Bashkimi Evropian ka mirëpritur nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë Elektrosever.
BE me anë të një komunikate e ka quajtur këtë si një hap të rëndësishëm për zbatimin e plotë të udhërrëfyesit për energjinë.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të udhërrëfyesit për energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i jep fund praktikës aktuale të parregulluar”, ka shtuar ai.
BE-ja ka lavdëruar të gjithë të përfshirët që e bënë të mundur dhe “pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me shpejtësi zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të dialogut në interes të normalizimit të marrëdhënieve”.
Ndërrkaq, KEDS nëpërmjet një reagimi për media ka thënë se ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë.
Ndaj, ata janë shprehur të kënaqur që “kemi arritur këtë moment historik”.
“KEDS njofton se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media.
“Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022”.
Tani, KEDS ka thënë se pret bashkëpunimin me Elektroseverin, “i cili do të jetë sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura”.