Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit, pasi që analizat e mostrave të ujit në rezultatet laboratorike kanë treguar se ka vlera të rritura të manganit.
IKSHPK ka bërë të ditur se ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë dhe se mos përdorimi i ujit për pije dhe përgatitje të ushqimit do të vlejë deri në njoftimin e radhës.
Për më tepër, IKSHPK ka bërë të ditur zonat e prekura:
Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Ajvalia komplet, lagjet Veterniku, lagjet 038 dhe të gjitha tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtine, lagjet Qendresa, Qendresa Home, Swiss Village, fshati Preoc, Cagllavicë, rruga “Behar Begolli”, “Richard Holbrooke”, Qendra “Albi Mall”, rruga “Shkupi”, “Holger Petersen”, “Malush Kosova”, objektet individuale nga rruga “Malush Kosova”, deri te “kisha në Matiçan”.
Po ashtu janë edhe zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, lagjja Qershia, lagjja NIC, zona afër Xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati rruga “Muharrem Fejza” me të gjitha rrugicat, drejtimi deri te QKUK, rruga “Enver Maloku”, objektet në lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale), dhe objektet e kyçura direkt ne linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga “Ferat Dragaj”, “Hajrullah Abdullahu”, “Hilmi Rakovica”, “Vllezërit Gervalla”, “Afrim Zhitija”, “Armend Daci”, “Dervish Rozhaja”, “Thimi Mitko”, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga “Sali Nivica”, “Norbert Jokl”, “Thimi Mitko”, objektet banesore në Bregun e Diellit, zonat Qendër dhe zonat tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor “Xheladin Rekaliu” deri te kryqëzimi i rrugës te Konviktet, zonat afër shkollës “Ismail Qemali”, rrugët “Mehmet Gradica”, “Hyzri Talla”, “Qamil Bala”.
IKSHPK do të vazhdojë me monitorim të ujit për pije dhe përcjelljen e situatës në këto zona, ndërkohë që bashkëveprimi me KRU “Prishtina” është në vijimësi deri në normalizimin e vlerave referente.
“Ju lutemi që t’i referoheni vetëm njoftimeve zyrtare të IKSHPK-së për këto të dhëna”, thuhet në një postim të IKSHPK-së në Facebook.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kompania e ujësjellësit KRU Prishtina.
Në bazë të njoftimit të pranuar nga IKSHPK, mirëpo edhe me monitorimet dhe kontrollet e cilësisë që bënë KRU” Prishtina” me departamentin e cilësisë së ujit është vënë re ngritje e prezencës se manganit në burimin e ujit (Liqeni Badovc).
Andaj, bazuar në gjendjen momentale, me rekomandim të IKSHPK, KRU” Prishtina” njofton qytetarët që të furnizohen nga ITU Badovc, se uji nuk rekomandohet për pije dhe për gatim, deri në njoftimin e radhës.
Për informacion KRU” Prishtina” në komunikim me IKSHPK, ka bërë furnizimin e QKUK-së përmes alternatives tjetër (Furnizimi Shkabaj – Batllavë), duke ofruar fillimisht siguri në furnizim për nevojat e QKUK-së, sepse uji nga sistemi i Liqenit Batllava (Shajkovc) dhe uji nga sistemi i Ibrit (Shkabaj) është i sigurt për pije.
Gjatë kësaj jave departamenti i cilësisë së ujit në KRU Prishtina ka punuar ngushtë me stafin e Impiantit të Trajtimit të Ujit për pije në Badovc, duke ulur sasinë e trajtimit nga një kapacitet Q=460-480 l/s ne Q = 180-200 l/s, duke respektuar rekomandimet e departamentit dhe IKSHPK.
Gjatë marrjes së mostrave ditën e sotme në veprën e marrjes në liqe, është vënë re se kemi përmirësim në cilësi të ujit në burim dhe duke parë këtë gjendje, menaxhmenti ka marrë vendim që të rrisë sasinë e ujit në trajtim, paraprakisht duke hapur shkarkuesit e linjës marrëse (Liqeni Badovc – SP Badovc). Kjo ka ndikuar që të kemi mundësi për sasi me të madhe në trajtim, duke mbajtur cilësinë afër standardit – pragut te lejuar për prezence mangani.
Meqenëse kishim një situatë të tillë, në orët e pasdites kemi filluar që të lëshojmë sasi më të madhe uji në rrjetin primar (linjat magjistrale) me qëllim që të shpërlahen linjat sa më shumë dhe të ulet prezenca e manganit. Të gjendur para kësaj situate KRU Prishtina ka në gjendje gatishmërie autobotin me ujë të pijes, i cili në çdo kohë mund të dalë në terren për të shpërndarë ujë për të pirë./Telegrafi/