AAK kritikon qeverinë për mospërfillje të kërkesave buxhetore për 2024

Grupi Parlamentar i AAK-së ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për injorimin që i ka bërë kërkesave të partive opozitare dhe agjencive të pavarura në projekt-buxhetin e vitit 2024. 

Deputeti, Pal Lekaj tha se kjo qeveri është qeveri e injorimit, e mashtrimit dhe jo në interes të qytetarëve, por në interes të klaneve të caktuara dhe që nuk përfill asnjë kërkesë buxhetore të cilat janë të domosdoshme për zhvillim ekonomik.

Lekaj theksoi se deputetët e shumicës nuk i kanë dhënë përkrahje asnjë amendamenti të propozuar nga deputetët e AAK-së.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk është përfillur asnjë kërkesë e Aleancës, amendamentet e propozuara nga grupi jonë parlamentar. Nuk është përfillur asnjë kërkesë e agjencive të pavarura dhe institucioneve tjera. Kjo qeveri ka projektuar buxhet për klanet e veta. Qeveri që asnjë kërkesë nuk e ka përmbushur të asnjë organizate buxhetore”, theksoi Lekaj.

Sipas tij, Komisioni për Buxhet duke mos e përfillur kërkesën e Aleancës për ngritjen e koeficientit, i dha një goditje secilit zyrtar të administratës shtetërore, duke përfshirë Policinë e Kosovës.

“Mos buxhetimi i rrugës Gjakovë-Dollc, e diskriminoi edhe njëherë Gjakovën. Mosmarrja në konsideratë e pjesëmarrjes buxhetore për pensionistët, e goditi një kategori tepër të rëndësishme të shoqërisë, dhe mos miratimi i buxhetit shtesë për hulumtim shkencor e tregon logjikën mashtruese të kësaj qeverie”, deklaroi Lekaj.

Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se në projekt-buxhetin për vitin 2024, në 22 komuna të Kosovës nuk është përfshirë asnjë projekt i ri.

Sipas tij, të gjitha kërkesat e komunave janë injoruar nga Qeveria.

“Ky pushtet e ka kthyer buxhetin e Kosovës në buxhet i cili është në shërbim të Vetëvendosjes. Këtij pushteti i duhet opozita vetëm kur i ngushtohet situata në veri apo kur i duhen votat për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Tahiri.