Kosova ka shumë fjalë e pak vepra për energjinë e rinovueshme

Mehmet Gjata

Kosova akoma është “në fund të pusit”, edhe në tejkalimin e krizës energjetike (ka mungesë evidente të rrymës së prodhuar nga termocentralet vetanake të stërvjetruara, në bazë të linjitit, por, edhe në zhvillimin e tranzicionit, që nënkupton zëvendësimin e fabrikave të rrymës me qymyr me burime të rinovueshme.

Mehmet GJATA

Vendet e Ballkanit Perëndimor sivjet, në të gjithë muajt e deritashëm të 2023-tës, kanë “shpërthyer” në investimet në energjinë diellore, dhe kapacitetet e reja realisht do të jenë krah i fortë për zbutjen e krizës së energjisë që ka përfshirë tani e dy-tre vjet edhe këtë rajon si rrjedhojë e shumë faktorëve. Ndër faktorët e ditur dhe të shpallur publikisht të krizës globale energjetike, që nuk kurseu as shtetet e Ballkanit, as Kosovën pra, ishin shpërthimi dhe zgjatja e pandemisë, lufta në Ukrainë, parasegjithash, por edhe braktisja e qymyrit, si një nga burimet dominuese të deritashme të prodhimit të energjisë elektrike dhe zëvendësimi i ngadaltë i termocentraleve në bazë të qymyrit, me impiante të energjisë së rinovueshme.

Reklama e sponzorizuar

Gjithsesi, në Kosovë, është shumë më i ngadalshëm se në vendet e tjera të rajonit, edhe pse edhe ato të varfëra thuaja njësojë si Kosova, zëvendësimi i qymyrit më burime të energjisë. Thjesht, Kosova ka stagnuar me zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme në këto vitet e stërgjatjës së krizës, por edhe të tranzicionit energjetik, që po zgjatë pafund dhe që nënkupton ngritjën e sa më shumë kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme për ta anashkaluar dhe për ta zhvendosur qymyrin, si burim dominues i prodhimit të rrymës.

Sipas të dhënave zyrtare të bëra tashmë publike në shumë medie të rajonit, Shqipëria ka kohë që ka liberalizuar tregun e energjisë elektrike. Në Shqipëri ka 109 kompani aktive të licencuara në Furnizim, Tregti dhe Prodhim të rrymës, ndërsa janë organizuar ankande deri në 300 megavatë për prodhime me energji solare/hibrid me mundësi konkurrimi me tokë private. Në Shqipëri aktualisht ka 210 megavatë energji solare në ndërtim e sipër. Një nga arsyet e këtyre zhvillimeve është lehtësimi i procedurave për investime private në sektorin e energjisë.

Edhe Maqedonia e veriut, po ashtu, ka liberalizuar tërësisht tregun e energjisë elektrike. Në vendin fqinj me ne janë 500 MW projekte solare në tokë në ndërtim e sipër me investime private si dhe rreth 3.000 MW projekte solare në tokë janë në proces të marrjes së lejeve. Në funksion janë 165 MW solare me investime private. Caku i Maqedonisë së Veriut sa i përket energjisë së pastër është 46% deri në vitin 2025 nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. Maqedonia, sipas njohësve të zhvillimeve energjetike, ka krijuar shumë kushte të favorshme dhe atraktive për investime private në sektorin e energjisë.

Vendi tjetër fqinj, Mali i Zi ka treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Ka të zhvilluar teknologjitë e hidros, erës dhe ka hapur mundësi për investime private. Momentalisht në Mal të Zi ka të lëshuar Marrëveshje të kyçjes të mbi 600 MW të eneregjisë solare.

Bosnja dhe Hercegovina ka arritur të hap tregun e energjisë. Ka lëshuar marrëveshje të kyçjes në sistemin e transmetimit për hidro, solare dhe erë, si dhe ka vendosur cakun 40% nga burimet e ripërtritshme deri në vitin 2025.

Serbia ka plane konkrete për ngritjen e kapaciteteve solare deri në 5 gigavatë, kapaciteteve të erës në 2.5 gigavatë si dhe të instaloj qindra megavatë sisteme të ruajtjes së energjisë përmesë baterive. Në Serbi trendi i instalimeve të paneleve solare për vetë-konsum është po ashtu mjaft i lartë.

Ndërsa, dihet, Greqia ka një treg të energjisë së zhvilluar dhe të liberalizuar. Që nga viti 2019 në Greqi instalohen mesatarisht 1,700 – 2,000 MW në vit projekte solare. Greqia është lider në rajon për burime të ripërtritshme dhe ka vendosur cakun 55% të bruto konsumit final të energjisë me burime të ripërtëritshme deri në vitin 2025.

Kurse Bullgaria ka lëshuar licenca gjenerimi për projekte solare dhe me erë me kapacitet 4500 megavatësh gjatë 2022 – 2023 të cilat pritet të vihen në funksion në vitin 2024.

Kosova akoma është “në fund të pusit”, edhe në tejkalimin e krizës energjetike (ka mungesë evidente të rrymës së prodhuar nga termocentralet vetanake të stërvjetruara, në bazë të linjitit, por, edhe në zhvillimin e tranzicionit, që nënkupton zëvendësimin e fabrikave të rrymës me qymyr me burime të rinovueshme. Kosova, pra, dështoi të ndërtojë një termocentral 500 megavatësh, aq sa vlerësohej se i nevojitej vendit për të sfiduar krizën energjetike për disa vite në vazhdim, kur realisht kishte mundësi dhe kur akoma nuk ishte “dënuar” qymyri si burim energjetik.

Dhe, përkundër deklarimeve të parreshtura të autoriteteve se “energjia elektrike është interes kombëtar” dhe deklaratave të kreut të Qeverisë aktuale se “këto dy vjet e gjysmë qeverisje, kemi punuar në mënyrë metodike për zgjidhjen afatgjate që meriton vendi ynë”, dhe përkundër vizioneve dhe ideve mbresëlënëse, ka fare pak rezultate të ndërtimit të impianteve të energjisë së rinovueshme. Praktikisht, Kosova po e përmbyllë edhe vitin 2023, vetëm me Parkun e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës (me kapacitet 105 megavatësh), të ndërtuar para dy-tre vjetësh nga kompani dhe kapital i huaj dhe një park solar me kapacitet fare të vogël (36 megavatësh), në Kitkë të Kamenicës, të ndërtuar nga investitor turq, po kështu, para disa vitesh.

Kemi edhe ca hidrocentrale me fuqi minimaliste, të ndërtuara vite e vite më parë, dhe që sasia e energjisë elektrike të prodhuar në to, as që ia vlenë të përmendet. Në këtë mënyrë, Kosova, me vonesat e ndjeshme të realizimit të ndonjë projekti të ri të energjisë së rinovueshme, ka të ngjarë të huq edhe synimet e programuara për pasjën e kësaj energjie sipas dokumenteve zyrtare të zhvillimit të sektorit energjetik, ndër to të Strategjisë të zhvillimit të energjisë në periudhën 2022-2031.

Kosovës, siç është vlerësuar tashmë me qindra e qindra herë, i duhet urgjentisht tani e mbi 20 e sa vite një kapacitet elektroenergjetik i ri në bazë të qymyrit (termocentral) të madhësisë 500 megavatësh, ose të një numri kapacitetesh (dhjetëra sish) të energjisë së ripërtëritshme nga 100 megavatë. Kapacitetet e reja të energjisë së gjelbër, dhjetra kapacitete në bazë të erës dhe të diellit (500 megavatë deri më 2025 dhe 130 megavatë deri më 2031), (synimi për të pasur Kosova një termocentral 500 megavatësh, ose për të rindërtuar tërësisht tre blloqe të termocentrale Kosova A, siç mendohej dhe planifikohej për vite të tëra, tani praktikisht është i parealizueshëm), janë synim, vizion dhe premtim edhe i Qeverisë Kurti 2, që nga shpërfaqja e krizës energjetike dhe nga domosdoja dhe nevojat imediate të Republikës për energji elektrike.

Dhe, sipas mendimit të ekspertëve të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, Kosova, edhe megjithë varfërinë ekstreme të saj, ka pasur shumë herë mundësi dhe vazhdon të ketë akoma, pra për të ndërtuar një e më shumë kapacitete energjetike, qoftë në bazë të erës, qoftë në bazë të diellit. Mirëpo, Kosova, megjithë vizionet e mira dhe synimet goxha konkrete të parapara edhe me dokumente zhvillimore, ndër to edhe me Strategjinë energjetike 2022-2031, ka ngec dhe vazhdon të mbetët prapa sa i përket ngritjës së kapaciteteve të rinovueshme.

Edhe gjatë këtij viti, Kosova, autoritetet e saj, sidomos ministrja Rizvanolli dhe kryeministri Kurti, nuk kanë lënë ditë pa bërë shumë premtime të mëdha, të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Kanë bërë disa herë prezantime të projekteve që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe kanë propaganduar, në raste edhe kanë promovuar dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë së rinovueshme në Kosovë. Por, ka fare pak vepra, sado që nuk prajnë premtimet e pandalura për dekarbonizimin e Kosovës nga zyrtarët.

Në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, e mbajtur në Prishtinë më 24 maj, Kurti kishte vënë në dukje se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”. Ai me këtë rast ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme. “Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, kishte deklaruar kryeministri Kurti me këtë rast.

Fjalë të mira dhe goxha vizione, pa veprimet e nevojshme institucionale për ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, kanë edhe deklarimet e stërpërsëritura dhe të bëra monotone, të ministrës së Ekonomisë, Artane Rizvanollit’, të bërë po kështu, në të njëjtin Forum. Dhe, me këtë rast, Rizvanolli i atribuoi merita Qeverisë aktuale, punës që është duke u bërë aktualisht, sipas saj, në “ndërtimin e parkut solar 100 MW në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese; Projektin e impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe – Investimin më të madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MÇ-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”.

Por, Artane Rizvanolli, as autoritet e tjera nuk e thonë një fjalë të vetme konkrete, se ku kanë arritur realizimi i këtyre projekteve (ndërtimi i parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 2 vjet e më shumë dhe projektet e tjera të apostrofuara këtu).

Ndërsa, siç dihet, ndërtimi i parkut solar në KEK, ende as që ka nisur. Tani për tani vizion për projektin i cili parahikohej të ketë kapacitet 100 MW, dhe do të kushtojë përafërsisht 95-105 milionë euro. Po, dihet edhe e dhëna se parashihet të ndërtohet mbi kodrat e dheut, të krijuara prej hirit të qymyrit të djegur në termocentralet e KEK-ut. Nuk është bërë akoma përgatitja e dosjes së tenderit dhe as që bëhet fjalë për përzgjedhjen e punëkryesit të këtij parku solar.

Kurse, realizimi i projekteve të apostrofuara nga ministrja, siç është impianti ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, dhe investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji, që veçohet nga Rizvanolli, ”Programi Kompakt me MÇ-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”, janë projekte që nuk varen nga Qeveria jonë, por nga investuesit, ata të jashtmit, të cilët, deri më tash vetëm sa kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin financiarisht këto projekte. Tani ka mbetur goxha i paqartë edhe fati i ankandit të parë, të shpallur që në pranverë për një kapacitet solar (parashihet të ndërtohet diku në rajonin e Rahovecit), për të cilin u bë shumë zhurmë, por që ngeli pashpjegueshëm në gjysmë të rrugës.

Në fakt, sipas zyrtarëve interesimi për këtë ankand ka qenë shumë i madh. Madje, sipas tyre, për te kanë shprehur interesim rreth 200 pretendentë, shumica nga bota, por për shkaqe të panjohura dhe për pa sqarime zyrtare, po shtyhet vazhdimisht afati. Deri tani janë prolonguar tre afate të caktuara nga zyrtarët.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, më 12 maj , me rastin e shpalljes së ankandit të parë solar (Ankandi Solar 100 MW) ripërsëriste se “ky potencial do të shtojë benficione shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtëritshme.

“Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm“, kishte thënë ai me këtë rast. Por, kur do të bëhet kjo, ose sa duhet të presin kosovarët për ta pasur këtë projekt, që realisht është modest për nga kapaciteti dhe jo i pa përballueshëm financiarisht edhe nga Kosova e varfër? Po e përsërisim për të satën herë: Në Kosovë ende, as në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke e bërë real dhe evident një ndryshim të mrekullueshëm dhe dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Në këtë mënyrë, duket e zymtë, e zbehtë dhe thuaja e parealizueshme perspektiva e premtuar për impiante të reja, dhe patjetër vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga kryeministri Kurti se parashikohet “për më pak se 10 vjet, më shumë se 1.300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, sikundër që janë të diskutueshme premtimet e ministres Artane Rizvanolli dhe parashikimet ambicioze të vijëzuara në Strategjinë energjetike të Kosovës 2022 – 2023, që siç dihet, objektiv strategjik ka dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, derisa Kosova ka mungesë të vazhdueshme të energjisë elektrike. /Buletini Ekonomik/