Dy minatorë janë dërguar në Emergjencën e qytetit të Mitrovicës, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Por, prapë ata do ta vazhdojnë grevën, kështu bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.
Ai përsëriti kërkesat e minatorëve që janë: realizimi i pagave me kohë, shkarkimi i menaxhmentit, si dhe sigurimi shëndetësor.
Ndërkohë, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se kjo formë e protestës nuk ishte zgjedhje e tyre, por zgjidhja e vetme për shkak të injorimit të plotë që u ka bërë Qeveria kërkesave të tyre për më shumë se dy vjet.
“Sot, minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e katërt të grevës. Gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet shpejt dhe ndjeshëm. Kjo formë e protestës nuk ishte zgjedhje e tyre – por ishte zgjidhja e vetmja për shkak të injorimit të plotë që u ka bërë Qeveria kërkesave të tyre për më shumë se dy vjet. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme – andaj duhet të plotësohen urgjentisht”, ka shkruar, pos tjerash, Krasniqi në Facebook.