Me kthimin në prodhim të B1-shit, sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të ketë plus 260 megavatë-orë në dispozicion të prodhuar nga kapacitetet vendore, gjegjësisht do të ketë diku diku rreth 800 megavatë-orë për nevojat e konsumit të vendit (B1 dhe B2 nga 260 megavatë dhe dy blloqe të Kosovës A, A4 dhe A5 me nga 130 megavatë, plus një sasi dhjetëra megavatësh nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme).
Buletini Ekonomik
Kanë përfunduar të gjitha punët rreth remontit të bllokut B1 të termocentraleve Kosova B, të filluara që para rreth 3 muajve, më saktësisht më 25 korrik 2023.
Sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, pas përfundimit të të gjitha punëve remontuese dhe pas testimeve të nevojshme pas remontit voluminoz në këtë njësi prodhuese, B1-shi menjëherë është aktivizuar dhe nesër pritet që të sinkronizohet në sistemin elektroenergjetik të vendit. Bëhet me dije se në Bllokun B1 të termocentralit Kosova B, përveç dy projekteve kapitale si ai i dilatimeve në kalldajë dhe ndërrimi i zbarrave (rimbështjellja e statorit të gjeneratorit), gjatë proceseve të remontit përafërsisht tremujor, janë realizuar edhe një sërë projektesh që kanë qenë të ndërlidhura me riparimin e planifikuar.
Me rastin e një vizite që këtyre ditëve kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Përparim Kabashi, i kishte bërë Kosovës B, gjatë mbikëqyrjes së punimeve në njësinë B-1, kishte theksuar se “punimet që kanë filluar në njësinë B-1 me 25 korrik 2023 “janë zhvilluar sipas planit dinamik”, që do të thotë se riparimet e planifikuara kanë zgjatur rreth tre muaj, aq sa ishte paraparë.
Dihet kapaciteti i bllokut B1 të Kosovës B është 260 megavatë-orë, po aq sa prodhon edhe blloku B2, në të cilin, po kështu, për tre muaj përafërsisht, janë bërë riparime të ngjashme të planifikuara, në mënyrë që të jetë sa më i gatshëm për prodhim gjatë sezonit të dimrit. Kjo do të thotë, se pas ditës së nesërme, kur pritet të sinkronizohet prodhimi i B1-shit, Kosovës do t’i shtohen 260 megavatë-orë prodhim vetanak të rrymës.
Me kthimin në prodhim të B1-shit, sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të ketë plus 260 megavatë-orë në dispozicion të prodhuar nga kapacitetet vendore, gjegjësisht do të ketë diku rreth 800 megavatë-orë për nevojat e konsumit të vendit (B1 dhe B2 nga 260 megavatë dhe dy blloqe të Kosovës A, A4 dhe A5 me nga 130 megavatë, plus një sasi dhjetëra megavatësh nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme).
Në bllokun A3 të Kosovës A aktualisht janë duke u zhvilluar riparime teknike të planifikuara, dhe për këtë shkak kjo njësi gjendet përkohësisht jashtë prodhimit.
Sipas njohësve të rrethanave elektroenegtjetike të vendit, në këto rrethana të motit të mirë dhe akoma të ngrohtë që po mbanë edhe në fund të tetorit dhe nëse nuk ndodhë ndonjë e papritur dhe ndonjë defekt teknik i paparashikuar, me prodhimin aktual të katër blloqeve të termocentraleve tona (B1 dhe B2 të “Kosova B” dhe A4 e A5 të Kosovës A si dhe të dhjetëra megavatëve nga stabilimentet e energjisë së rinovueshme, thuaja se përmbushen nevojat e konsumit të Kosovës, i cili aktualisht sillet në rreth 700-750 megavatë-orë. Ndërsa, problemet reale nga mungesa e energjisë elektrike pritet të paraqiten tek në muajt e dimrit, kur rritet ndjeshëm konsumi në vend (përvojat e viteve të kaluara tregojnë se gjatë ditëve të acarta konsumi di të shkojë edhe në 1280-1300 megavat-orë) dhe kur kapacitetet prodhuese të vendit (termocentralet dhe stabilimentet ekzistuese të energjisë së rinovueshme) nuk do të arrijnë të përmbushin nevojat e konsumit.
Në këta muaj të ftohtë dhe në këto rrethana, Kosova nuk ka alternativë tjetër pos të importojë energji me çmime tepër të shtrenjta, të aplikojë reduktime të stërzgjatura, por edhe të kursejë sa më shumë dhe aty ku është e mundshme energjinë elektrike. Dhe, alternativat do të jenë të rënda, qoftë për shtetin që është e diskutueshme që tani se a do të ketë paratë e nevojshme për të importuar rrymën e nevojshme, qoftë për qytetarët e Kosovës, e sidomos për ata të varfërit, të cilët nuk do ta kenë të lehtë të përballen me terrin. /Buletini Ekonomik/