Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se ka arsye të dyfishtë t’i gëzohet përurimit të tuneleve 6 dhe 7 dhe rihapjes së linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë-Kosovë.
Sipas saj, ndërmarrja Infrakos po vazhdon ndërtimin e infrastrukturës me përkrahje të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë e Ambientit.
Ndërsa, në anën tjetër siç theksoi ajo “jemi në një pikë ku mund të themi se ndërmarrja publike Infrakos, të cilën e mbikëqyrim ka shënuar përmirësime të dukshme në menaxhim dhe në qeverisje koorporative”, ka thënë ajo.
Sipas saj, me njerëz të rinj në bordin e drejtorëve dhe menaxhmentin e lartë Infrakos ka punuar me përpikëri drejt caqeve të qarta, përmes një rruge që nuk është e lehtë.
“Përgjatë këtij viti është bërë më shumë punë se sa është bërë në tërë jetëgjatësinë e projektit para saj, andaj falënderoj bordin dhe menaxhmentin e Infrakos-it. Për gjatë kësaj kohe është rritur dhe eficiença e operimeve. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit të hyrat janë rritur për 23 për qind, kurse arkëtimi i borxheve është përmirësuar përmbi 34 për qind. Infrakos-i po ashtu ka zvogëluar shpenzimet për 89 për qind. Ka përfunduar ristrukturimi”, u shpreh Rizvanolli.