Ari është ngjitur në nivelin më të lartë në 6 muajt e fundit në sesionin e sotëm, i mbështetur nga dobësimi i dollarit amerikan dhe nga bastet se Rezerva Federale e ka mbyllur ciklin e rritjes së interesave. Gjithashtu, investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA, që do të publikohen më vonë gjatë kësaj jave.
Kontrata “spot” e arit po tregtohet në rreth 2015 dollarë për onz, niveli më i lartë që nga maji i këtij viti. Analistët shprehen se të dhënat ekonomike që do të publikohen gjatë kësaj jave, si për rritjen ashtu edhe për inflacionin, do të përcaktojnë nëse ari do të tregtohet mbi apo poshtë 2,000 dollarë për onz.
Indeksi i dollarit amerikan po qëndron në rënie 0.1%, kundrejt monedhave kryesore ndërkombëtare, pranë nivelit më të ulët në 2 muaj e gjysmë, të prekur javën e kaluar, duke e bërë arin më pak të shtrenjtë për zotëruesit e monedhave të tjera.
Në fillim të këtij muaji, një tjetër raport tregoi se inflacioni konsumator rezultoi më i dobët se parashikimet e analistëve, duke rritur shpresat se Rezerva Federale mund të fillojë të lehtësojë kushtet monetare.
Tregtarët presin gjerësisht që banka qendrore amerikane të mos i ndryshojë normat e interesit në takimin e dhjetorit, ndërsa shanset për një ulje të tyre në maj të vitit të ardhshëm janë rritur në 60%. Ndër metalet e tjera, argjendi po tregtohet në rreth 24.8 dollarë për onz, ndërsa platini po tregtohet në rreth 945 dollarë për onz. /Scan tv/