Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që nga sot ka hapur periudhën për aplikim për disa nga masat mbështetëse në kuadër të Programit për Zhvillim Rural 2023 për të gjithë fermerët, agro-përpunuesit dhe bizneset rurale në gjithë territorin e Kosovës. Buxheti për këto masa për zhvillim rural, këtë vit arrin në 24,627,000.00 Euro.
Thirrjet për aplikim janë hapur për Masën 1 “Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore”, Masën 3 “Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”, Masën 7 “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve”, Masa 5 “Zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal – qasja LEADER”.
Për të gjitha procedurat e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka përgatitur udhëzues për aplikues, të cilët do t’i gjeni në ueb- faqen www.azhb-ks.net dhe www.mbpzhr-ks.net. Po ashtu, të gjithë të interesuarit mund të informohen edhe në Zyrat Rajonale të AZHB-së.
Thirrja për aplikim do të jetë e hapur deri më 29.11.2023 ora 16:00 dhe të gjithë të interesuarit, aplikimin mund ta bëjnë përmes ueb-modulit online në ueb-faqen e AZHB-së www.azhb-ks.net në të cilën gjendet linku: “Aplikimi online për PZHR” që dërgon në modulin e aplikimit online. Në këtë ueb-modul regjistrohet projekti, si dhe ngarkohen të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim.
Ndryshe, përmes Programit për Zhvillim Rural 2023, MBPZhR-ja synon të mbështesë aftësitë konkurruese të sektorit agro-rural, rritjen e prodhimit dhe të produktivitetit, përmirësimin e sigurisë së ushqimit, përdorimin e teknologjisë moderne, diversifikimin e aktiviteteve në ferma dhe biznese rurale, mbrojtja e mjedisit dhe të resurseve natyrore, krijimin e vendeve të punës dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.