Ministri rumun i energjisë, Sebastian Burduja ka thënë se do t’i parashtrojë kërkesë Bashkimit Evropian për shtyerjen e afatit për mbylljen e njësive të termocentralit Oltenia.
Shtyerja e afatit do të mbështetet nga studimet e operatorit të sistemit të transmisionit në Rumani, Transelectrica, ka thënë ministri Burduja pas mbledhjes së grupit punues për termocentrale me qymyr në Rumani, përcjell Kosovo.Energy.
Për të pranuar fonde të BE-së për rimëkëmbje ekonomike, qeveria rumune ka thënë se do të mbyllë termocentralet me qymyr në vitin 2032.
Pas mbylljes së kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike prej 660 megavatësh vitin e kaluar, Rumanisë i kishin mbetur për të mbyllur njësi qymyri me kapacitet prej 1.4 gigavatësh në fund të vitit 2025, ndërsa 1.1 gigavatët tjera në vitin 2032. /Kosovo.Energy/