Rritja e drastike e çmimeve, Autoriteti i Konkurrencës intensifikon punën për monitorimin e tregjeve

Fotografi ilustruese

Qytetarët vazhdimisht po ankohen për rritjen e çmimeve në vend. Kjo gjë u konfirmua edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Sipas tyre vetëm në muajin tetor çmimet e konsumit janë rritur për 3.3% nëse e krahasojmë me muajin e njëjtët të vitit paraprak. Nga Autoriteti i Konkurrencës kanë konfirmuar për Express se kanë pranuar ankesa për çështjen e çmimeve, teksa bënë të ditur se kanë intensifikuar punën në monitorimin e tregjeve.

Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka pranuar ankesa të shumta rreth çmimeve të disa produkteve në tregun e Kosovës. Në një përgjigje për Express, nga ky institucion kanë thënë se kanë intensifikuar monitorimin e tregjeve.

Kjo për shkak të sigurimit që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Reklama e sponzorizuar

“Kohëve të fundit, në Autoritetin e  Konkurrencës së Republikës së Kosovës (AKRK), janë adresuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës. Natyrisht, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër, duke bërë vizita në terren, grumbullimin e të dhënave nga ndërmarrjet e sektorëve të ndryshme dhe të dhënat nga Autoritetet Publike. Përveç kësaj, AK në vazhdimësi është duke avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.

E vazhdimisht qytetarët janë duke ankuar për rritje të çmimeve të produkteve në vend,

Së fundi, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë muajit tetor të këtij viti, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur për 3.3 për qind, krahasuar me muajin tetor të vitit të kaluar.

Inflacioni më i madh ka qenë te perimet me 15.9 për qind, pemët me 12.1 për qind, ndërsa mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme shtëpiake me 11.1 për qind.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: perimet (15,9%), pemët (12,1%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (11,1 %), gjërat dhe pajisjet tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (8,4%), prodhimet ushqimore (7,5%), pijet joalkoolike (6,9%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (6,9%), pijet alkoolike, duhani (5,6%), rekracioni dhe kultura (5,3%), mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë (5,1%), blerja e automjeteve (4,9%), buka dhe drithërat (4,7%), restorantet dhe hotelet (4,1%), veshje dhe këpucë (3,5%), mallrat dhe shërbimet e ndryshme (3,2%), energjia elektrike, gaz dhe lendet djegëse të tjera (2,6%) dhe mishi (2,1%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,8 për qind në IHÇK-it”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, rënie të çmimeve ka pasur edhe te vajrat dhe yndyrat me 11.3 për qind.

“Rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat dhe yndyrat (-11,3%) , lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj (-9,5%) dhe qumështi, djathi dhe vezët (-1,8%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,5 për qind në IHÇK-it”, thuhet ndër tjera në njoftim.

ASK, ka bërë të ditur se nëse krahasohet tetori i sivjetmë me shtatorin nuk ka pasur inflacion.

“Përkundër mos ndryshimit në muajin Tetor 2023 të Indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit krahasuar me muajin Shtator 2023 vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOPI-it. Rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-1,0%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,1 për qind në IHÇK-it”.