BQK: Investimet direkte në Kosovë arrijnë në mbi 440 milionë euro

BQK - Buletini Ekonomik

Investimet direkte në Kosovë deri në fund të korrikut 2023 ishin për 20 milionë euro më të larta dhe shënuan vlerën prej 443.3 milionë eurove.

Kështu thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi bilancin e pagesave për muajin korrik 2023, duke shtuar se investimet jashtë vendit shënuan vlerën e mbi 120 milionë eurove.

“Investimet direkte në Kosovë deri në fund të korrikut 2023 ishin për 20 milionë euro më të larta dhe shënuan vlerën 443.3 milionë euro, krahasuar me 423.2 milionë euro që ishin deri në fund të korrikut 2022, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën e 121 milionë eurove, ku një vit më parë ishin 89.3 milionë euro”, thekson raporti.

Reklama e sponzorizuar

BQK shton se për tremujorin e dytë të 2023-së ka pasur rritje të aseteve të jashtme.

“Asetet e jashtme në tremujorin e dytë 2023 janë rritur për 161.7 milionë euro nga tremujori paraprak, duke arritur vlerën 6.8 miliardë eurove. Rritjes së aseteve gjatë kësaj periudhe i kanë kontribuar kategoria e investimeve direkte për 52.6 milionë euro, investimet në letra me vlerë janë rritur për 43.8 milionë euro, investimet tjera janë rritur për 50.6 milionë euro dhe asetet rezervë janë rritur për 14.6 milionë euro”, shton BQK-ja.

Aty thuhet se ka pasur rritje të borxhit të jashtëm dhe se pjesëmarrja e tij në sektorin publik është 24 për qind.

“Borxhi i jashtëm bruto, i cili përfshin borxhin publik dhe privat, në fund të tremujorit të dytë 2023, arriti vlerën 3.56 miliardë euro, i cili shënoi rritje për 112.9 milionë euro krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti”, thuhet në këto të dhëna.

“Borxhi i sektorit publik ka një pjesëmarrje rreth 24 për qine në gjithsej borxhin e jashtëm, vlera e të cilit në fund të qershorit 2023 ishte 841.8 milionë euro, ndërsa borxhi i sektorit privat shënoi vlerën 2.73 miliardë euro”, vijon raporti.

Për sa i përket tregtisë së mallrave, BQK-ja thotë se bilanci ka shënuar një deficit prej rreth 2.5 miliardë euro.

“Bilanci tregtar në mallra deri në korrik 2023 kishte deficit në vlerë 2.47 miliardë euro, që është pothuajse në të njëjtin nivel krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, por me një përkeqësim të lehtë, deficit më i lartë prej 3.8 për qind”, thotë BQK.

“Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar për 6.2 për qind dhe shënoi vlerën e 498.3 milionë eurove, ku 531.2 milionë euro ishte deri në korrik 2022. Ndërsa, importi i mallrave shënoi rritje të lehtë prej 2 për qind duke arritur vlerën e 2.96 miliardë eurove, ku 2.91 miliardë euro ishte deri në korrik 2022”, përfundon raporti.