Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se ka marrë me shqetësim lajmin për çështjet e adresuara nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), përmes njoftimit në mjetet e informimit, në lidhje me obligimet kontraktuale ndërmjet palëve dhe KEK-ut.
Lidhur me këtë çështje, KEK njofton se sipas marrëveshjes për furnizim me shumicë krijon obligim kontraktual, përkatësisht të nominojë (deklarojë) VETËM njësitë gjeneruese që ka në dispozicion në baza ditore dhe atë një ditë para.
Tutje, siç thonë ata, për hirë të korrektësisë dhe qartësimit të opinionit, KEK rithekson se bazuar në kushtet e licencave të gjenerimit, obligimi i KEK-ut mbetet vetëm prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa obligimi i KESCO është FURNIZIMI i konsumatorëve me energji elektrike.
“Andaj, konsiderojmë se adresimi i KESCO dhe KEDS përmes mjeteve të informimit përveç se nuk ka pasqyruar gjendjen reale, ka shkaktuar edhe huti në opinion”, shpjegojnë ata.
“Vlen të theksohet, se KEK në vazhdimësi dhe me përkushtim është duke bërë përpjekje për të përmbushur planin e prodhimit të cilin e ka deklaruar paraprakisht edhe pse në përditshmëri hasim në vështirësi të shumta për shkak të vjetërsisë së njësive gjeneruese. Në rrethana të tilla vazhdimisht i mbajmë të informuar palët përkatëse për çdo ndryshim që identifikohet gjatë operimit me njësitë gjeneruese. Kjo për arsye se është në interesin e KEK-ut që përveç kontributit në sigurinë e furnizimit me energji elektrike, gjithashtu edhe në sigurimin e të hyrave nga shitja e energjisë elektrike për të përmbushur buxhetin e planifikuar:, thuhet në reagimin e KEK-ut.