Sa para duhet të keni me vete për të udhëtuar në zonën Shengen?

Kohëve të fundit kemi marr shumë pyetje se sa para duhet ti kemi me vehte ose të deponuara në bankë në mënyrë që të vizitojmë shtetet e zonës Shengen. Duke marr parasysh që #paviza mund të udhëtoni nga 1 janar, 2024 vetëm për vizita afatshkurta turistike ose familjare e atë më së shumti deri në 90 ditë qëndrim në vijim po i japim disa informata praktike.
Si udhëtar/e, me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund tju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj. Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartment apo tek të afërmit tuaj.
Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartment apo çfardo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person.
Akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikëpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë. Derisa, verifikimi i mjeteve të mjaftueshme financiare mund të bëhet në disa forma duke ju kërkuar të tregoni para të gatshme (cash), kartelë bankare, kartë krediti, letër konfirmimi nga një konferencë apo seminar që mbulon shpenzimet tuaja për akomodim e ushqim, dëshmi për pagesën e hotelit apo çfardo konfirmimi a dëshmie tjetër për kostot tuaja gjatë udhëtimit.
Çdo shtet i Shengenit përcakton shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të shteteve anëtare të zonës Shengen të cilat planifikoni ti vizitoni. Pra, shuma ditore dallon nëse vizitoni Greqinë, Kroacinë apo nëse vizitoni Zvicrën apo Norvegjinë. Një tabelë me shumat referente mund ta shihni në këtë link: https://home-affairs.ec.europa.eu/…/reference_amounts…
Për fund, ju nuk keni nevojë të keni të deponuara sasi të caktuar të mjeteve në bankë, por ju duhet të dëshmoni që keni mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin tuaj atje duke përfshirë kostot për kthimin në Kosovë.