Bislimi: KEDS dhe Elektrosever biznese private, vendosin vetë a e publikojnë kontratën për rrymën në veri

Besnik Bislimi
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se nuk ka asnjë paqartësi në kontratën e nënshkruar nga KEDS-i dhe Elektroseveri për rrymën në veri.

Bislimi tha se ato janë biznese private dhe se iu takon atyre të vendosin nëse do ta bëjnë publike kontratën apo jo.

Reklama e sponzorizuar

“Në bazë të marrëveshjes, nga data 1 janar Elektroseveri duhet ta nominojë energjinë elektrike të konsumuar, ndërsa KEDS-i duhet të nominojë humbjet teknike që ndodhin në veri. Për energjinë që Elektroseveri e nominon ata duhet t’i paguajnë tarifat e shpërndarjes dhe tarifat e transmisionit, pastaj është në interes të vetë Elektroseverit që të fillojë grumbullimin e faturave sepse përndryshe, ata do të kenë humbje të mëdha”, tha Bislimi të mërkurën në një intervistë për RTK-në.

Ai tha se pritet që Eltkroseveri të vendosë matësit.

“Kontrata është mes dy entiteteve private dhe i takon atyre të vendosin se a e bëjnë publike apo jo. Është kontratë biznesore mes dy entiteteve legale private, nuk është kontratë e shtetit. Për atë arsye nuk mund të pyetet se përse bizneset nuk i publikojnë kontratat”, tha Bislimi kur u pyet se pse ajo s’po publikohet.

“Por besoj që nëse ftohen në Komision për Ekonomi, ata do të detyrohen t’i japin informatat e tyre”, tha ai.

Bislimi tha se “Elektrosever është regjistruar sipas ligjeve të Kosovës” dhe se “në kontratë është shumë e qartë se ligji i aplikuar është ligji i Republikës së Kosovës”.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njoftoi të shtunën se kompania serbe, Elektrosever, ka nënshkruar kontratë komerciale për energjinë me kompaninë kosovare për distribuimin e energjisë elektrike – KEDS.