Gjykata Komerciale del me reagim pas zhurmës së madhe për bllokimin e Rrugës A

Gjykata Komerciale e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për media pas reagimeve të shumta që janë nxitur nga vendimi për pezullim të punimeve në Rrugën A.

Nga kjo Gjykatë thonë se “retorika e mediave” dhe “deklaratat e politikanëve” mund të kenë ndikim në opinion publik dhe në besimin në institucionet gjyqësore, prandaj sipas Gjykatës është e rëndësishme të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe mos paragjykimit të tyre.

Në reagimin e Gjykatës Komerciale thuhet se palët kanë të drejtë ankese në instancat më të larta gjyqësore prandaj s’duhet paragjykuar çështja pa marrë epilog përfundimtar.

Reklama e sponzorizuar

“Gjykata Komerciale e Kosovës, shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale”, thuhet në reagim.

“Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte”, vazhdon reagimi

“Palët kanë të drejtën e tyre të shfrytëzimit të mjeteve juridike për vlerësimin e vendimit nga instancat më të larta gjyqësore, andaj nuk duhet të paragjykohet çështja pa marr epilog përfundimtar”, thuhet në fund.