Telegrafi të shtunën ka raportuar se operatori “Neotel” nga Maqedonia e Veriut, nga i cili blen internet Posta dhe Telekomi i Kosovës, është në proces të shitjes te kompania ‘simotër’ MTEL e Telekom Serbia.
Nga Telekomi i Kosovës kanë konfirmuar për Telegrafin se kompania ‘Neotel’ nga Maqedonia e Veriut ka një kohë të gjatë, që nga viti 2010, që është njeri nga furnizuesit e Telekomit me internet.
“Sipas kontratës aktuale që e kemi, vlera mujore e internetit të blere prej tyre është rreth 2,700.00€ në muaj. Për informim e juaj shtesë, kjo linjë shërben vetëm si blerje rezervë ashtu që sigurohemi që konsumatorëve tonë të ju sigurojmë kapacitetet të mjaftueshme për shërbim të internetit të pandërprerë”, thuhet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës për Telegrafin.
Të pyetur se a kanë njohuri se operatori Neotel nga Maqedonia Veriore janë në proces të shitjes te kompania ‘simotër’ e Telekom Serbia, ata thonë se nuk kemi informatë zyrtare lidhur me shitjen e kësaj kompanie tek ndonjë kompani tjetër.
“Informatat për shitjen e kompanisë ‘Neotel’ i kemi nga mediat. Përndryshe, shitje-blerjet e kompanive nuk ndikojnë në zbatimin e kontratave, përveç nëse kontratat parashohin kufizimin e shitjes së aksioneve në periudhën sa kanë kontratë me Telekomin ose nëse me kontratë parashihet aprovimi nga Telekomi i shitjes së aksioneve për kompaninë kontraktuese (e që në këtë rast nuk kërkohet)”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.
Sipas tyre se kjo blerje e internetit i nënshtrohet procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik.