Shkon në 123.7 milionë euro profiti neto i bankave në Kosovë vetëm deri në shtator

Vetëm nga janari deri në muajin shtator 2023, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur që t’i shtojnë fitimet e tyre për gjithsej 123.7 milionë euro profit neto.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin shtator të vitit 2023, të hyrat totale në këtë sektor ishin në vlerë të 317.1 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 234.7 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi. Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 193.4 milionë, kurse shpenzimet për interes ishin në vlerë të vetëm 29.1 milionë eurove.

Ndërkohë, normat efektive të interesit në muajin shtator ranë në vlerën 6.5%, nga 6.7% sa ishin në muajin gusht të këtij viti. Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë ishte 6.2%nga 6.3% sa ishte në gusht, kurse për ato konsumuese mbeti poashtu njësoj si në gusht në 6.6%, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare ra në 6.7% nga 7.0% sa ishte në muajin gusht të këtij viti.

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin shtator të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 791.1 milionë nga 4. 729.6 milionë euro sa ishte vlera në gusht. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 847.2 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 911.1 milionë tjera për korporatat jo financiare dhe 15.4 milionë euro për korporatat tjera financiare.

Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, deri në fund të muajit shtator 2023, arritën në 5 miliardë e 853.4 milionë euro, nga 5 miliardë e 838.8 milionë sa ishte vlera e tyre në gusht.

Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 7 miliardë e 95.6 milionë euro.

Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2022, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 140.3 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80-100 milionë euro. 

Ndryshe, në vendin tonë aktualisht janë duke operuar gjithsej 12 banka komerciale, 9 prej të cilave janë banka me kapital të huaj. /Buletini Ekonomik/