Gjykata Kushtetuese mori vendim në favor të Qeverisë sa i përket çështjes së faljes së tatimit në pronë.
Sipas vendimit të Kushtetueses komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.
Lidhur me këtë ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se të gjitha akuzat ndaj Qeverisë për këtë rast kanë qenë të pabaza.
“Të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza, dhe kjo gjë edhe u dëshmua tani.
Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”, ka shkruar Murati.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj e kishte dërguar në Kushtetuese ligjin për interpretim. Asociaciacioni i Komunave kishte akuzuar ekzekutivin për ndërhyrje në kompetenca të komunave dhe se me këtë ligj ato dëmtoheshin duke ua zvogëluar buxhetin vetanak. /Telegrafi/