Fitimi enorm i bankave në Kosovë, kryekëput rrjedhojë e kamatave të larta

Edhe më tutje, në tregun bankar të Kosovës vazhdon të shftrytëzohet nga bankat favori i madh i shfrytëzimit të diferencës së madhe ndërmjet kamatave në kredidhënie dhe kamatave në paratë e deponuara. Me fjalë të tjera, bankat komerciale të Kosovës (12 sosh gjithsej, prej të cilave të jashtme janë 9 ose 10), edhe më tutje vazhdojnë ta mbajnë të palëkundur dhe të pandryshuar çmimin e ‘prodhimit bazik”, të tyre, gjegjësisht të parasë, pakuptueshëm të lartë, në mënyrë që të realizojnë marzhën neto të kamatave sa më shumë të lartë, që do të thotë të krijojnë sa më shumë profit. Ndërkohë, vazhdojnë të aplikojnë kamata të ulëta, fare simbolike, për paratë e kosovarëve të deponuara si kursim në këto banka.

Mehmet GJATA

Fitimi enorm i bankave komerciale në Kosovë (në çdo vit fitim neto dukshëm i rritur, ndërsa sivjet deri në gusht, sipas raporteve të BQK-së, fitimi neto ka arritur në 113 milionë euro), është kryekëput rezultat i kushteve joreale të favorshme të afarizmit të tyre, dhe në asnjë mënyrë të ndonjë menaxhimi të veçantë për t’u veçuar.

Edhe më tutje, në tregun bankar të Kosovës vazhdon të shftrytëzohet nga bankat favori i madh i shfrytëzimit të diferencës së madhe ndërmjet kamatave në kredidhënie dhe kamatave në paratë e deponuara. Me fjalë të tjera, bankat komerciale të Kosovës, (12 sosh gjithsej, prej të cilave të jashtme janë 9 ose 10), edhe më tutje vazhdojnë ta mbajnë të palëkundur dhe të pandryshuar çmimin e ‘prodhimit bazik”, të tyre, gjegjësisht të parasë, pakuptueshëm të lartë, në mënyrë që të realizojnë marzhën neto të kamatave sa më shumë të lartë, që do të thotë të krijojnë sa më shumë profit. Ndërkohë, vazhdojnë të aplikojnë kamata të ulëta, fare simbolike, për paratë e kosovarëve të deponuara si kursim në këto banka.

Reklama e sponzorizuar

Kjo lehtësisht vërehet po qe se krahasohen kamatat e kredive në shumë shtete të Europës, që sillen mesatarisht nga 4 deri në 4, 75 për qind, në shumë raste në banka të caktuara në Europë, ndodhë të ketë kamata edhe më të ulëta për kredi, me shkallën e kamatave kreditore të bankave komerciale të Kosovës, të cilat tani së fundi tejkalojnë 6,6 për qind e më shumë. Ndërsa, siç dihet, kamatat për paratë e deponuara në banka sillen përafërsisht nga 1, deri në 1,5 për qind, që janë po kështu ndjeshëm më të ulëta se në shumë shtete europiane. Ky fakt flet se si bankat komerciale në Kosovë arrijnë lehtësisht të krijojnë fitimet enorme të larta.

Ndërkohë, dihet se bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare (IMF-të) në Kosovë, gjithnjë kanë qenë qind për qind të pavarura dhe sovrane edhe në përcaktimin e çmimeve të produkteve të tyre bankare, pavarësisht se formalisht e kanë pasur që nga fillimi kupolën e quajtur Banka Qendrore e Kosovës (BQK) , që do të duhej edhe ligjërisht të jetë si një supervisor, kontrollor, apo së paku, vëzhgues i zhvillimeve bankare dhe të afarizmit të të gjitha bankave që afarojnë brenda Republikës. Por, deri më tash, është dëshmuar keqpërdorimi i shpeshtë nga këto banka (praktikisht nga të gjithat) i “sovranitetit” të tyre, sidomos në vendosjen e çmimeve të produkteve bankare (kamatave dhe të çmimeve të shërbimeve), të mbajtura gjithnjë ndër më të lartat në Europë dhe në Ballkan, dhe të ngritura edhe më shpesh se kudo tjetër në botë.

Bankat komerciale në Kosovë dhe IMF-të, duke keqpërdorur pafundësisht dhe në shumë raste pavarësinë e tyre, në këto vite, por edhe në këtë vit, i ngritën çmimet e shërbimeve bankare sa deshtën dhe kur deshtën, sikundër edhe kur deshtën dhe sa deshtën përcaktuan kamatat për të të gjitha llojet e kredidhënies.

Ndonjëherë, mbase, edhe ka ndodhur dhe ka bërë “vaki’ që këto banka t’ia dërgojnë ndonjë ‘depesh” BQK-së për ta njoftuar për çmimet e reja të shërbimeve bankare. Dhe, me kaq ka përfunduar i gjithë raporti i tyre, banka-BQK. Ndërsa, fitimet e mëdha të këtyre bankave (edhe sivjet deri në gusht kanë shënuar fitim rekord prej 113 milionë eurosh), është kryekëput rezultat i çmimeve rekorde të larta të shërbimeve bankare dhe i kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegalë, të institucioneve mikrofinanciare.

Bankat komerciale në Kosovë, siç është kumtuar me dhjetra herë sivjet, deri në këtë kohë kanë shtrenjtuar normat e interesit për kredi, ç’është e vërteta në përqindje të ulëta dhe pak të vërejtshme nga publiku, por ngritja e çmimeve bankare ka ndodhur disa herë.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), norma e interesit për kredi në muajin gusht 2023 ka arrit në 6.7 për qind, derisa në korrik kjo normë ishte 6,6 për qind, ndërsa fare në fillim të vitit kanë qenë 6.1 – 6.2 për qind. Dhe si rrjedhojë, siç theksojnë njohësit e zhvillimeve bankare në vend, bankat vazhdojnë t’i rrisin edhe fitimet e tyre enorme për çdo muaj.

Sipas Raportit të Sistemit Financiar për muajin qershor 2023 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), fitimi i pastër i bankave për gjashtë muajt e parë të vitit 2023, ka arrit në 82. 6 milionë euro. Ndërsa depozitat deri në muajin gusht 2023 kanë arritur në 5.838 miliardë euro.

Gjatë vitit 2022, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, sektori bankar ka arritur të sigurojë profit të lartë financiar, 140.3 milionë euro apo rreth 23 milionë euro më shumë se në vitin 2021. Ndërsa, sivjet, me këtë ritëm të realizimit të fitimeve, në fund të vitit ka mundësi të ndodhë që fare lehtë të tejkalohet neto fitimi 200 milionësh. Po e ripërsërisim se sektori bankar në vendin tonë, vazhdimisht, ndër vite, shquhet me fitime enorme neto, por të arritura kryekëput nga çmimet e shtrenjta të produkteve bankare (kamatave kreditore dhe të çmimeve në stratosferë të shërbimeve) të cilësuara tashmë nga ekspertët dhe nga statistikat zyrtare, ndër më të lartat nga shtetet e rajonit dhe të Eurpoës, gjithsesi.

Bankat në Kosovë, këto komercialet pra, por edhe institucionet e ashtuqaujtura mikrofinanciare, ose figurativisht siç vazhdojnë të quhen nga klientela “fajdexhinjtë legalë në Kosovë”, vazhdojnë, po kështu, ta bëjnë ligjin vet: Sa të duan dhe kur të duan i ngritin çmimet e shërbimeve bankare dhe si të duan dhe kur të duan përcaktojnë kamatat për të të gjitha llojet e kredidhënies. Nuk pyesin pra, askënd e asnjëherë dhe në asnjë rast të vetëm, ose ia dërgojnë ndonjë ‘depesh” BQK-së ndonjëherë për ta njoftuar për çmimet e reja të shërbimeve bankare, ose për pamundësinë e uljes së kamatave “për shkak të riskut të madh që mmbretëron në Kosovë”.

Dhe, duhet thënë, por edhe përkujtuar edhe klientelën edhe BQK-në, se fitimet e mëdha në të gjitha periudhat e vitit (tremujore, gjashtëmujore, nëntëmujore, dhe vjetore) të këtyre bankave, siç u tha më lartë, janë kryekëput rezultat i çmimeve shumë të larta deri në stratoferë të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegal, të institucioneve mikrofinanciare.

Sa e sa herë, është konstatuar dhe është vlerësuar nga ekspertët se institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, aplikojnë norma absurde dhe për logjikën e shëndoshë – të pakuptueshme deri në 41 për qind, ose më saktë nga 23 deri në 41 për qind. Këto, pa diskutim, janë interesat më të larta në botë, në Europë dhe ndër shtetet e rajonit.

Për kreditë konsumuese në sektorin mikrofinanciar të vendit (kategori e kredive ndër më të kërkuarat nga qytetarët në Kosovë, të cilët huazojnë pavarsisht çmimeve për të financuar konsumin dhe nevojat e përditshme), edhe sivjet janë rritur normat e interesit, derisa kategoritë tjera të kredive kanë mbetur me norma pothuajse të ngjashme.

“Sipas llojit të kredive, norma mesatare e interesit në kreditë konsumuese u rrit për 1.3 pikë përqindje në 22.9 përqind. Kurse, kreditë hipotekare vazhdojnë të kenë normat më të ulëta të interesit, në mesatare prej 17.0 përqind në qershor 2023, krahasuar me vitin e kaluar shënoi rënie për 1.1 pikë përqindje”, thuhet në raportin për vlerësimin tremujor të ekonomisë të BQK-së.

Në këtë raport për sektorin mikrofianciar, BQK paralajmëron shtrenjtim të kredive edhe në muajt në vazhdim. Ndryshe, norma mesatare e interesit në kreditë e lëshuara nga ky sektor në qershor 2023 ishte 19.0 përqind, për 0.1 pikë përqindje më e lartë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kosova, pra, del të jetë kampione absolute për çmimet e shërbimeve dhe për lartësinë e kamatave të kredive të të gjitha llojeve në mbarë sektorin e vet banker, respektivisht edhe te bankat komerciale.

Përkundër këtij fakti, edhe sivjet u jetësua paralajmërimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) se në një të ardhme të afërt në Kosovë do të rriten normat e interesit në kredi, edh ashtu më të lartat në Europë dhe në shtetet e rajonit. Por, për ngritjen e sivjetshme, veçmas të kamatave për kredi dhe të çmimeve të shërbimeve, nga institucionet bankare është bërë tjetër arsyetim, jo ai i zakonshmi.

BQK-ja, e as bankat komerciale, nuk e kanë theksuar edhe aq se gjoja “rrisku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, është shkaku i kamatave të ngritura, i gjithë kësaj “loje” jashtë normave të ‘ferplay-it” të afarizmit bankar. Nuk kalon më ky arsyetim bezdisës dhe i paqëndrueshëm fare as në opinionin e brendshëm as në atë të jashtëm. U dëshmua gjithanshëm se në Kosovë nuk ka rrisk të lartë, madje as të ulët.

Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë minimaliste “në Kosovën me rrisk të madh të sigurisë”. Ato, sipas të dhënave të mëhershme të BQK-së, janë gjithsej diçka mbi 2 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare në kredidhënie dhe përgjithësisht afarizëm bankar. Shi për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova, edhe në rrethana të tranzicionit dhe shumë pak vite pasluftës ishte fare e sigurtë dhe ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale.

Ndryshe, kërkesat për kamata të larta bankat në Kosovë në këtë vit kanë pretenduar t’i arrijnë me arsyetimin “si pasojë e rritjes së normës se EURIBOR-it në tregun evropian”.

EURIBOR (shkurt për Euro InterBank Offered Rate ose përkthyer si Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane).

Mirëpo, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik nuk nevojitet të bëhet ndonjë analizë e thelluar dhe e detajuar për të parë se edhe arsyetimi për rritje të kamatave si pasojë e rritjes së normës se EURIBOR-it në tregun evropian”, është i paqëndrueshëm fare për bankat kosovare. Sepse, siç konstaton BQK-ja vet në “Raportin e Stabilitetit Financiar”, EURIBOR (ose Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane). Ndërsa, në Kosovë, asnjëra nga 12 bankat komerciale ekzistuese nuk janë as elitare, as për t’u vlerësuar të mëdha në tregjet ndërkombëtare të parasë. Dhe për të gjitha këto zhvillime, BQK-ja vazhdon të heshtë, të bëhet memece dhe të jetë vetëm një vrojtuese memece e gjithë këtyre zhvillimeve.

Ndërkohë, bankat kosovare vazhdojnë të “shijojnë” favoret e afruara nga shteti i Kosovës. Vazhdojnë të rritin fitimet në saje të kamatave të ngritura, vazhdojnë të mos paguajnë tatime në profit, vazhdojnë të dërgojnë fitimin neto në shtetet prej nga e kanë origjinën, vazhdojnë të qarkullojnë 5,8 miliardë para të kursimeve të kosovarëve të varfër, vazhdojnë të reduktojnë numrin e të punësuarëve me automatizimin e kryerjes së proceseve bankare dhe vazhdojnë t’i vënë në radhë me orë të tëra klientelën kosovare për të deponuar, apo dorëzuar në bankë paratë e tyre. Por, ka edhe një mori favoresh të tjera që Kosova e varfër ua ka vënë në dispozicion bankave të pasura, prej të cilave praktikisht merr fare pak. /Buletini Ekonomik/