Maqedonia ka centralin më të madh fotovoltaik në Ballkan. Ky është projekt me rëndësi të madhe për Maqedoninë e Veriut për shkak të faktit që ka kontribut të madh në prodhimin e energjisë elektrike vendore, pavarësi energjetike, ndërsa njëkohësisht kontribuon edhe për mjedis më të shëndetshëm jetësor.
Në hapësirë prej 57 hektarëve janë vendosur mbi 101 mijë panele që në 25 vitet e ardhshme, sa zgjat periudha operative e parkut solar do të furnizojë sasi të mjaftueshme të energjisë në sistemin eletroenergjetik në Maqedoni të Veriut.
Shefshet Demirovski, investitor dhe pronar i Mej Energy, kompani e cila ka realizuar këtë projekt në vlerë prej 40 milion eurove, në intervistë për TV21, tha se me këtë central Maqedonia po përforcohet në kartën europiane energjetike.
“Kapaciteti i këtij centrali është 55 MWh, është një nga më të mëdhenjtë të ndërtuara në Ballkan. Do të prodhoj në nivel vjetor rreth 85 milionë kilovat orë energji elektrike. Kjo është për rreth 30 mijë familje, d.m.th. rreth 170 mijë banorë. Investimi është në vlerë prej 40 milionë eurove dhe është centrali i parë fotovoltaik i ndërtuar në tokë private prej 57 hektarëve”, tha Shefshet Demirovski, pronarë i Mej Energy.
CFE Novaci është ndërtuar vetëm 50 metra nga vendi ku deponohen mbetjet nga miniera e Suvodolit. Punimet ndërtimore kanë filluar në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa ndërtimin e kanë kryer tërësisht kompanitë vendore nën mbikëqyrjen e firmave konsulente dhe ekspertëve që janë në këtë biznes për më shumë se 20 vjet. Në hapjen e këtij projekti të rëndësishëm morën pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ministra të qeverisë. Në mënyrë simbolike, duke shtypur butonin, ata vunë në funksion centralin.
“Jam i bindur se ky central fotovoltaik do të japë 20 deri në 25 për qind më shumë energji elektrike, duke qenë se izolimi diellor në vendin tonë është më i miri në krahasim me të gjitha vendet e botës. Dhe nëse duhet të bëjmë diçka, është të gjithë së bashku, të bashkuar, këtë vend të diellit që aktualisht është shembull i transformimit të energjisë të jetë shembulli më i mirë si shtet anëtar i Bashkimit Evropian për një qendër të gjelbër të Bashkimit Evropian për momentin, kur në vitin 2030 bëhemi shtet anëtar i Unionit”, u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bektesi ishte veshur me një bluzë me emblemën e burimeve të rinovueshme të energjisë me simbolet e diellit, erës dhe ujit.
“Deri në vitin 2016 në vendin tonë, vendin e diellit, shteti i cili në flamurin e vet e ka diellin, kishte kapacitet të instaluar jo më shumë se 17 MWh për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli. Sot kur flasim, po flasim për kapacitet të instaluar prej 393.6 MWh që sot prodhojnë energji elektrike dhe janë plotësisht në rrjetin shpërndarës”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Deri në fund të vitit, rreth një e treta e amvisërive do të mbulohen nga energjia elektrike nga centralet vendase fotovoltaike.