Rreth 40 për qind e familjeve në zonat rurale të Kosovës angazhojnë fëmijët adoleshentë të moshës 13 deri në 17 vjeç në punë bujqësore, kurse 10 përqind të familjeve angazhojnë edhe ata me moshë më të vogël prej 5 deri 12 vjeç. Fëmijët detyrohen që të punojnë që në moshë të re, shumicën e rasteve për t’iu përgjigjur varfërisë në të cilën jetojnë, duke rrezikuar zhvillimin e tyre psiko-social.
Mirjeta Shabani
Gati 23 për qind e fëmijëve në Kosovë jetojnë në varfëri derisa 7 për qind prej tyre jetojnë në varfëri të skajshme, që do të thotë se u mungojnë kushtet elementare për jetë. Një pjesë e madhe e tyre detyrohen të punojnë që në moshë të re, për të fituar sado pak dhe për të jetuar më mirë.
Të dhënat zyrtare statistikore për këtë kategori janë të pakta në mesin e institucioneve publike, por puna e fëmijëve në Kosovë është mjaft e përhapur, sidomos në zonat rurale ku bujqësia është ‘fryti’ i vetëm i të ardhurave familjare.
Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka ndonjë seksion të specifikuar për llogaritjen e fëmijëve që punojnë në sektorin e bujqësisë. Ndërsa, nga Ministria e Bujqësisë kanë konfirmuar për Buletinin Ekonomik se as ata si ministri nuk posedojnë të dhëna për numrin e saktë të fëmijëve të angazhuar në punët në bujqësi, por duke qenë se Kosova është e dominuar nga ferma të vogla të pamodernizuara, mungesa e kushteve në ekonomitë familjare thonë se u pamundëson atyre të angazhojnë punëtorë sezonal me pagesë, dhe prandaj ata detyrohen të angazhojnë fëmijët e tyre me punë në bujqësi, duke lënë të nënkuptohet kështu se një numër mjaft i lartë i fëmijëve në vend shfrytëzohen për punë bujqësore nëpër fshatra.
Sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për vitin 2022, rreth 19 mijë e 650 fëmijë (apo 5.3% e të gjithë fëmijëve të Kosovës) janë të përfshirë në punë të fëmijëve. Kjo shifër është pak më e lartë për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës, që shkon deri në 7 përqind (apo 534 fëmijë).
Por, shumica e punës së fëmijëve në Kosovë– si për djemtë ashtu edhe për vajzat –vazhdon të shfaqet në sektorin e bujqësisë, ndonëse joformalisht.
Sipas hulumtimit të fundit të ILO-s për vitin 2023, puna e fëmijëve në Kosovë është e pranishme në sektorin e bujqësisë me rreth 40 përqind të familjeve në zonat rurale që angazhojnë adoleshentët e moshës 13 deri në 17 vjeç në punë bujqësore. Ndërsa, puna e fëmijëve që përfshin fëmijët e moshës 5 deri në 12 vjeç është e pranishme në 10 përqind të familjeve kosovare nëpër fshatra.
Nga ky raport del edhe e dhëna se djemtë adoleshentë në Kosovë kanë gjasa të punojnë më shumë se sa vajzat në këtë sektor dhe se fëmijët më të mëdhenjë në moshë janë më të përfshirë në punë apo punë të rrezikshme.
MES MUNGESËS SË PUNËTORËVE DHE IMPONIMIT
Arta*, një vajzë e re nga rajoni i Prizrenit, ndonëse tashmë ka mbushur 16 vjeç, është marrë me bujqësi që nga mosha 12 vjeçare. Angazhimi i saj, thotë se ka filluar brenda oborrit të shtëpisë së saj, kohë kjo kur ajo kishte filluar t’u ndihmojë prindërve në mbjelljen dhe kultivimin e kulturave bujqësore, kryesisht perimeve në bashqen e tyre.
Kjo punë sipas saj, nuk ka qenë fillimisht imponim pasi me dëshirë është angazhuar, mirëpo më pas, për shkak të keqësimit të kushteve materiale të familjes, ajo thotë se është detyruar vetë të vazhdojë këtë angazhim deri në ditët e sotme, në mënyrë që ‘t’ia ngjesë’ dorën familjes së saj dhe të ketë para për shkollim.
“Tu e pa që me tjetër punë që na sjellë fitim s’kishim me çka m’u marr, ja nisëm bujqësisë, mbjellshum edhe mbjellim pasul me hektarë, misër, kto perimet në bashqe tanat i mbjellim me shumicë, plus bagëtitë që janë kan ni plus tjetër për neve, tani krejt këto produkte më pas i shitshum dhe fitonim të hyra për shkollimin e neve fëmijëve”, rrëfehet Arta.
Babai i Artës dhe i 5 fëmijëve të tjerë, të cilët janë në shkollim që të gjithë, tregon se kushtet e rënda dhe mungesa e një vendi të punës për të, e kanë detyruar që të bëjë një zgjidhje të përkohshme për fëmijët e tij, në mënyrë që t’ua mundësojë shkollimin dhe që ata të mos mbeten pa shkollë dhe pa punë siç ka mbetur ai.
“E kemi pas ni periudhë në familje, kur dy vajzat e mëdha patën shku në fakultet, para katër-pesë vjetve, edhe s’kishim kah ja mbajmë! U dasht me vendos – o shkollë dhe punë bashkë, o veq punë te shpia për krejt familjen, se ndryshe s’kisha qysh me i qu në fakultet pa të ardhuna”, thotë ai.
Arta tregon se edhe pse kanë qenë të angazhuar si fëmijë në bujqësi, mësimin dhe shkollën nuk i kanë lënë anash asnjëherë, pasi prindërit janë munduar në maksimum që kur kanë pasur për të mësuar më shumë, t’i kryejnë vet shumicën e punëve. Ndërsa, sa i përket kohës së lirë dhe aktiviteve të lira me shokët dhe shoqet, ajo thotë se ky fakt e ka bërë të ndihet gjithmonë pak keq, pasi siç tregon ajo – “kam nejt me ves se duhet me shku me ju ndihmu najsen prindve se janë nëpër ara ose me shku me jav ba bukën atyne që janë kanë t’u punu”.
Një pjesë të fëmijërisë sikur Arta në bujqësi, e ka kaluar edhe Miloti*. Mirëpo, për dallim nga Arta, Miloti ka punuar gjithmonë veq pse i ka pëlqyer puna e fshatit.
Miloti* është një djal 17 vjeçar nga një fshat i komunës së Podujevës, i cili që nga mosha 10 vjeçare ka filluar të interesohet për punët e bujqësisë, me të cilat fillimisht është marrë familja e tij.
“Puna ime në bujqësi është kultura e mjedrrës, që si e tillë është mjaft fitimprurëse, megjithëse gjithçka varet edhe nga kushtet klimatike. Nuk është punë e zorshme, normal ka angazhime gjatë stinës së pranverës dhe verës, si p.sh. hjekja e barojave të këqija gjatë pranverës dhe plehërimi i tyre, ndërsa gjatë verës fillon vjelja e tyre, e cila zgjat diku afër 3 muaj. Këtë punë e bëj me kënaqësi, nuk e kam imponim nga askush por e bëjë me qëllim përfitimi nga kjo kulturë, pasi mendojmë ta zgjerojmë si biznes në të ardhmen. Përveç mjedrrave, merremi si familje edhe me bletari. Nuk mendoj që janë punë të rënda fizike për ne si fëmijë, përkundrazi janë punë të lehta për t’u bërë dhe gjithmonë jam nën mbikqyrje të prindit për ndonjë rrezik”, tregon në detaje punën e tij – Miloti.
Por, ai thekson se puna që e bënë nuk e ka ndaluar asnjëherë që ta ndjekë mësimin dhe as ta lërë anash kohën e lirë dhe aktivitetet zbavitëse me shokët, ndoshta për shkak se volumi i këtyre dy punëve që bën ai, është më i theksuar gjatë muajve të verës kur janë në pushim dhe jo gjatë kohës kur zhvillohet viti shkollor.
SHKAQET E PUNËS SË FËMIJËVE
Ka shumë arsye që i shtyjnë fëmijët drejt punës, sidomos në bujqësi, mirëpo faktori kryesor vazhdon të mbetet varfëria e madhe në mesin e familjeve kosovare.
Në raportin e fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), që fokusohet kryesisht në punën e fëmijëve në bujqësi, thuhet se shkaqet kryesore të punës së fëmijëve lidhen me dinamikën e familjes dhe gatishmërinë e fëmijëve për të kontribuar në të ardhurat e familjes. Sipas këtij raporti, familjet eknomikisht të privuara kanë më shumë gjasa të angazhojnë fëmijët e tyre në punë potencialisht të rrezikshme bujqësore.
Sa i përket rajoneve në Kosovë, nga anketimet e ILO-s në terren del se familjet nga Ferizaji i angazhojnë adoleshentët më së shumti në punë bujqësore (88%), pasuar nga Peja (47%) dhe Prizreni (42%). Kurse për angazhimin e fëmijëve nën 12 vjeç, prin Gjilani (15%), pastaj Ferizaji (13%) dhe Prishtina (11%).
Prandaj, sipas ILO-s, profili më i mundshëm i fëmijës punëtor në Kosovë është një djalë i moshës 12 deri në 14 vjeç nga ekonomitë familjare më të varfra në zonat rurale të Ferizajt apo Gjilanit.
Megjithatë, sipas një raporti më të vjetër të ILO-s (2010), përveç varfërisë, ka edhe shumë faktorë të tjerë që kontribuojnë në punën e fëmijëve, siç janë:
Qëndrimi përkrahës ndaj punës së fëmijëve – Prindërit (mësuesit dhe shoqëria në përgjithësi) mund ta shohin punën e fëmijëve si pjesë e edukimit të tyre, veçanërisht kur arsimimi ekzistues nuk ofron përfitime ekonomike për të rinjtë;
Mungesa e qasjes në arsim – kostot e drejtpërdrejta dhe indirekte të edukimit (përfshirë këtu uniformat shkollore, librat dhe pajisjet shkollore, si dhe udhëtimin për në shkollë) janë shumë të larta për prindërit që të mundësojnë ndjekjen e shkollës nga fëmijët;
Diskriminimi – minoritetet apo komunitete të caktuara kanë më pak qasje në arsim apo në tregun e punës, prandaj edhe kjo shton mundësinë që këta fëmijë të kryejnë detyra (punë) të caktuara që në moshë të re; si dhe
Përhapja e sektorit joformal dhe mungesa e zbatimit të ligjit – Edhe mungesa e kontratave të punës dhe e së drejtës së krijimit të asociacioneve/negociatave kolektive në sektorin joformal, e bën më të vështirë mbrojtjen e fëmijëve nga kushtet abuzive të punës, si dhe vetë identifikimin e fëmijëve që punojnë.
PUNA E FËMIJËVE DHE SHKOLLIMI
Faktori më i rëndësishëm që ndihmon në përcaktimin e efekteve afatgjata të punës së fëmijëve, është padyshim shkalla në të cilën puna ndërhyn në edukimin dhe zhvillimin e tyre.
Fëmijët e përfshirë në punën e fëmijëve zakonisht ose janë të privuar plotësisht nga shkollimi ose shpenzojnë shumë më pak kohë në aktivitete edukative. Kjo, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, do t’iu jepte disavantazh atyre për sa i përket aftësisë së tyre për të fituar arsimimin dhe aftësitë e kërkuara për një punësim më fitimprurës kur të arrijnë moshën madhore.
Në Kosovë, rreth 96 përqind e e fëmijëve të moshës 5 deri 14 vjeç dhe 92 përqind e atyre të moshës 15 deri në 17 vjeç vijojnë shkollimin, ndërsa vetëm 1 përqind nga grupi i parë dhe 2 përqind nga grupi i dytë, janë të angazhuar ekskluzivisht vetëm në aktivitete ekonomike nëpër zonat rurale.
Një karakteristikë interesante e ekonomive familjare që del si e dhënë nga një raport i vitit 2022 nga ILO, e që lidhet me gjasat që fëmijët të përfshihen në punën e fëmijëve, është edhe formimi arsimor i kryefamiljarit. Sipas këtij raporti, nëse fëmija vjen nga një ekonomi familjare me një kryefamiljar me arsim të lartë, ka më pak gjasa që ai të ekspozohet ndaj punës së fëmijëve. Supozimi themelor është se të rriturit në atë ekonomi familjare janë më mirë të informuar për të ndihmuar fëmijët e tyre për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin e tyre të rritjes së të ardhurave, sepse ata janë më të vetëdijshëm për përfitimet e arsimit. Në të kundërtën, fëmijët në ekonomitë familjare ku kryefamiljari nuk ka pasur arsimim, kanë më shumë gjasa të jenë në punën e fëmijëve.
Raporti i ILO-s (2022)
Pra, sa më pak e pasur financiarisht dhe edukativisht të jetë ekonomia familjare, aq më të rrezikuar janë fëmijët nga puna e fëmijëve në përgjithësi në Kosovë.
Llojet më të zakonshme të punës që kryejnë fëmijët në sektorin e bujqësisë në Kosovë, sipas anketimeve të bëra së fundmi nga ILO, përfshijnë kryesisht kultivimin e kulturave bimore me një përqindje prej 94%, pastaj angazhimin në rritjen dhe kujdesin për bagëtitë 47%, dhe angazhimi i fëmijëve në trajtimin dhe aplikimin e pesticideve të ndryshme, që përbën 16% të angazhimit të këtyre fëmijëve në punët bujqësore. Ndërsa, punë tjera në këtë sektor përmenden: kujdesi i përditshëm për pulat (31%), ujitja (15%), mbjellja dhe bluarja (15%), puna në vreshta (8%), prerja e drunjëve dhe transporti (15%) dhe puna me koshere bletësh (8%).
KORNIZA LIGJORE MBI PUNËN E FËMIJËVE NË KOSOVË
Kosova ka ligje specifike në fuqi që mbrojnë të drejtat e fëmijëve dhe adresojnë punën e fëmijëve në sektorë të ndryshëm, mirëpo mbetet në pikëpyetje zbatimi i plotë i tyre.
Ligji Themelor i Punës në Kosovë (Nr. 03/L –212) ndalon punën e fëmijëve në çdo sektor nën moshën 15 vjeçare, me qëllim që ata të kenë mundësi të ndjekin arsimin e detyruar. Megjithatë, ata nga mosha 15 deri 18 vjeç mund të punësohen për punë të lehta që nuk paraqesin rrezik për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Sipas këtij ligji, mosha 18 vjeçare është e përcaktuar si bazë për futjen në punësim të rrezikshëm.
Tutje, Kodi Penal i Kosovës (Ligji Nr. 03/L-002), sipas nenit 211 parasheh gjobë dhe burgim nga një deri në tri vjet për çdo prind apo kujdestar të fëmijës, që e detyron fëmijën të punojë në mënyrë të tepruar ose të kryejë punë që rrezikojnë zhvillimin e fëmijës.
Ndërkaq, Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve (LMF) synon t’i mbrojë fëmijët nga të gjitha format e abuzimit, shfrytëzimit apo formave të tjera që rrezikojnë shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës.
Specifikisht, në pikën 1.13. të nenit 3 të këtij ligji, thuhet se “Puna e ndaluar për fëmijë – është puna apo aktiviteti i cili dëmton sigurinë, shëndetin, moralin dhe zhvillimin psikofizik të fëmijës, si rezultat i mungesës së përvojës dhe njohurive për kryerjen e punëve dhe detyrave të punës”.
Gjithashtu, ky ligj i jep mandat Inspektoratit të Punës për monitorimin e punësimit të fëmijëve në çdo sektor, për të garantuar mirësjelljen, sigurinë dhe kushtet e punës.
Mirëpo, sipas Raportit Vjetor të Inspektoratit të Punës për vitin 2022, sektori i bujqësisë në Kosovë është sektori më i pa-inspektuar. Nga numri total i inspektimeve të punëtorëve nëpër sektorë të ndryshëm në vend, bujqësia merr pjesë me vetëm 0.13% të inspektimeve nga ky institucion më 2022.
Madje, në këtë raport shihet qartë se edhe intensiteti i inspektimeve në periudhën sezonale kur punët bujqësore janë më të theksuara, bie për dyfish më pak.
Buletini Ekonomik ka provuar të marrë përgjigje direkte edhe nga Inspektorati i Punës rreth numrit të punëtorëve “fëmijë” që punojnë në sektorin e bujqësisë e që janë të formalizuar, dhe nëse të njëjtit inspektohen nga ky Inspektorat, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Kurse, Udhëzimi Administrativ për Parandalimin dhe Ndalimin e Menjëhershëm të Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve (17/2008) përfshin sektorët e rrezikshëm dhe aktivitetet e përgjithshme të rrezikshme që të ndalohen si çështje me prioritet në Kosovë.
Disa prej aktiviteteve bujqësore që janë të ndaluara rreptësisht për fëmijët në Kosovë sipas këtij Udhëzimi, përfshijnë: ujitjen dhe përdorimin e pesticideve, operimin me makina bujqësore, përfshirja në aktivitete të korrjes dhe shirjes, punë të rënda fizike nga hapja e gropave për pyllëzim dhe prerja e drunjëve. Përveç këtyre, edhe aktivitetet në thertore, puna në objektet e përpunimit të mishit, gjuetia, vjelja e pemëve, puna në serra dhe bletaria, janë gjithashtu punë të ndaluara për fëmijët deri në 18 vjeç.
NDIKIMI I PUNËS NË BUJQËSI NË ZHVILLIMIN PSIKO-SOCIAL TË FËMIJËVE
Puna e fëmijëve paraqet rrezik dhe si e tillë është e dëmshme për zhvillimin mental, fizik, social dhe moral të tyre.
Duke e ditur se secili fëmijë i ka specifikat e veta të psiko-zhvillimit, të aspektit të zhvillimit mendor dhe fizik në përputhje me moshën dhe me veprimtarinë që duhet t’i bëjnë fëmijët, përfshirja në edukim, përfshirja në aktivitete edukative/rekreative joformale në shtëpi, koha e lirë dhe relacioni familjar-prindëror, janë më se të domosdoshme.
Blerim Shabani, sociolog, vlerëson se fëmijët të cilët janë të detyruar të bëjnë forma të rënda të punës në çfarëdo sektori, përjetojnë edhe forma të abuzimit fizik dhe psikologjik.
“Rreziku nga përjetimet e abuzimit emocional dhe fizik janë të pashmangshme në këto raste, sikurse shkëputja nga aspekti i edukimit dhe i shkollimit në përputhje me nevojat e fëmijës, sepse një fëmijë i cili obligohet dhe shtyhet ose detyrohet të ekspozohet ndaj punëve të rënda, ka për ta lënë anash pjesën e aspektit të edukimit dhe të shkollimit, d.m.th., puna afekton për të keq aspektin e arritjeve në mësimnxënie dhe në shkollim e edukim të fëmiut”, thotë ai.
Sipas tij, punët e rënda të fëmijëve mund të kenë ndikim të jashtëzakonshëm edhe në zhvillimin fizik të tyre, si rrjedhojë e bartjes së peshave të rënda.
Ai përmend edhe disa prej rreziqeve që mund t’iu kanosen fëmijëve në punë, si: mundësia e lëndimeve serioze që ndonjëherë përcillen edhe me pasoja afatgjate, mundësia e vdekjes nga makineritë, djegiet, gjymtym të pjesëve të trupit etj.
Por, përveç këtyre, sipas Shabanit, puna në fëmijëri ka gjasa që t’ua ulë edhe nivelin e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit fëmijëve, sepse nëse ai detyrohet gjithnjë vetëm të punojë, atij i bëhet psikologjike dhe ai nuk beson që mundet me qenë i mirë në mësime, shembull “shkon në shkollë-fëmijët e tjerë në përputhje me moshën japin rezultate, ai nuk jep rezultate, që rezulton me pas rënie të nivelit të vetëbesimit, dhe e bën atë për mos me besu në vlerat e veta që unë mundem, unë di, unë mund ta bëjë etj”.
“Gjithashtu, edhe koha e munguar e lirë ndikon shumë në gjendjen dhe zhvillimit e fëmijëve. Fëmiu duhet që të ndihet pjesë e një dinamike të grupit. Dhe të gjitha këto, mund të ndikojnë në ngecjen e tij në arritjet në shkollim, në vetëbesim, rezultate të dobëta në shkollë, raporte apo relacione të dëmtuara fëmijë-prind, e deri tek një fëmijë me potencial që nesër nuk do të jetë një njeri i cili mund të arrijë të gjitha rezultatet në jetë”, shton tutje Shabani.
Sipas sociologut Shabani, puna e fëmijëve në Kosovë fatkeqësisht ende varet edhe nga niveli i edukimit kolektiv, pasi në kohërat më të hershme, puna ka qenë frymë e përgjithshme e edukimit të fëmijëve, sepse prindërit dhe gjyshërit kanë menduar që fëmija duke punuar edukohet, forcohet dhe përgatitet për jetën e mëtutjeshme, gjë që sipas tij, është vetëdije e gabuar.
Ndërkohë, nga KOMF thonë se në Kosovë – fëmijët e shfrytëzuar për këto punë mund të identifikohen, por sistemi qeveritar ende nuk i ka prioritizuar për t’u ofruar atyre mbrojtjen dhe shërbimet e nevojshme.
Sipas tyre, institucionet publike ndërmarrin veprime/aksione sporadike, të herëpashershme, mirëpo nuk ka vullnet të mjaftueshëm apo të ndërgjegjësuar në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda. Kjo sipas KOMF-it, vihet re që nga mungesa e planifikimit buxhetor dhe nga mungesa e shërbimeve apo alternativave të cilat do t’i mbronin dhe tërhiqnin fëmijët nga punët e rënda.
Nga KOMF kanë pohuar për Buletinin Ekonomik se fëmijëve të përfshirë në punë, gjithmonë iu ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe jetën. Sipas tyre, ata janë vazhdimisht edhe të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, abuzimin fizik dhe emocional, mungesën e qasjes në arsim, rrezikun për abuzim apo trafikim e deri tek kanosja e jetës së fëmijës. /Buletini Ekonomik/
-Arta* dhe Miloti* janë emra fiktivë, duke marrë parasysh moshën e mitur. Të njëjtit janë intervistuar me pëlqimin e prindërve.
Deklaratë mohuese:
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.