Kosova e Shqipëria synojnë rritjen e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me ftesë të homologes së tij Anila Denaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takimin e zhvilluar mes dy palëve u ngritën çështje me interes të përbashkët për sektorin e bujqësisë së të dyja shteteve.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se ministri Peci u shpreh i përkushtuar drejt qëllimit të përbashkët për krijimin e lehtësirave për prodhuesit e përpunuesit, për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për eliminimin e burokracive që rëndojnë bujqit këndej e andej kufiri.

“Kosova dhe Shqipëria në sektorin e bujqësisë nuk janë shtete konkurruese sa janë komplementare. Gjatë gjithë vitit, qytetarët tanë, falë punës së palodhshme të bujqve tanë, mund të shërbehen me prodhime shqiptare”, citohet ministri Peci në njoftimin e ministrisë.

Reklama e sponzorizuar

Ai gjithashtu u shpreh se prodhimet bujqësore mbarëshqiptare me të cilat prodhuesit dhe agropërpunuesit tanë eksportojnë, na përfaqësojnë dinjitetshëm kudo në botë të udhëhequr gjithmonë nga cilësia.

Tutje, në njoftim thuhet se integrimi në politikat dhe mekanizmat e fondeve të para-anëtarësimit në BE, IPA dhe akreditimi për IPARD, mbeten synim i kësaj ministrie, andaj përmes realizimit të projekteve të përbashkëta e shkëmbimit të eksperiencës dhe ekspertizës në këtë fushë, do të jetë një shtysë pozitive në maratonën e sukseseve të deritanishme.

Më tej bëhet e ditur se vizita e ministrit të BPZhR-së, Faton Peci, bashkë me përfaqësuesit e sektorit të verëtarisë dhe vreshtarisë nga Kosova do të vizitojnë qytetin e Beratit, ku pritet të takohen me homologët e tyre vendas dhe bashkërisht të vizitojnë bodrume të verës dhe kësisoj të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim të shkëmbimit të përvojave në këtë sektor.