Me ardhjen e ditëve të ftohta dhe të acarta, në Kosovë shpërfaqet shpërputhje ndërmjet prodhimit dhe nevojës për energji elektrike, që do të thotë ka mungesë, herë-herë të ndjeshme dhe të theksueshme të rrymës. Zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti, ka thënë për Buletinin Ekonomik se krahasuar me dyjavorshin e parë të nëntorit, kur konsumi mesatar ditor ishte diku rreth 15 mijë megavatë-orë dhe piku shkonte te 900 megavatëshi, tani në këto ditë të ftohta, konsumi mesatar ditor ka arritur në 17 mijë megavatë-orë ndërsa në orët e pikut ka shkuar në 1.110 megavatë.
Buletini Ekonomik
Struktura e kapaciteteteve prodhuse të energjisë elektrike (rreth 95 për qind e tyre e bazuar në qymyr), por edhe stërvjetërsia e termocentraleve aktuale, sidomos në këto vitet e fundit, kanë bërë që sa herë të ulen temperaturat të shpërfaqen probleme me furnizimin e konsumit të vendit me energji elektrike.
Thjeshtë, me ardhjen e ditëve të ftohta dhe të acarta, shpërfaqet shpërputhje ndërmjet prodhimit dhe nevojës për energji elektrike, që do të thotë ka mungesë, herë-herë të ndjeshme dhe të theksueshme të rrymës, të cilën duhet kompenzuar nga importi i shtrenjtë, ose kushtimisht duhet aplikuar regjim reduktimesh në konsumin e vendit.
Edhe ditët e fundit, me temperatura goxha të acarta (gjatë natës edhe deri në minus 6-7 grad celsius), kanë ndryshuar goxha ndjeshëm “kartën’ elektroenergjetike” të vendit. Për shkak të konsumit më të madh të energjisë elektrike, si rrjedhojë e përdorimit të shumtë të aparaturave dhe stabilimente ngrohëse, gjatë ditëve të fundit , sipas të dhënave të zyrtarëve të KESCO-s, konsumi mesatar ditor ka shkuar në orët e pikut edhe te 1.110 megavatë-orë, shifër kjo që tregon se rritja e konsumit është evidente.
Para disa javësh, konsumi mesatar në Kosovë nuk ka tejkaluar 650 – 700 megavatëshin. Ose siç ka thënë të hënën për Buletinin Ekonomik zëdhënësja e KESCO-së, Margarita Rashiti, krahasuar me dyjavorshin e parë të nëntorit, kur konsumi mesatar ditor ishte diku rreth 15 mijë megavatë-orë dhe piku shkonte te 900 megavatëshi, tani, në këto ditë të ftohta, konsumi mesatar ditor ka arritur në 17 mijë megavatë-orë ndërsa në orët e pikut ka shkuar në 1.110 megavatë.
Sipas zëdhënëses Rashiti, nga 1 nëntori deri më 26 nëntor 2023 janë importuar diku rreth 52,696 megavatë-orë rrymë, ose shndërruar në euro për importin e kësaj sasie të rrymës janë shpenzuar rreth 6.8 milionë euro. Kjo rritje është e madhe, e vrullshme dhe është shumë më shumë se prodhimi i një njësie prodhuese, ta zëmë i Kosovës A, që sillet nga 125-130 megavatë-orë.
Ndërkohë, Buletini Ekonomik ka mësuar se prodhimi aktual në termocentralet e Kosovës është diku rreth 750-780 megavatë-orë. Siç dihet, në punë gjenden të dy blloqet e termocentraleve Kosova B, me kapacitet 260 megavatë secili bllok, dhe dy blloqe të Kosovës A , që kanë kapacitet nga 130 megavatë-orë, ose 260 bashkarisht. Kësaj sasie duhet shtuar edhe një sasi jo shumë e madhe e rrymës së prodhuar nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme që ka aktualisht Kosova, e që janë parqet me erë në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës si dhe disa minihidrocentrale.
Si rrjedhojë e stërvjetërsisë së termocentraleve dhe remonteve të planifikuara dhe të paplanifikuara të shpeshta në to, me qëllim të freskimit sado pak të tyre, termocentralet e Kosovës gjatë muajit shtator të këtij viti kanë prodhuar 18.07 për qind më pak energji elektrike në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Në bazë të “Statistikave të energjisë”, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë muajit shtator të këtij viti janë prodhuar nga termocentralet 376,902 MHË, kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin prodhuar 460,036 MHË, e që i bie që në periudhën e këtij viti prodhimi ka rënë për 18.07 për qind.
Duhet thënë se Kosova, që në vitet e para të pasluftës, e sidomos nga shpërfaqja e krizës energjetike në botë dhe veçmas që nga fundi i 2021-tës, po “paguan haraqin” e politikës së gabuar energjetike të të gjitha qeverive të pasluftës dhe të neglizhencës së skajshme institucionale për të ngritur kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike. Në këtë periudhë u pa dhe u bindën të gjithë se Kosova nuk ka rrymë të mjaftueshme të prodhuar nga kapacitetet e veta (termocentralet ekzistuese dhe ndonjë kapacitet numerikisht i papërfillshëm i energjisë së rinovueshme).
Më konkretisht: një tërheqje e ndonjë njësie ekzistuese të prodhimit qoftë në termocentralet Kosova B, qoftë në Kosova A, për shkaqe të defekteve, ose të riparimeve të planifikuara, përnjëherë ka shkaktuar dhe do të shkaktojë mungesë të ndjeshme të rrymës, të cilën për ta pasur domosdo, Kosova ka qenë e detyruar të importojë, pavarësisht çmimeve rëndom të larta në këto vite, të huazojë nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve për këmbim të energjisë elektrike, ose të reduktojë energjinë në përmasa të territ me orë të tëra. Të gjitha këto kanë ndodhur në këto dy-tre vjet (Kosova ka importuar në shumë raste, ka huazuar, po kështu, në shumë momente nga KESH-i, por edhe ka reduktuar me orë të tëra, në pamundësi të importit dhe të huazimit nga Shqipëria), në periudha të caktuara, e sidomos në muajt e dimrit.
Pasojat e ngecjes zhvillimore në elektroenergjetikë, aktualisht, për shkak të temperaturave të acarta, janë shpërfaqur edhe këtyre ditëve, kur po ndihen mungesa të rrymës, të cilat gjatë ditës për konsumatorët universal, ose qytetarët, siç kanë thënë për Buletinin Ekonomik – zyrtarët e KESCO-s, po kompenzohen nga importi. Por, sado që nuk po deklarohen zyrtarisht, ka edhe reduktime jo të pakta në shumë vende të Kosovës, sidomos në pjesët rurale, prej nga raportimet për terrin e kushtëzuar janë të mangëta gjithnjë. /Buletini Ekonomik/