Shkeljet e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë vazhdojnë të jenë të shpeshta. Sipas të dhënave të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, këtë vit janë adresuar mbi 2 mijë e 350 ankesa. Ndërkohë, nga Inspektorati i Tregut thonë se kanë pranuar rreth 840 ankesa dhe se kanë shqiptuar gjithsejtë 100 gjoba.
Shkeljet e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë vazhdojnë të jenë të shpeshta. Sipas të dhënave të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, këtë vit janë adresuar mbi 2 mijë e 350 ankesa. Ndërkohë, nga Inspektorati i Tregut thonë se kanë pranuar rreth 840 ankesa dhe se kanë shqiptuar gjithsejtë 100 gjoba.
Ndonëse ligjërisht konsumatorët janë të mbrojtur në Kosovë, shkeljet e të drejtave të tyre janë mjaft të shpeshta, e kryesisht ndërlidhen me abuzime me çmime apo edhe cilësinë e produktit.
Me shkelje të të drejtave të garantuara me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, është përballë edhe Ardian Krasniqi nga Ferizaj, i cili thotë për Radio Kosovën se i ka ndodhur të blejë produkt pa afat.
“Shkeljet janë shumë të shpeshta. Personalisht disa herë më ka ndodhur që një produktin e caktuar ta paguaj në arkë më shtrenjtë se që ka shkruar çmimi në raft. Për moskthim të centëve të mos flasim hiq. Por, dukuri shumë shqetësuese është shitja e produkteve pa afat, çka më ka ndodhur të blej. Kjo është shqetësuese, pasi tregon se ka tregtarë që për pak pare janë në gjendje të rrezikojnë jetën e dikujt”, tha ai.
Radio Kosova ka pyetur Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, për numrin e ankesave të pranuar sivjet dhe gjobave të shqiptuara.
Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë bërë të ditur se Inspektorati i Tregut gjatë këtij viti ka pranuar 844 ankesa. “Mbi bazën e këtyre ankesave, pas trajtimit të lëndëve nga inspektorët, janë shqiptuar gjithsejtë 100 gjoba, ndërsa 10 raste lëndët janë proceduar në Gjykatë Themelore”, kanë thënë nga MINT, duke mos treguar vlerën e totalit të gjobave të shqiptuara.
Sipas MINT, ankesat e pranuara nga Inspektorati i Tregut janë të ndryshme, por ndër to: 27% janë për mospërputhje çmimi, 15 % për mospërfillje garancioni, 14 % moskthim i mallit, 10% blerje ‘online’, etj.
Referuar të dhënave në ueb faqen konsumatori.rks-gov.net , ku qytetarët mund të ankohen ‘online’ për shkelje të të drejtave si konsumatorë, nga 1 janari e deri në fund të shtatorit janë pranuar mbi 2 mijë e 360 ankesa.
Prej tyre, 812 janë zgjidhur, rreth 550 janë refuzuar, ndërsa rreth 1 mijë ankesa janë në proces të zgjidhjes.
Konsumatorët e pakënaqur shqetësimet e tyre mund t’i adresojnë në çdo kohë edhe duke telefonuar pa pagesë në numrin 0800 11000.