpo në dy-tre vjetët e fundit, edhe sivjet, pavarësisht çmimit të ngritur përtej çdo parashikimi dhe përtej çdo pritshmerie edhe të njohësve të tregut të paluajtshmërive në Shqipëri, kosovarët kanë zënë të blejnë banesa edhe në bregdetin jugor, sidomos në Vlorë dhe në rrethinat e saj dhe në qytetin e Sarandës.

Sipas disa të dhënave jozyrtare, në Sarandë tani ka së paku diku rreth 500 banesa të kosovarëve, të cilat shfrytëzohen krysisht gjatë sezonit veror të pushimeve. Veç kosovarëve, blerjet e shtetasve të huaj po bëhen një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri. Vitin e kaluar, siç raportojnë mediet shqiptare, transaksionet e blerësve të huaj përbënin rreth 21% të volumit zyrtar të tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, të matur nga INSTAT.

Për shkak të pozicionit të Shqipërisë, klimës, sistemit të favorshëm të taksimit në krahasim me vendet ku jetojnë, gjithnjë e më shumë shtetas të huaj po vendosin të investojnë në një pronë në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare, raportojnë mediet shqiptare. Por, nuk janë vetëm kosovarët banorë të Kosovës që preferojnë të investojnë në blerjen e banesave.

Po, sipas të dhënave të BQK-së, edhe Diaspora e vendit tonë, vazhdon me ritëm të njëjtë, si në shumë vite paraprake të investojë në banesa dhe kryesisht në blerjen e banesave në vendlindje, më së shumti në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës.

Sipas BQK-së, vlera e përgjithshme e IHD-ve në periudhën e tremujorit të dytë të sivjetshëm (prill-qershor 2023) ishte 184.4 milionë euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është një rënie goxha evidente, ose saktësisht 12.5 për qind.

“Investimet e huaja direkte në TM2 2023 rezultojnë të kenë shënuar rënie prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 184.4 milionë euro. Rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe në sektorin e gurorëve. Por edhe të investimet e diasporës dominojnë ato të dedikuara për blejën e banesave edhe në këtë periudhë, respektivisht, sipas vlerësimeve të BQK-së nga investimet e përgjithshme të diasporës në tremujorin e dyë, diku rreth 60 për qind janë orientuar në paluajtshmëri, dhe kryesisht në blerjen e banesave. Kosova ende nuk e ka gjetur çelësin për të investuar në kapacitetet gjeneruese të preferueshme dhe më të kërkuara ekonomike – paratë nga remitencat e shumta të mërgatës sonë./Buletini Ekonomik