Në mbledhjen e 174-të të Qeverisë së Kosovës, u miratua Projektligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, i hartuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Sipas njoftimit nga MINT, Projektligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues ka për qëllim krijimin, funksionimin, administrimin e regjistrit të pronarëve përfitues, përcaktimin e obligimeve të personave fizikë dhe subjekteve të detyruar të cilët regjistrojnë informacionin e pronësisë përfituese në regjistër, si dhe përcaktimi i masave ndëshkuese në rast të mosrespektimit të dispozitave të këtij ligji.
MINT përmes krijimit të regjistrit të pronarëve përfitues synon të arrihet rritja e transparencës së pronësisë përfituese si dhe identifikimi i pronarëve përfitues me qëllim që të dekurajohen personat juridik dhe marrëveshjet ligjore potenciale të ardhshme, të cilët kanë si qëllim fshehjen e identitetit të pronarëve përfitues dhe kryerjen e veprimtarive të paligjshme në Kosovë.
“Përmes miratimit të këtij Projektligji, Republika e Kosovës i bashkohet grupit të shteteve të cilat zbatojnë standardet e larta për transparencën e pronësisë përfituese dhe luftimin e krimeve ekomomike”, thuhet tutje në njoftimin e ministrisë.