Bujupi: Të lehtësohen procedurat për investime në energji solare

Qeveria duhet t’i lehtësojë procedurat për të investuar në energji solare. Kështu u tha në konferencën për media të Lidhjes së Bizneseve. Naim Bujupi, koordinator për energji, tha se për të investuar në këtë fushë në Kosovë po hasen barriera si në aspektin qendror ashtu edhe në atë lokal. Ai tha se kjo nuk është sinjal i mirë për investitorët e huaj.

Kosova ka potencial premtues për të investuar në energji solare. Por, përkundër kapaciteteve në Kosovë, kjo fushë përballet me shumë barriera e sfida burokratike si në aspektin qendror ashtu edhe në lokal. Kështu bëri të ditur Naim Bujupi, udhëheqës i sektorit të energjisë të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës.

“Kjo mungesë e koordinimit buron nga një kërkesë specifike rregullative, ku projektet solare mund të ndërtohen brenda komunave vetëm nëse ato parashihen në Planin Zhvillimor Komunal. Duke i komplikuar gjërat, këto plane zhvillimore komunale zhvillohen një herë në 8 vjet. Ky afat kohor përbën një pengesë të konsiderueshme”, deklaroi Bujupi.

Reklama e sponzorizuar

Ai tha se përkundër që është arritur një marrëveshje për prodhimin e energjisë diellore me kapacitet prej 100 MV, afati për dorëzimin e ofertave është shtyrë katër herë pa arsye dhe kjo sipas Bujupit, dërgon sinjale negative tek investitorët potencialë dhe ofertuesit.

“Kosova duhet t’i kapërcejë barrierat me të cilat ballafaqohen investitorët potencialë. Kjo do të çojë në rritjen e besimit të tyre, zhvillimin më konkurrues të projekteve dhe një tranzicion më të shpejtë drejt burimeve të ripërtërishme të energjisë, duke kontribuar në të ardhmen e qëndrueshme energjetike të Kosovës”, tha ai.

Në këtë konferencë u rekomandua që qeveria të fokusohet në thjeshtimin dhe përshpejtimin e procedurave burokratike, reduktimin e formaliteteve të panevojshme dhe krijimin e një procesi më miqësor ndaj investitorëve.