Abuzimi me çmimet në Kosovë “në rënie të lirë”

Mehmet Gjata

Pas shpalljes së refuzimit nga Gjykata Kushtetuese të Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, askush, ama asnjë institucion, as asnjë subjekt politik, apo përfaqësues të këtij populli në Kuvend, as ekspertë dhe as njohës të ecurive të çmimeve në Kosovë, nuk e tha një fjalë të vetme se çka duhet të bëhet për të parandaluar, apo për të zbutur sado pak abuzimin me çmime nga ana e tregtarëve dhe të pasojave nga ngritja e egër e çmimeve, që po vazhdon me ritëm goxha të vrullshëm. Vazhdimin me manipulimin me çmime e pohoi të enjten (më 31 nëntor 2023) edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Mehmet GJATA

Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, i refuzuar ditë më parë edhe nga Gjykata Kushtetuese (më herët, para se të dërgohej nga PDK-ja në këtë gjykatë, refuzohej nga e gjithë opozita, por edhe nga ekspertë të ndryshëm), nuk pati ndonjë rezultat dhe efektet e tij ishin të pavërejtshme.

Po të analizohen mirë e mirë efektet e këtij ligji të miratuar që më 8 nëntor 2022, në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës, për kohën e shkurtër sa ishte në fuqi (derisa u dërgua në Gjykatën Kushtetuese) del të jenë të kundërta me parashikimet dhe qëllimin e tij. Sepse, çmimet, sidomos të disa produkteve themelore ushqimore dhe sidomos të disa produkteve që janë vendore, që prodhohen në Kosovë, jo vetëm që nuk janë ndalur së ngrituri, por janë rritur në mënyrë të përshpejtuar, brenda ditës dhe ditëve edhe gjatë kohës kur ishte në fuqi ligji i shumëpërfolur edhe i shumëpritur dhe i kontestuar sidomos nga opozita.

Reklama e sponzorizuar

Dihet se qëllimi kryesor i këtij ligji ishte eliminimi i efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg dhe parashikohej të zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik që tregtojnë produkte themelore në vend.

“Qëllimi është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit”, kishin thënë me rastin e prezantimit të draftit final të këtij Ligji nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Ndërsa produktet e mbrojtura nga ky ligj parashihej të ishin: drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie.

Dhe, po t’i bëhet sot një vështrim paksa më analitik efekteve të këtij ligji, shihet se Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, ishte fare jo rezultativ, i paefektshëm, sepse thuaja në asnjë rast nuk arriti qëllimin kryesor (eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve) dhe nuk ndaloi “abuzimin me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit nga tregtarët e papërgjegjshëm as nga operatorët ekonomik që tregtojnë produkte themelore në vend.

Këto fakte, pak a shumë janë të vërtetat rreth këtij ligji, refuzimin e të cilit nga Gjykata Kushtetuese e miratoi madje me ekzaltime opozita kosovare, duke ia mveshur meritat për këtë refuzim, natyrisht, vetëvetes, sikur qenka arritur ndonjë rezultat famoz në ecuritë e çmimeve në vend. Por, edhe me këtë rast, pra pas shpalljes së refuzimit nga Gjykata Kushtetuese të këtij ligji, askush, ama asnjë institucion, as asnjë subjekt politik, apo përfaqësues të këtij populli në Kuvend, as ekspertë dhe as njohës të ecurive të çmimeve në Kosovë, nuk e tha një fjalë të vetme se çka duhet të bëhet për të parandaluar, apo për të zbutur sado pak abuzimin me çmime nga ana e tregtarëve dhe të pasojave nga ngritja e egër e çmimeve, që po vazhdon me ritëm goxha të vrullshëm.

Vazhdimin me manipulimin me çmime e pohoi të enjten (më 31 nëntor 2023) edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke theksuar se “manipulimet me çmimet në Kosovë po vazhdojnë, pasi marzha e fitimit për bizneset në disa produkte bazë është mbi 50 për qind”.

Ndërsa, rrëzimin e Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg nga Gjykata Kushtetuese, Hajdari e konestoi duke thënë se “argumentet që i kanë pranuar nga Kushtetuesja nuk qëndrojnë pasi s’ka pasur asnjë shkelje të tregtisë së lirë”.

“Ligji për masat për produktet themelore nuk ka pasur asnjë shkelje të tregtisë së lirë, por ka pasur për të adresuar vetëm manipulime të tregtarëve, jo në përgjithësi por vetëm të disa tregtarëve. Argumentet që i kemi pranua aspak nuk qëndrojnë pasi nuk është e mundshme të shfrytëzohet ligji për rezervën shtetërore në rast se ka çrregullim në treg“, u shpreh Hajdari të enjten në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Dhe, as Hajdari, pos që “qajti” për ligjin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, nuk tha asnjë parashikim as vizion të dikasterit të vet se çka do të bëhet në të ardhmen rreth vënies në binar të ecurive të çmimeve dhe tregtimit më normal të të gjitha produkteve në tregjet e Kosovës. Dhe kjo përkthehet se tregtarët, edhe ata më abuzivët, janë të lirë fare të veprojnë dhe të diktojnë çmimet si të duan dhe si të munden.

Ndërkohë që masa e përkohshme nga Qeveria e Kosovës, sipas së cilës, “marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë prej dy centësh për një litër dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë – dymbëdhjetë centë për një liter”, e vendosur me qëllim të parandalimit të naftëtarëve për të mos fituar aq sa duan nga shitja e naftës, është vetëm një pikë uji në det, pasi që për të gjitha mallrat e tjera, tregtarët do i kenë duart e lira për të caktuar çmimet e tyre.

Duhet thënë se në bazë të reagimeve të menjëhershme të tregtarëve të naftës, ka të ngjarë, që vendimi i Qeverisë, që ka për qëllim parandalimin e çrregullimit në treg me çmimet e naftës, sidomos gjatë muajit të festave të fundvitit, kur bashkatdhetarët tanë vijnë në vendlindje, e gjithashtu me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës, si edhe për të mënjanuar çrregullimet e tjera në treg, të mos u pëlqejë fare naftëtarëve. Ata e vlerësojnë këtë masë si të gabuar dhe jo të drejtë.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, ka thënë me këtë rast se “çdo vendim i Qeverisë duhet të respektohet. Mirëpo është vendim i gabuar, Kosova është treg i hapur dhe i lirë dhe duhet të ketë tregti të lirë. Këtu është një gabim kur po thuhet se ka abuzime me çmimet. Ku janë ato abuzime me çmimet? Në qoftë se ka abuzime me çmimet, atëherë le të dalë Qeveria, më saktë ministria e t’i nxjerr me emër se cilat kompani abuzojnë. Ky vendim është miratuar në kohën kur diaspora vjen edhe ka kompani që i vendosin çmimet e larta. Po qytetari ka mundësi të zgjedhë ku të dëshirojë”.

Dhe, si do që të jetë, po del se trendi i rritjes së çmimeve në Kosovë edhe më tutje, praktikisht, nuk po ndalet. Në këtë mënyrë, nga ngritja e egër dhe e përditshme e çmimeve të të gjitha produkteve, por, gjithsesi, më së shumti nga ngritja e çmimeve të produkteve elementare ushqimore, atyre që përbëjnë shportën dhe që një familjeje i duhen përditë.

Tani, në fillim të dhjetorit 2023, Kosova shquhet me çmime rekorde dhe ndjeshëm më të larta krahasuar me shtetet fqinje dhe të rajonit po se po, por edhe krahasuar me shumë shtete të Europës dhe të botës. Duhet theksuar se tashmë çmimet e larta të shënuara më 2021 në Kosovë, që vlerësoheshin si rekorde, ose ndër më të lartat në dekadat e fundit, janë zbehur, madje nuk kanë mbetur as për t’u përmendur krahasuar me çmimet e reja të ngritura në këta muajt e fundit të këtij viti. Nga dita në ditë kanë ndodhur dhe, akoma në raste papritmas, po ndodhin ngritje enorme çmimesh ttë shumë produkteve, edhe të atyre të “shportës” , që sipas shumë fakteve, ato tashmë kanë tejkaluar çmimet e produkteve të shportës të shumë e shumë vendeve të Perëndimit.

Mielli, sheqeri, vaji, qumështi etj., por edhe vezët, tashmë janë më shtrenjtë në Kosovë se sa bie fjala në Gjermani, në Zvicër, në Itali dhe në disa vende të tjera evropiane. Këtë fakt e dëshmojnë çmimet e këtyre produkteve në raftet e marketeve dhe supermarketeve tona, por edhe të dhënat zyrtare që dalin nga Indeksi i Harmonizuar i Çnimeve të Konsumit (IHÇK) i të publikuar së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK).n/Buletini Ekonomik/