Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2024.
Ai ka ftuar deputetët që ta votojnë këtë projekt-buxhet, derisa ka thënë se me “me Projekt-buxhetin për vitin 2024, forcojmë mbrojtjen për Republikës e rrisim sigurinë e qytetarëve dhe e mundësojmë zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e popullit. Andaj ju ftoj secilin dhe secilën prej juve që me votën tuaj ta mbështesni atë.”, raporton Express.
Në prezantim, Kurti ka thënë se me këtë buxhet parashihet që 95 milionë euro të shkojnë për mbështetjen e nënave lehona dhe fëmijët nën 16-vjeç, 14 milionë euro për banimin social, 11 milionë euro për blerjen e objekteve të amabasadave nëpër botë.
Ai ka treguar edhe për mjetet e ndara në secilin sektor.
“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë. Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë, për çfarë kemi ndarë 370 milionë euro ose 22 përqind më shumë se aktualisht 153 milionë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më së shumti ndonjëherë. Ushtrisë tonë që ia kemi rritur buxhetin për dyfish më shumë prej kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3, do t’ia shtojmë edhe 600 ushtarë më shumë në vitin 2024. Kurse, Policia jonë që ka 856 policë të rinj gjatë qeverisjes tonë, vitin tjetër do t’i ketë edhe 500 rekrutë të tjerë dhe 21.7 milionë euro për investime kapitale ose 9 milionë më shumë se këtë vit”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti ka thënë se buxheti i vitit 2024 do të jetë prioritet në programin qeverisës, sa i përket nevojave të qytetarëve për një ekonomi të fortë me më shumë vende të punës, për shëndetësi gjithpërfshirëse me shërbime më të mira, arsim të zhvilluar me cilësi më të lartë e sundim të ligjit me drejtësi të reformuar.
“Përgjatë gati 32 muajve të mandatit tonë, ekonomisë iu shtuan 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja nën moshën 25-vjeçare. Vetëm përmes platformës së punësimit superpuna, për tetë muaj që nga funksionalizimi I saj janë punësuar mbi 7 mijë e 700 të rinj mes moshës 18-25 vjeç, që i bie përafërsisht diçka më pak se 1 mijë të punësuar në muaj.
Andaj për të vazhduar me nxitjen e punësimit në sektorin privat, në buxhetin e ardhshëm kemi ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit. Ndërkaaq sa i përket sektorit publik, siç e kemi thënë edhe në shkurt të këtij viti, koeficienti i pagave në sektorin publik, për vitin 2024 do të jetë 110 euro. Do të vazhdojmë të investojmë në renovimin e spitalave, përmirësimin e shërbimeve dhe blerjen e pajisjeve të teknologjisë së fundit, ashtu që më të dashurve tanë në momentet më të vështira të tyre t’ju mundësohet kujdesi i duhur”, ka deklaruar kryeministri.