ATK: Mbi 8 milionë euro tatimi shtesë nga hetimet tatimore

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se brenda 10 muajve të këtij viti, Departamenti i Hetimeve Ttatimore dhe Inteligjencës (DHTI) ka arritur që nga hetimet e bëra të rrisë tatimin shtesë për 8.1 milionë euro nga 4.6 milionë euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Sipas ATK-së, Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në ATK luan një rol kyç në sigurimin e barazisë mes bizneseve, si dhe mbrojtjen e sistemit tatimor nga çdo individ a biznes të cilët qëllimshëm i shmangen detyrimeve tatimore.
Nga ATK-ja theksojnë se këto hetime zhvillohen për të identifikuar shkeljet e mundshme të rregullave tatimore dhe shmangien e obligimeve financiare nga individë apo biznese, dhe se përmes analizave të tilla të thelluara dhe monitorimit të transaksioneve, autoritetet tatimore mund të zbulojnë mos raportime të të ardhurave, transferime të paligjshme dhe keqpërdorime të tjera financiare.
“Funksioni kryesor i hetimeve tatimore është të sigurojë që të gjitha subjektet tatimore kontribuojnë në mënyrë të barabartë dhe ligjore në mbajtjen e barrës tatimore. Kjo jo vetëm që siguron burime të mjaftueshme për financimin e shërbimeve publike, por gjithashtu ndihmon në parandalimin e pasigurisë fiskale dhe në ruajtjen e integritetit të sistemit tatimor”, thuhet tutje në njoftimin e ATK-së. /Buletini Ekonomik/