Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka theksuar sot se manipulimet me çmimet në Kosovë po vazhdojnë, pasi marzha e fitimit për bizneset në disa produkte bazë është mbi 50 për qind.
Pas rrëzimit të ligjit për çmimet tavan nga Gjykata Kushtetuese, Hajdari tha se argumentet që i kanë pranuar nga kushtetuesja nuk qëndrojnë pasi s’ka pasur asnjë shkelje të tregtisë së lirë.
“Ligji për masat për produktet themelore nuk ka pasur asnjë shkelje të tregtisë së lirë, por ka pasur për të adresuar vetëm manipulime e tregtarëve, jo në përgjithësi por vetëm disa tregtare. Argumentet që i kemi pranua aspak nuk qëndrojnë pasi nuk është e mundshme të shfrytëzohet ligji për rezervën shtetërore në rast se ka çrregullim në treg“, u shpreh Hajdari sot në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për Raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2023.