Rekord i ri i depozitave të kosovarëve pa mirënjohjen më të vogël të bankave

Në Kosovën e vogël territorialisht dhe për nga numri i popullsisë, sivjet kursimet kanë arritur ngritje kulminante dhe rekorde. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të shpallura në Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve, shuma e parave të kosovarëve në bankat komerciale të vendit ka arritur në 5.89 miliardë euro, dhe kjo shumë parash vlerësohet si më e larta që është shënuar deri më tani. Pse bankat komerciale që afarojnë në Kosovë, nuk janë treguar asnjëherë mirënjohëse ndaj kosovarëve kursimtarë?

Mehmet GJATA

Dita e fundit e tetorit, tash e gati një shekull, më saktësisht që nga 31 tetori 1924, kur u mbajtë Kongresi i parë Ndërkombëtar i Bankës së Kursimeve në Milano të Italisë, shënohet kudo në botë si Dita Botërore e Kursimeve.

Dhe kjo kremtë që nga atëherë rikthen kujtesën e publikut për rëndësinë e kursimit të parave, pa lënë anash qëllimin për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për kursimin e parave në banka, në vend të mbajtjes në shtëpi.

Reklama e sponzorizuar

Edhe në Kosovë, bazuar në shumën e kursimeve të qytetarëve (lexo: depozitave të kosovarëve) në bankat komerciale të themeluara dhe të ngritura, të gjitha 12 sosh, në periudhën pas luftës së fundit, kursimi dhe deponimi i parave në banka në vend se të mbahen “nën jastëk” ka zënë të jetësohet goxha me ritëm të avancuar. Ky fakt flet për vetëdijësimin e kosovarëve për nevojën e të kursyerit nëpërmjet deponimit të parave në banka, dhe për të mirat që sjellë ky kursim, në radhë të parë për mirëqenie më të sigurtë për të ardhmen, për krijimin e parakushteve për standard më të lartë brenda familjeve dhe për të ardhmen e brezave të familjeve kursimtare.

Por, tashmë është dëshmuar se deponimi i kursimeve në banka ka ndikim të madh edhe në zhvillimet ekonomike të një vendi, natyrisht nëse ekziston bashkëpunimi real dhe i sinqertë i bankave dhe shtetit ku ato afarojnë nëpërmjet qarkullimit të këtyrë parave duke angazhuar ato në procese zhvillimore.

Duhet thënë se në Kosovën e vogël territorialisht dhe për nga numri i popullsisë, sivjet kursimet kanë arritur ngritje kulminante dhe rekorde. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të shpallura në Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve, shuma e parave të kosovarëve në bankat komerciale të vendit ka arritur në 5.89 miliardë euro. Kjo shumë parash vlerësohet si më e larta që është shënuar deri më tani.

“Depozitat e klientëve në shtator 2023 kanë shënuar rritje për rreth 14.63 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Vlera e depozitave në shtator 2023 arriti vlerën 5.89 miliardë euro”, thuhet në një raport të BQK-së.

Rreth 25% e kursimeve janë me afat.

“Ekonomitë familjare dominojnë me rreth 66.5% të totalit të depozitave (apo rreth 3.88 miliardë euro). Vlera e depozitave të reja në muajin shtator ishte 87.02 milionë euro”.

Këto janë të dhëna imponuese për një vend të vogël siç është Kosova, dhe parakusht i qenësishëm për afarizmin e suksesshëm të bankave të këtushme, fitimin enorm neto të tyre.

Megjithkëtë, bankat komerciale që afarojnë në Kosovë (12 sosh, 9 prej tyre të jashtme), së paku deri më tash nuk janë treguar asnjëherë mirënjohëse ndaj kosovarëve kursimtarë. Ato thjesht, asnjëherë, nuk përfillën parimin “ku të merrësh, duhet edhe për të dhënë). Asnjëherë, thuaja nuk investuan ndonjë shumë parash në ndonjë projekt zhvillimor, të fituara kaq lehtësisht në Kosovë, nuk shpërfaqën thuaja asnjëherë ndonjë interesim evident për të përkrahur shkollimin e të rejave dhe të rinjve të këtushëm nëpërmjet ndonjë numri të shënueshëm bursash, nuk u dëshmuan me ndonjë donacion të dobishëm dhe me efekte zhvillimore, siç veprohet kudo në botë.

Përkundrazi, këto banka, ngarendën në vazhdimësi pas fitimeve enorme, pa zgjedhur mjete – duke rritur jashtë çdo logjike afariste kamatat për kredi, duke shfrytëzuar deponimet kolosale të kursimeve kosovare me kamata minimaliste, fare simbolike, dhe duke dërguar këto shuma parash të fitimeve gjithnjë dhe pa asnje pengesë në vendet e origjinës.

Është i vërtetë, pra fitimi enorm i bankave komerciale në Kosovë (në çdo vitë fitim neto dukshëm i rritur, ndërsa sivjet deri në gusht, sipas raporteve të BQK-së, fitimi neto ka arritur në 113 milionë euro) dhe që është rezultat i kushteve joreale të favorshme të afarizmit të tyre, dhe në asnjë mënyrë të ndonjë menaxhimi të veçantë për t’u veçuar.

Edhe më tutje, në tregun bankar të Kosovës vazhdon të shfrytëzohet nga bankat favori i madh i shfrytëzimit të diferencës së madhe ndërmjet kamatave në kredidhënie dhe kamatave në paratë e deponuara. Me fjalë të tjera, bankat komerciale të Kosovës edhe më tutje vazhdojnë ta mbajnë të palëkundur dhe të pandryshuar çmimin e ‘prodhimit bazik”, të tyre, gjegjësisht të parasë, shumës së tyre pakuptueshëm të madhe, në mënyrë që të realizojnë marzhën neto të kamatave sa më të lartë, që do të thotë të krijojnë sa më shumë profit. Ndërkohë, vazhdojnë të aplikojnë kamata të ulëta, fare simbolike, për paratë e kosovarëve të deponuara si kursim në këto banka. Kjo lehtësisht vërehet po qe se krahasohen kamatat e kredive në shumë shtetet të Europës që sillen mesatarisht nga 4 deri në 4, 75 për qind, në shumë raste në banka të caktuara në Europë, ndodhë të ketë kamata edhe më të ulëta, për kredi, me shkallën e kamatave kreditore të bankave komerciale të Kosovës, të cilat tani së fundi tejkalojnë 6,5 për qind e më shumë dhe shkojnë deri në 6,7 për qind.

Ndërkohë, siç dihet, kamatat për paratë e deponuara në banka sillen përafërsisht nga 1, deri në 1,5 për qind, që janë, po kështu ndjeshëm më të ulëta se në shumë shtete europiane. Ky fakt flet se si bankat komerciale në Kosovë arrijnë lehtësisht të krijojnë fitimet enorme të larta. Ndërkohë, dihet se bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare (IMF-të) në Kosovë, gjithnjë kanë qenë qind për qind të pavarura dhe sovrane edhe në përcaktimin e çmimeve të produkteve të tyre bankare, pavarësisht se formalisht e kanë pasur që nga fillimi kupolën e quajtur Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që do të duhej edhe ligjërisht të jetë si një supervisor, kontrollor, apo, së paku, një si vëzhgues i zhvillimeve bankare dhe të afarizmit të të gjitha bankave që afarojnë brenda republikës.

Por, deri më tash, është dëshmuar keqpërdorimi i shpeshtë nga këto banka (praktikisht nga të gjithat) i “sovranitet” të tyre, sidomos në vendosjen e çmimeve të produkteve bankare (kamatave dhe të çmimeve të shërbimeve), të mbajtura gjithnjë ndër më të lartat në Europë dhe në Ballkan, dhe të ngritura edhe më shpesh se kudo tjetër në botë.

Bankat komerciale në Kosovë dhe IMF-të, duke keqpërdorur pafundësisht dhe në shumë raste pavarësinë e tyre, në këto vite, por edhe në këtë vit i ngritën çmimet e shërbimeve bankare sa deshtën dhe kur deshtën, sikundër edhe kur deshtën dhe sa deshtën përcaktuan kamatat për të të gjitha llojet e kredidhënies.

Ndërsa, fitimet e mëdha të këtyre bankave, (edhe sivjet deri në gusht kanë shënuar fitim rekord prej 113 milionës eurosh), është kryekëput rezultat i çmimeve rekorde të larta të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta. Bankat komerciale në Kosovë, siç është kumtuar me dhjetëra herë sivjet, deri në këtë kohë, kanë shtrenjtuar normat e interesit për kredi, ç’ëhtë e vërteta në përqindje të ulëta dhe pak të vërejtshme nga publiku, por ngritja e çmimeve bankare ka ndodhur disa herë.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), norma e interesit për kredi në muajin qershor 2023 ka arrit në 6.5 për qind, derisa në fillim të vitit kanë qenë 6.1 – 6.2 për qind. Dhe si rrjedhojë, siç theksojnë njohësit e zhvillimeve bankare në vend, bankat vazhdojnë t’i rrisin edhe fitimet e tyre enorme për çdo muaj.

Sipas Raportit të Sistemit Financiar për muajin qershor 2023 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), fitimi i pastër i bankave për gjashtë muajt e parë të vitit 2023 ka qenë 82.6 milionë euro. Ndërsa depozitat deri në muajin shtator 2023, siç u tha më lartë, kanë shkuar në 5.89 miliardë euro.

Gjatë vitit 2022, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, sektori bankar ka arritur të sigurojë profit të lartë financiar, 140.3 milionë euro apo rreth 23 milionë euro më shumë se në vitin 2021. Sivjet, me këtë ritëm të realizimit të fitimeve, në fund të vitit ka mundësi të ndodhë që fare lehtë të tejkalohet neto fitimi 200 milionësh.

Po e ripërsërisim se sektori bankar në vendin tonë, vazhdimisht, ndër vite, shquhet me fitime enorme neto, por të arritura kryekëputë nga çmimet e shtrenjta të produkteve bankare, të cilësuara tashmë nga ekspertët dhe nga statistikat zyrtare, ndër më të lartat nga shtetet e rajonit dhe të Eurpoës, gjithsesi. Dhe, duhet thënë, por edhe përkujtuar edhe klientelën edhe BQK-në, se fitimet e mëdha në të gjitha periudhat e vitit (tremujore, gjashtëmujore, nëntëmujore, dhe vjetore) të këtyre bankave, siç u tha më lartë, janë kryekëput rezultat i çmimeve shumë të larta deri në stratoferë të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegal, të institucioneve mikrofinanciare. Këto janë të dhënat të afarizmit të bankave komerciale të Kosovës, të shpërfaqura në Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve. Dhe, edhe në këtë ditë deponimet e kosovarëve në këto banka shënuan rekord të ri, natyrisht pa asnjë mirënohje të bankave komerciale. /Buletin Ekonomik/