Greva e minatorëve të “Trepçës”, reagon menaxhmenti: Është e jashtëligjshme, të ndërpritet

Menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça Sh.A., ka  përgënjeshtruar deklaratën e kryetarit të Sindikatës, Ibrahim Jonuzi, se ka pas komunikim me menaxhmentin dhe se menaxhmeni është shprehur keq për grevën dhe gjendjen e minatorëve në minierën e Stan Tërgut.

Në një reagim në Facebook, thonë se fjalët që ka thënë Januzi kinse menaxhmenti është dashakeq për minatorët, janë shpifje të ulta që nuk përkojnë me sindikalistet e minierës.

“Menaxhmenti dhe Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A., janë shumë të shqetësuar për situatën e krijuar në minierën e Stantergut, për sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve andaj është duke punuar gjatë gjithë kohës për tejkalimin sa me të lehtë të kësaj situate”, thuhet në reagim.

Reklama e sponzorizuar

Menaxhmenti konsideron se kjo greve duhet të ndërpritet menjëherë për shkak se një grevë e tillë nuk është ligjore, sepse nuk është paralajmëruar sipas ligjit LIGJI Nr. 03/L-200 për greva, dhe konsiderojmë se nuk ka arsye reale për të rrezikuar me shume sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve.

“Përkundër vështirësive operative dhe rënies së çmimit të metaleve në bursë, minatorët dhe punëtorët e ndërmarrjes Trepça Sh.A. të mbështetur nga Qeveria e Republikë së Kosovë, rregullisht për çdo muaj i kanë marrë pagat e tyre të plota”.

“Gjithashtu, mund te informojmë opinioni e gjerë që për herë të parë pas dy dekadave, minatorëve të ndërmarrjes Trepça Sh.A. u janë rritur pagat mbi nivelin e pagave të minatorëve të minierave në rajon (Shqipëri, Maqedonia e Veriut). Poashtu është ngritë edhe shtesa për shujtën ditore për çdo minator në ndërmarrjen Trepça Sh.A. Ketë menaxhmenti e ka bere vetëm me qëllim që të vlerësojë dhe motivoj minatorët e ndërmarrjes”, thuhet tutje.

Prandaj, theksojnë se me mirëkuptim të gjithë punëtorët duhet t’i kthehen detyrave dhe angazhimeve të punës dhe mos të ndikohen nga grupet e interesit dashakeqëse të cilat nuk kanë interes zhvillimin e ndërmarrjes Trepça Sh.A.

“Gjithashtu, ju sigurojmë që gjithë shpifjet do të adresojmë te organet kompetente konform rregullave dhe ligjit ne fuqi”.

“Menaxhmenti, Bordi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuar të jetësojnë investimet e duhura në minierat dhe flotacionet e Trepçës, me qëllim të ngritjes së produktivitetit, performancës dhe sigurisë në punë për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes Trepça Sh.A”, thuhet në fund.