Këtë vit Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka pasur mbi dyfishim të regjistrimit të deklarimit të pasurisë. Në konferencën e fundvitit, drejtori Yll Buleshkaj, ka njoftuar për të arriturat e këtij viti.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit sivjet ka trajnuar mbi 180 zyrtarë për të trajtuar rastet e konfliktit të interesit në institucione.
“I kemi 10.890 deklarime të pasurisë të cilat janë bërë përmes sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë. Kosova është ndoshta vendi i parë në glob, ku me futjen në funksion të deklarimit elektronik, i kemi mbi 99% të subjekteve deklaruese dhe zyrtarëve publik, të cilët i kanë kryer përmes sistemit elektronik”, ka theksuar Buleshkaj.
Tutje ai ka njoftuar se kontrolli i pasurisë do të bëhet për mbi 4 mijë subjekte, proces ky të cilin premtoi se do ta përmbyllin në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkaq Buleshkaj tha se rritje ka pasur edhe te rastet e sinjalizimeve të jashtme, ku sivjet ka 30% më shumë.
“Janë 19 raste të paraqitura si sinjalizime të jashtme, të gjitha janë trajtuar përveç një nga to. Dy janë përcjellë në Prokurori, një rast është dërguar në komunë për procedim të mëtutjeshëm, njëra në Ministri, 11 janë refuzuar për shkak të mos përmbushjes së kritereve ligjore, tri janë mbyllur sepse nuk ka rezultuar që veprimi i raportuar të përbëjë shkelje sipas ligjit”, ka thënë ai.
Në fund të konferencës, Agjencia ka bërë ndarjen e certifikatave për kontributin e partnerëve në përhapjen e misionit të këtij institucioni. Radio Televizioni i Kosovës është vlerësuar si mediumi i vetëm “për kontribut të veçantë në suksesin e punës së Agjencisë për parandalim të korrupsionit në informimin e zyrtarëve publik gjatë vitit 2023”.