NewCo Ferronikeli ndal përkohësisht prodhimin

Kompania NewCo Ferronikeli ka njoftuar se ka ndaluar përkohësisht prodhimin, për shkak të siç thonë çmimeve të ulëta të nikelit dhe kostove të larta për prodhim.

“Që nga dita e parë e daljes në prodhim, kompania jonë NewCo Ferronikeli po dëmtohet rëndë nga kostot e larta të prodhimit dhe skontimet e larta në tregun e metaleve. Kjo krizë vjen si rezultat i çmimeve të ulëta në tregun botëror të nikelit dhe rrezikut nga një reçesion për mallrat që parashikohet për vitin 2024”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre, të gjithë këta faktorë, e kanë sjellë kompaninë para një situate ku ata janë  detyruar të marrin vendimin për ndërprerjen e përkohshme të prodhimit deri në një njoftim të dytë.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, përkundër krizave të papërballueshme për ta vazhduar procesin e prodhimit, kompania NewCo Ferronikeli thotë se “bashkë me punonjësit e saj do të gjejnë zgjidhje që kjo periudhë e vështirë të mos i dëmtojë 1,000 punonjësit e saj”.

Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, NewCo Ferronikeli njofton se do të angazhohet për zhvillimin e projekteve që e ulin koston e prodhimit në fabrikë si dhe do ta rinovojë teknologjinë me qëllim të rritjes së efiçiencës, për të qenë sa më e gatshme për rinisjen e prodhimit në të ardhmen.

“Ne kemi besim të palëkundur te kompania jonë NewCo Ferronikeli, te perspektiva premtuese e nikelit, si dhe jemi të përkushtuar për ta vazhduar prodhimin në momentin që krijohet një klimë më e favorshme për industrinë tonë”, përfundon komunikata.