Buxheti i Shqipërisë më 2024 arrin në 7 miliardë euro, 1.2 miliardë shkojnë në investime

Buxheti i vitit 2024 do të ketë në total për të shpenzuar rreth 735,9 miliardë lekë (rreth 7 mld euro), prej të cilave 633,7 miliardë vijnë nga të ardhurat dhe pjesa tjetër është borxh i ri (deficiti) prej 61,9 miliardë lekësh.

Siç mësohet nga relacioni i projektbuxhetit 2024, pjesën më të madhe të financimit do të marrin investimet publike me 128,5 miliardë lekë (1,2 miliardë euro).

Fondi shtesë për rritjen e pagave është 11 miliardë lekë rreth 100 milionë euro. Sektori publik ka rreth 184 mijë të punonjes nga të cilat rreth 84 mijë janë administratës dhe pjesa tjetër janë punonjës në shërbimet bazë të sektorit publik, arsim, shëndetësi dhe polici. dhe nëse përdoret vetëm për punonjësit e shënimeve publike, pagat rriten me një mesatare 9 mijë lekë në muaj. Qeveria anuloi planin për një rritje pagash në dhjetor siç e kishte planifikuar në një nga dokumentet e saj për reformimin e administratës publike.

Reklama e sponzorizuar

Të ardhurat rriten me 8,5%

Në vitin 2024, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 674.7 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 633.7 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 447 miliardë lekë.

Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet për sigurimin shoqëror dhe sigurimin shëndetësor, planifikohen të jenë 156.7 miliardë lekë. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2023, të ardhurat totale të buxhetit rriten +19.5 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet, doganat dhe kontributet, pa marrë në konsideratë të ardhurat one off të vitit 2023, programohen të rriten rreth +8.25% ose +45 miliardë lekë.

Të ardhurat tatimore dhe doganore, përfshirë kontributet e sigurimeve janë projektuar bazuar në analizën e trendit historik shumëvjeçar të tyre, realizimit të pritshëm në vitin 2023 dhe faktorizimit të të gjjithë elementëve që do ndikojnë në të ardhurat e vitit 2024 përfshirë efektet nga: rritja ekonomike, indeksi i çmimeve, politikat e reja fiskale, si dhe të ardhurat shtesë nga mirëadministrimi.

Ky parashikim është analizuar dhe korrektuar me efektet e mundshme të faktorëve të tjerë relevantë përfshirë koefiçientin e elasticitetit, tipologjinë e çdo lloj takse e tatimi etj. Faktorët që janë marrë në konsideratë të cilët ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2024 përfshijnë:

Kuadrin makroekonomik për vitin 2024 ku është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.8%, dhe indeksi i çmimeve 3%. Këta tregues janë analizuar të kenë efekte në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta Minerare dhe Taksa Doganore. Në projeksion janë përfshirë, faktorë që lidhen edhe me kursin mesatar të pritshëm të këmbimit EUR/ALL dhe USD/ALL, si dhe çmimet e vlerësuara të bursës për mineralet, nënproduktet e naftës etj.

Paketa Fiskale 2024, me propozime të cilat gjenerojnë të ardhura shtesë në zërin e Akcizës, Tatimin mbi të Ardhurat nga Profesionet si dhe nga Taksat nacionale.

Të ardhurat që do gjenerohen në formën e të ardhurave nga paga dhe kontributet si rezultat i zbatimit nga Qeveria të reformës në fushën e pagave, ku në vitin 2024 do ekzekutohet pjesa kryesore e kësaj reforme, nëpërmjet fondit të planifikuar nga buxheti prej 29 miliardë lekësh për rritjen e pagave të mjekëve, infermierëve, mësuesve, policëve, ushtarakëve, dhe niveleve të mesme dhe të ulta të administratës qëndrore dhe lokale.

Të ardhurat e projektuara që do gjenerohen nga përmirësimi në administrimin e tatimeve, taksave dhe detyrimevee të kontributeve, hapa të cilat janë parashikuar edhe në kuadër të hartimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.

Shpenzimet 7 mld lekë ja si ndahen

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2024 programohet në nivelin 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e PBB. Shpenzimet e personelit për vitin 2024, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave (nisur në 1 prill 2023).

Fondi për vijimin e rritjes së pagave duke filluar nga 1 korrik 2024 është planifikuar në shumën 11 miliardë lekë dhe përfshin rritjen e pagës për punonjësit e sistemit shëndetësor, arsimorë, punonjësit me grada dhe nëpunësit e administratës publike. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë ose 4.9% e PBB.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 66.2 miliardë lekë ose 2.7% të PBB, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 5.3 miliardë lekë për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, kursit të këmbimit etj.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2024 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 63.2 miliardë lekë ose rreth 2.6% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të iT, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për arsimin e sportin.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Këto shpenzime për vitin 2024, zënë 2.9% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2013.

Transferta e pakushtëzuar për vitin 2024, krahasuar me vitin 2023 është 2.5 miliardë lekë më shumë ose rreth 12% më e lartë dhe krahasuar me vitin 2015 (viti para reformës administrativo-territoriale), është 12.1 miliardë lekë më shumë ose rreth 92% më e lartë.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2024, 24.3 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 10.7 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, si dhe 1.5 miliardë lekë transfertë sektoriale për rritjen e pagave. Në total, në vitin 2024, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 36.5 miliardë lekë.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 249 miliardë lekë ose 10.2% e PBB.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2024, parashikohet në masën 178 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 4.1 miliardë lekë dhe .6 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët.

Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2024 janë parashikuar në masën 58 miliardë lekë ose 2.4% e PBB . Së fundi, shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve, parashikohen në total në masën 5 miliardë lekë ose 0.2% e PBB. shpenzime të tjera sociale, përfshin fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve.

Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë.

Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 26.25 miliardë lekë ose 1.1% e PBB.  Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekë ose 0.05% e PBB. Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB. Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë duke u rritur krahasuar me një vit më parë.

Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, për nxitjen e punësimin, për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2024, planifikohet në masën 2.5 miliardë lekë, dhe përdoret për raste të paparashikuara. investimet Publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 7 miliardë lekë).

Në planifikimin e investimeve për vitin 2024 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Deficiti buxhetor, 2,5% e PBB-së

Defiçiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet të jetë në nivelin 2.5% të PBB nga rreth 2.2% i pritshëm për vitin 2023.

Balanca primare pritet të jetë pozitive në rreth 0.2%, në një përmirësim nga balanca primare neutrale (0%) që pritet për vitin 2023. Në vijim ky target do të jetë edhe ligjërisht i detyrueshëm, parashikuar në LOB, ku përcaktohet që duke filluar nga viti buxhetor 2024 e për çdo vit në vijim balanca primare të rezultojë jo më e vogël se sa zero (pra së paku e balancuar ose pozitive).

Balanca korrente fiskale (diferenca midis investime publike dhe defiçitit fiskal) do të jetë pozitive në vitin e ardhshëm 2024, në nivelin prej 2.7% të PBB nga një nivel i pritshëm përsëri pozitiv prej 3.7% këtë vit, në përputhje kjo me rregullin respektiv fiskal (“rregullin e artë” të buxhetit).

Gjithashtu edhe borxhi publik bruto do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal. Në vitin 2023 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 61.5% të PBB dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 59.8% në vitin 2024. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 58.9% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 52.7% në vitin 2031. /Monitor.al/