Taksa e karbonit pritet ta shtrenjtojë rrymën në Kosovë

Termocentrali Kosova B- Buletini Ekonomik

Mekanizmi i korrigjimit të kufijve të karbonit nëpërmjet taksës konkrete, i miratuar vitin e kaluar nga Bashkimi Evropian në një farë mënyre ka testuar tashmë të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike, veçmas të atyre në bazë të qymyrit, dhe ka vënë në sprovë shumë shtete të botës. Taksa e paralajmëruar e karbonit ka ndikuar tepër shumë në vizionet zhvillimore elektroenergjetike të Kosovës me mungesa evidente të rrymës dhe me rezerva të mëdha të linjitit (12-13 miliardë tonelata të verifikuara janë rezervat e qymyrit në Kosovë, që e renditë vendin tonë të vogël në të pestin në botë për nga rezervat e qymyrit).

Buletini Ekonomik

Ka vite, por sidomos në dy-tre vjetët e fundit flitet me të madhe për taksën e karbonit, që në fakt, siç vlerësohet në mjediset dhe qarqet zhvillimore energjetike, është një instrument kryesor për të ndikuar në frenimin dhe reduktimin, por edhe eliminimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile për prodhimin e energjisë në përgjithsësi, dhe të energjisë elektrike në veçanti. Mekanizmi i korrigjimit të kufijve të karbonit, i miratuar vitin e kaluar nga Bashkimi Evropian në një farë mënyre ka testuar tashmë të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike në bazë të qymyrit veçmas (natyrisht edhe prodhuesit e të gjitha llojeve të energjisë në bazë të lëndëve djegëse të tjera fosile-naftës dhe benzinës), dhe ka vënë në sprovë shumë shtete të botës, ndër to, ka ndikuar tepër shumë në vizionet zhvillimore elektroenergjetike të Kosovës me mungesa evidente të rrymës dhe me rezerva të mëdha të linjitit (12-13 miliardë tonelata të verifikuara janë rezervat e qymyrit në Kosovë, që e renditë vendin tonë të vogël në të pestin në botë për nga rezervat e qymyrit) .

Reklama e sponzorizuar

Thjesht, Kosova, megjithë këtë sasi kolosale të qymyrit, që e ka edhe në sipërfaqe të tokës, është dakorduar me masat paralajmëruese antikarbon të BE-së, prandaj në një farë mënyre, praktikisht tashmë e ka shpallur këtë lëndë djegëse “inekzistente”, sado që është caktuar se masa e taksës së karbonit do të fillojë të “vilet” nga viti 2026 dhe do të përfshijë importet e energjisë me intensitet karboni, që do të thotë edhe prodhuesit e energjisë që emetojnë karbon, respektivisht prodhuesit e rrymës në bazë të qymyrit.

Në Kosovë, duke respektuar rekomandimet e BE-s, por edhe kërcënimet paralajmëruese se përdorimi i qymyrit “mund të sjellë edhe një taksë tepër të madhe për energjinë elektrike të Kosovës”, tashmë në të gjitha vizionet zhvillimore energjetike, edhe në Strategjinë energjetike 2022-2031, ngulmohet në ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, duke e abstrahuar fare, ose duke anashkaluar maksimalisht qymyrin.

Sipas vlerësimeve të asociacioneve energjetike të Europës, por edhe mekanizmave të BE-së, që trajtojnë zhvillime energjetike, vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Kosova, tani përballen me tre opsione rreth minimizimit të përdorimit të qymyrit për të prodhuar energji.. Si fillim, ata nuk mund të bëjnë asgjë dhe të përballen me taksat e karbonit (të ashtuquajtura CBAM) nga viti 2026. Së dyti të prezantojnë çmimin e karbonit për ta përputhur me politikën klimatike të BE-së dhe së treti ta shmangin atë ose të përfitojnë nga një përjashtim në legjislacion – për t’i dhënë hapësirë frymëmarrjes deri në vitin 2030.

“Asnjë prej tyre nuk është zgjedhje shumë e lehtë dhe të gjitha kërkojnë shumë më tepër veprim dhe më shumë vëmendje ndaj kësaj teme”, verësojnë ekspertë e BE-së. Sepse, mos futja e një tregu karboni që i bie mosdëgjueshmëria ndaj rekomandimeve të BE-së, do të nënkuptojë se të ardhurat e realizuara nga qeveria dhe të parapara për t’i riinvestuar në energjinë e rinovueshme, të prodhuar në vend, do të shkojnë në BE në vend të kësaj si ndëshkim dhe sanksione për shkelje të dakordimit dhe marrëveshjeve të miratuara.

Në qarqet energjetike të BE-së mendohet se çmimi i karbonit mund të ndihmojë gjithashtu në krijimin e financimit për tranzicionin. Sipas CEE “Bankwatch”, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të vendosnin çmimin e karbonit me 50 euro për ton – dukshëm më pak se çmimi aktual – ata do të mbledhin rreth 2.8 miliardë euro në vit.

Ndërkohë, zgjedhja e boshllëkut të bashkimit të sistemit të energjisë elektrike me atë të BE-së për të shmangur taksat e karbonit (CBAM) kërkon që një vend të regjistrohet për të respektuar ligjin mjedisor dhe të konkurrencës të BE-së në sektorin e energjisë elektrike dhe të krijojë një skemë të tregtimit të emetimeve deri në vitin 2030. Ky përjashtim ekziston pasi nuk ka asnjë zgjidhje teknike për të gjurmuar se nga vjen energjia elektrike. Taksa e karbonit, duhet thënë, se pos Kosovës, ndikim të madh në zhvillimet energjetike ka edhe në shtetete të tjera të Ballkanit, të cilat, po kështu, janë zotuar se do të mbyllin shpejt termocentralet në bazë të qymyrit. Maqedonia e Veriut është zotuar të mbyllë termocentralet e tij të qymyrit deri në vitin 2027, që do të thotë se do të ndikohet vetëm për një kohë të shkurtër nga CBAM nëse ndërprerja është e suksesshme. Edhe Mali i Zi, i cili rreth 40 për qind të prodhimit të energjisë elektrike e prodhon nga termocentrali me qymyr në Pljevlja, do të ketë vështirësi reale nga teksa e karbonit, sikundër edhe Bosnja dhe Hercegovina e cila ka shumë prodhim të rrymës nga qymyri (rreth 70 për qind) dhe që rreth 20% të prodhimit të saj total të energjisë elektrike e eksporton në BE, bazuar në shifrat 2011-2020. Edhe prodhimi energjisë elektrike në Serbi varet shumë nga qymyri.

Ndërsa, në Kosovë, siç dihet mbi 95 për qind e gjithë prodhimit të rrymës është nga linjiti. Prandaj Kosova do të ketë shumë vështirësi dhe kushtimisht duhet të bëjë shumë sakrifica për të braktisur qymyrin dhe për ta realizuar sa më efektshëm rrugën e tranzicionit të gjelbër, që jo pak qendra vendimmarrëse në Europë e ndërlidhin dhe e vlerësojnë se është edhe rruga drejt BE-së. Në INDEP, duke shpjeguar më detajisht domethënjen e taksës së karbonit, thonë se kjo taksë llogaritet në bazë të sasisë së emetimeve të CO2 gjatë djegies së burimeve fosile, masë kjo që bazohet në të ashtuquajturën përmbajtje karboni të lëndëve djegëse fosile. “Përmes parimit “ndotësi paguan”, taksa e karbonit targeton emetuesit më të mëdhenj të CO2, duke bërë ekonomikisht më pak të favorshme përdorimin e burimeve fosile krahas burimeve të ripërtëritshme”, thuhet në publikimin e fundit të INDEP, me titull “Taksa e karbonit drejt të ardhmes së gjelbër”. Në bazë të vlerësimeve nga INDEP, taksimi ndaj karbonit ka për qëllim të bëjë më të dukshme kostot sociale “të fshehura” të emetimeve të karbonit, të cilat ndihen në mënyrë direkte apo indirekte, siç janë problemet shëndetësore dhe ndryshimet klimatike. Dhe krejt në fund, nga zhvillimet energjetike në Kosovë, po del se nga droja e taksës së karbonit, Kosova tashmë ka heshtë dhe ka “arkivuar’ shume projekte e vizione elektroenergjetike. Ndër to edhe rindërtimin e Kosovës A, të tre blloqeve të saj (A3, A 4 dhe A5), sa parashikohej fillimisht edhe me nisjen e qeverisjes së Qeverisë Kurti dhe tani më nuk bëhet fjalë për tre blloqe, por vetëm për një bllok, për rindërtimin e të clit thuaja nuk është bërë asgjë. Këto pak a shumë janë të mirat, por edhe të kqijat e taksës frikësuese të karbonit, që po reflekton, sidomos te shtetet e pasura me qymyr dhe të varfëra me energji elektrike, siç Kosova./Buletini Ekonomik/