Të gjitha qeveritë e deritashmë të Kosovës kanë dështuar totalisht në sigurimin e rrymës për qytetarët e vet, qoftë nga padituria, qoftë nga mungesa e gatishmërisë dhe vullnetit politik. Dhe, për këto arsye, Kosova sot e kësaj dite mbeti pa një termocentral të një kapaciteti të pranueshëm dhe të mjaftueshëm dhe vetëm me një kapacitet real të energjisë së rinovueshme (ai në bazë të erës në Shalë të Bajgorës), që është nën çdo mundësi reale edhe të Kosovës së varfër. Po dështon në përmbushjen e premtimeve edhe Qeveria aktuale, kjo Kurti 2, e cila, megjithë vizionet e mira dhe synimet goxha konkrete të parapara edhe me dokumente zhvillimore, ende vazhdon të vonohet shumë dhe të mbetet prapa sa i përket ngritjes së kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike. Pse po shtyhet disa herë me radhë procesi i ankandit të parë solar në Kosovë?
Mehmet GJATA
Kosova, megjithë resurset e bollshme energjetike (jemi shteti i pestë në botë për nga rezervat e linjitit, ose 12-13 miliardë rezerva të verifikuara të këtij resursi, por edhe me mundësitë reale për të ngritur kapacitete në bazë të erës dhe të diellit), tash e mbi 20 vjet vuan nga mungesa e energjisë elektrike. Mospasja e mjaftueshme e rrymës nuk është, pra, në asnjë mënyrë, pasojë e mungesës së resurseve, por është mungesa e kapaciteteve të reja elektroenergjetike, qoftë të atyre me qymyr, qoftë të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme (në bazë të erës dhe të diellit).
Termocentralet ekzistuese Kosova A dhe Kosova B, tashmë janë të stërvjetëruara për të prodhuar energji elektrike për përmbushjen e nevojave të shtuara të konsumit të Kosovës. Kjo dihet, tash e mbi 20 vjet, sikundër që dihet se në këto vite pati më shumë fjalë, premtime dhe projekte të shpërfaqura në publik për të prodhuar megavatët që i mungojnë Republikës sonë, por që dolën të parealizueshme dhe mbetën në letër, ose ide që kanë zënë të harrohen tashmë.
Më konkretisht, të gjitha Qeveritë e deritashme të Kosovës kanë dështuar totalisht në sigurimin e rrymës për qytetarët e vet, qoftë nga padituria, qoftë nga mungesa e gatishmërisë dhe vullnetit politik. Dhe, për këto arsye, Kosova mbeti sot e kësaj dite për një termocentral të një kapaciteti të pranueshëm dhe të mjaftueshëm (vlerësohet që plus 500 megavatë krahas rrymës nga kapacitet ekzistuese do të mjaftonin për nevojat e kosovarëve për disa vitet në vijim), por Kosova deri tash mbeti edhe vetëm me një kapacitet real të energjisë së rinovueshme (ai në bazë të erës në Shalë të Bajgorës), që është nën çdo mundësi reale edhe të Kosovës së varfër.
Po dështon në përmbushjen e premtimeve edhe Qeveria aktuale, kjo Kurti 2, e cila, megjithë vizionet e mira dhe synimet goxha konkrete të parapara edhe me dokumente zhvillimore, ndër to edhe me Strategjinë energjetike 2022-2031, ende vazhdon të vonohet shumë dhe të mbetet prapa sa i përket ngritjes së kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, qoftë rreth rindërtimit të premtuar të termocentraleve Kosova A, qoftë të ndërtimit të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme.
Meqenëse, Buletini Ekonomik tashmë shumë herë ka trajtuar huqjen e pakuptimtë për ndërtimin e një kapaciteti elektroenergjetik 500 megavatësh në bazë të qymyrit, në këtë tekst do të përqëndrohemi të vonesat e diskutueshme për ngritjen e impianteve të reja të premtuara të energjisë së rinovueshme. Dhe në këtë sektor, Qeveria aktuale vazhdon të ketë shumë fjalë, të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth sa e sa projekteve të reja, por që pashpjegueshëm po vonohet nisja e ndërtimit të tyre. Pra, vazhdon të ketë shumë fjalë dhe fare pak vepra. Praktikisht, pos ndërtimit të dy kapaciteteve që ia vlen të përmenden-ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 megavatësh, dhe disa minihidrocentraleve me fuqi prodhuese minimaliste, tani për tani Kosova nuk ka ndonjë kapacitet të energjisë së rinovueshme, as duke u ndërtuar. Ndërkohë, që fjalët e mëdha, premtimet e pandalura për dekarbonizimin e Kosovës vazhdojnë pa pra nga zyrtarët.
Në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, e mbajtur në Prishtinë më 24 maj, Kurti kishte vënë në dukje se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”. Ai me këtë rast ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme.
“Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, kishte deklaruar kryeministri Kurti me këtë rast.
Kryeministri Kurti, edhe ditë më parë përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se “dimri i vitit 2021 na rikujtoi në mënyrën më brutale brishtësinë energjetike”, apostrofoi projekte konkrete të energjisë së rinovueshme që janë në procesin e realizimit të tyre dhe përmendi për të satën herë se “ka filluar puna në realizimin e projektin 80 milionësh për Ngrohje Qëndrore me panele solare, përmes së cilit do të ulim konsumin e rrymës për ngrohje dhe do të kujdesemi për ambient të pastër”.
“Zgjidhja jonë na siguron se në të ardhmen do të kemi më shumë prodhim, sidomos nga burime të ripërtëritshme, dhe më pak shpenzim të rrymës. Rrjedhimisht siguri energjetike më të lartë, dhe pavarësi më të madhe nga importi”, tha ai.
Fjalë të mira dhe goxha vizione, pa veprimet e nevojshme institucionale për ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, kanë edhe deklarimet e stërpërsëritura dhe të bëra monotone të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, të bëra po kështu në Forumin Ekonomik të Vjenës, që u mbajt kohë më parë në Prishtinë.
Me këtë rast, Rizvanolli i atribuoi merita Qeverisë aktuale, punës që është duke u bërë aktualisht, sipas saj, në “ndërtimin e parkut solar 100 MW në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese; Projekti i impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MË që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe – Investimin më të madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”.
Por, as Artane Rizvanolli, as autoritet e tjera nuk e thonë një fjalë të vetme konkrete, se ku ka arritur realizimi i këtyre projekteve (ndërtimi i parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 2 vjet e më shumë dhe projektet e tjera të apostrofuara këtu). Ndërsa, siç dihet, ndërtimi i parkut solar në KEK, ende as që ka nisur. Tani për tani është shpallur vetëm ankandi për këtë projekt, i cili do të ketë kapacitet 100 MW, dhe do të kushtojë përafërsisht 95-105 milionë euro. Po, dihet edhe e dhëna se parashihet të ndërtohet mbi kodrat e dheut, të krijuara prej hirit të qymyrit të djegur në termocentralet e KEK-ut.
Nuk është bërë akoma përgatitja e dosjes së tenderit dhe as që bëhet fjalë për përzgjedhjen e punëkryesit të këtij parku solar. Kurse, realizimi i projekteve të apostrofuara nga ministrja, siç është impianti i ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, dhe investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji, që veçohet nga Rizvanolli, ”Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”, janë projekte që nuk varen nga Qeveria jonë, por nga investuesit, ata të jashtmit, të cilët, deri më tash vetëm sa kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin financiarisht këto projekte.
Duhet thënë se në Kosovë ende as në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është bërë ndonjë punë voluminoze për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke bërë real dhe evident një ndryshim dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Dhe, përkundër se Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike urgjentisht, edhe sosh të energjisë së rinovueshme, por edhe përkundër se Kosova ka mundësi reale që 2-3 kapacitete 100 megavatësh të energjisë së rinovueshme t’i ndërtojë edhe me para vetanake, por të cilat, siç dihet, po qëndrojnë në stoqe dhe të pashfrytzuara me muaj e vite, edhe pse janë të dedikuara për investime kapitale.
Tani del të jetë i pakuptueshëm por edhe i diskutueshëm edhe shtyrja disa herë me radhë (sipas INDEP-it 4 herë ) e procesit të ankandit të parë solar në Kosovë. Në një reagim për media, INDEP thekson se shtyrja e afateve kohore dëmton besueshmërinë e procesit dhe dërgon sinjale negative tek investitorët potencial dhe ofertuesit.
“Vonesat e njëpasnjëshme vetëm sa e ngadalësojnë rrugën drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të sigurtë të energjisë. Ky proces kërkon një qasje transparente dhe respektim të përpiktë të afateve kohore”, thuhet në reagim.
Sipas INDEP-it, ankandi i parë solar, jo vetëm që është vonuar e stërvonuar por edhe prej se është nisur ta bëj, Qeveria ka ndryshuar afatet për katër herë. Fillimisht u caktua për 15 gusht 2023, më pas u zhvendos në 30 shtator 2023 dhe së fundi në 16 tetor 2023. Tani, kemi parë në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës se data shtyhet më tej deri në 31 janar 2024.
“Këto vonesa të përsëritura paraqesin pikëpyetje të rëndësishme, jo vetëm për ne, por çka është më e rëndësishmja për kompanitë ofertuese, investitorët potencialë dhe qytetarët e Kosovës të cilët mezi presin përparimin në iniciativat për energjinë e pastër e të gjelbër. Qartësia dhe qëndrueshmëria janë thelbësore për ndërtimin e besimit në klimën e investimeve!”, thuhet në reagimin e INDEP-it.
INDEP vlerëson se është shqetësues fakti që akterët përkatës, siç është Ministria e Ekonomisë apo vetë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk informojnë publikisht shtyerjet e këtyre afateve. As edhe një herë të vetme, nuk është bërë publike shtyerja e afateve për dorëzimin e ofertave nga ofertuesit, dhe informacioni i tillë bëhet i ditur vetëm përmes qasjes në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës.
Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe është thelbësore që të tërheqim investitorë të përgjegjshëm dhe të përkushtuar për të shfrytëzuar këtë potencial. Vonesat e shpeshta mund të çojnë në pasoja të parikuperueshme të pengimit të investitorëve të mundshëm dhe cenimit të besueshmërisë së këtij procesi të rëndësishëm. Vetë Qeveria e Republikës së Kosovës i ka kushtuar rëndësi të madhe këtij ankandi. Siç dihet, njoftimi për ankandin me energji solare fotovoltaike me kapacitet prej 100 MW ishte bërë në një konferencë për media me datë 12 maj 2023, nga vetë kryeministri i Kosovës, Ministrja e Ekonomisë dhe Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Ndërsa, Blendi Hasaj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin GAP, këto ditë, duke reaguar ndaj një postimi të kryeministrit Kurti rreth investimeve në sektorin e energjisë në Kosovë ka thënë se “për këto dy vite e gjysmë nën qeverisjen Kurti, nuk ka asnjë investim serioz në sektorin e energjisë”.
Sipas Hasajt, në sektorin e energjisë, gjatë dy viteve e gjysmë të mandatit të qeverisë aktuale janë investuar zero (0) euro në ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë, janë nda vetëm 6 milionë euro për masa lidhur me efiçiencën e energjisë në sektorin rezidencial, ndërsa të tjerat janë grante të Bashkimit Evropian, të ndara edhe për shtetet fqinje. Janë nda edhe rreth 15 milionë euro në periudhën 2020-2022 për programet e efiçiencës së energjisë në sektorin publik (ndërtesa publike, ndriçim publik, etj.), bazuar në kalkulimet e një raporti të GAP. Është miratuar një Strategji e Energjisë, e cila ndonëse në vitin e dytë të zbatimit të saj, nuk trajtohet fare në dokumentet afatmesme buxhetore të qeverisë.
Hasaj thotë se “i vetmi shpenzim më i lartë që ndërlidhet me sektorin e energjisë është ai për subvencionimin e pjesshëm të tarifave të energjisë elektrike dhe vet sektorit me rreth 100-120 milionë euro. Pra subvencionim, jo investim”.
Në fund, Hasaj konkludon se “vlerësimi i arritjeve duhet me u bë me projektet që janë realizu, pra me gjëra të matshme, e jo nënshkrime kontratash e arritje marrëveshjesh; të cilat nuk dihet se a do të realizohen ose kur do të realizohen”.
Këto janë, pak a shumë, zhvillimet rreth përmbushjes së premtimeve për të pasur energji të rinovueshme në vendin tonë. Dhe këto zhvillime, as sivjet, as në disa vite në vazhdim nuk janë premtuese dhe bindëse se Kosova nuk do të përballet me “mënyrat më brutale të brishtësisë energjetike”. /Buletini Ekonomik/