A ka nevojë për aplikim dhe kur do të dalin 100 euro për fëmijët, tregon Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar për kohën se kur pritet që të dalin shtesat prej 100 euro për fëmijët, sipas vendimit që u mor sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Murati tha se nuk ka nevojë për aplikim për këto shtesa, pasi ato do të ndahen sipas listës ekzistuese të shtesave që marrin fëmijët për çdo muaj.

Tutje, ai tha se për kohën e daljes së këtyre mjeteve do të ketë njoftim të ri.

Reklama e sponzorizuar

“Sa i përket këtyre dy masave nuk ka nevojë për aplikim për ata që janë ekzistues në skema. Të gjithë pensionmarrësit këtë të premte do të marrin pensionet e rregullta, ndërsa ditët në vijim pas përgatitjeve teknike do të njoftohen se kur do të bëhet transferi për shtesën prej 100 euro. Poashtu edhe për nënat dhe prindërit që marrin shtesa për fëmijët, do të njoftojmë me kohë pra gjatë ditëve në njoftim se kur do të procedohet shtesa prej 100 euro e njëhershme për të gjithë fëmijët në kuadër të shtesës së rregullt që ata i marrin shtesat për fëmijët. Transferi bëhet në llogarit ekzistuese”, ka thënë Murati.

Tutje, ministri ka sqaruar të gjithë prindërit se shtesa prej 100 euro do të ndahet vetëm një herë në vit. Ndërkaq, ai tha se shtesat prej 20 euro për fëmijët deri në 2 vjet dhe 10 euro për ata deri në 16 vjet do të jepen çdo muaj, shkruan Gazeta Express.

“Shtesat e fëmijëve pra vazhdohen të merren për çdo muaj, e kjo është çdo vit në fundvit dhe ideja apo synimi që duam ta arrijmë me këtë shtesë kur është dizajnuar ka qenë në një farë formë rimbursimi i TVSH-së për një minimum jetik për gjithë fëmijët e vendit”, ka thënë Murati.

E nga viti i ardhshëm, Murati tha se edhe shtesa vjetore do të ndryshojë varësisht nga të ardhurat e prindit.

“Këtë vit nuk kemi bërë dallime në bazë të të ardhurave, mirëpo nga viti i ardhshëm e më tutje, do të ketë përcaktim të nivelit të shtesës vjetore në bazë të të ardhurave vjetore”, ka thënë ai.