Në bazë të të dhënave të deritashme, Kosova në 5-6 vjetët e fundit, vazhdimisht është shquar me borxh të ulët publik – edhe në krahasim me BPV-në, por edhe me shtetet e rajonit dhe të botës. Rreth nivelit aktual dhe ndër vite të borxhit publik, në opinion – ndër përfaqësues të asociacioneve të ndryshme ekonomike si dhe te autoritetetet dhe zyrtarët qeveritar, ekzistojnë mendime të ndryshme dhe divergjente.
Buletini Ekonomik
Borxhi publik në Kosovë, vazhdon të jetë i ulët, madje ndër më i ulëti në rajon dhe përtej. Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve përkatëse të vendit, në fund të gjysmës së parë të këtij viti (qershor 2023), në terma absolut, borxhi publik i Kosovës saktësisht ishte 1.67 miliardë euro, duke shënuar rënie për 2.5 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2022.
Zvogëlimi i borxhit publik, sipas analizave dhe vlerësimeve të ndryshme, kishte të bënte me uljen e borxhit të brendshëm publik me 11.2 për qind, duke arritur nё një miliardë euro, ndërsa borxhi i jashtëm publik shënoi rritje prej 14.7 për qind dhe arriti në 663.9 milionë euro. Borxhi i jashtëm publik përbëhet nga detyrimet ndaj Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim (36 për qind), Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (14 për qind), Fondit Monetar Ndërkombëtar (8 për qind), etj. Ndërsa, borxhi i brendshëm përbëhet kryesisht nga borxhi i Qeverisë së Kosovës ndaj fondeve pensionale (48 për qind), bankave komerciale (22 për qind), institucioneve publike (22 për qind), etj.
Sipas këtyre të dhënave, borxhi publik (1.67 miliardë euro) ra në 17.3 përqind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV-së), krahasuar me të njëjtën periudhë kur ishte 1, 69 miliardë, ose 20,8 për qind të BPV-së. Ky nivel i borxhit publik është larg nga pragu i paraparë me ligj, që është 40 për qind e BPV-së.
Në bazë të të dhënave të deritashme, Kosova në 5-6 vjetët e fundit, vazhdimisht është shquar me borxh të ulët publik, edhe në krahasim me BPV-në, por edhe me shtetet e ranjonit dhe të botës. Sipas shifrave konkrete, më 2018, bie fjala Kosova kishte nivelin e borxhit publik, 17,04 për qind të BPV-së, më 2019, 17, 63 për qind, më 2020- 22,44 për qind, më 2021- 21,53 për qind, më 2022- 19,91 për qind dhe në fund të gjashtëmujorit të parë të 2023-tës – 17,30 për qind të BPV-së.
Kjo shumë e borxhit nuk është e madhe, as e papërballueshme deri më tani për Kosovën e varfër, me nivel të zhvillimit ekonomik dukshëm nën mesataren europiane, por edhe nën nivelin e shteteve të rajonit.
Kosova, pra ishte shteti me borxhin më të ulët publik nga vendet e rajonit në këto vite. Në vitin 2021, Mali i Zi kishte shënuar shifra me borxhin më të madh ndër shtetet e rajonit me 82.37 për qind të BPV-së. Sipas të dhënave të Bankës Kombëtare të Shqipërisë në shtator të 2022-tës, borxhi publik i vendit arrin në 9.89 miliardë euro, ose 59.1 për qind e PBV-së. Bosnja kishte borxhin publik më 2021 – 34.82 për qind të BPV-së, Serbia (53.2 për qind), ndërsa Maqedonia e Veriut 55.4 për qind të BPV-së. Në vitin e kaluar binte në sy borxhi publik shumë i lartë i Kroacisë (79.8 për qind e BPV), shtet ky tashmë e disa vite anëtar i BE-së dhe me turizmin shumë të zhvilluar, që shënon çdo vit rendiment të lakmueshëm financiar. Në vitin 2022, sipas të dhënave, Kroacia ka arkëtuar nga turizmi diku rreth 18 miliardë euro.
Banka Qendrore e Kosovës vlerëson se niveli aktual i borxhit publik është larg nga pragu i paraparë me ligj prej 40 për qind e BPV-së si dhe larg nga mesatarja e vendeve të rajonit që është rreth 60 për qind e BPV-së.
Duhet theksuar se borxhi publik përkufizohet si akumulimi i formave të ndryshme të kredive, të cilat realizohen nga shteti për zbatimin e politikës fiskale. Ndërsa, borxhi publik në raport me PBV-në është një nga mënyrat më të pranuara për të vlerësuar rëndësinë dhe madhësinë e borxhit të një vendi.
Në Kosovë, borxhi i përgjithshëm përkufizohet me Ligjin për Borxhet Publike si tërësia e borxhit shtetëror dhe borxhit komunal. Borxhi shtetëror mund të jetë borxh i drejtpërdrejtë apo borxh i nën-huazuar. Kurse sa i përket juridiksionit të cilit i nënshtrohet, borxhi i përgjithshëm siç u tha më lartë ndahet në borxh ndërkombëtar dhe në borxh të brendshëm – ku borxhi i brendshëm i nënshtrohet juridiksionit vendor, ndërsa ai ndërkombëtar mund t’u nënshtrohet edhe juridiksioneve jashtë Republikës së Kosovës.
Sipas legjislacionit në fuqi për borxhin publik, huamarrja e NPQ-ve nuk konsiderohet borxh publik dhe nuk llogaritet brenda kufirit të borxhit publik ndaj BPV-së.
Rreth nivelit aktual dhe ndër vite të borxhit publik, në opinion – ndër përfaqësues të asociacioneve të ndryshme ekonomike si dhe te autoritetetet dhe zyrtarët qeveritar, ekzistojnë mendime të ndryshme dhe divergjente. Zyrtarët aktual, ç’është e vërteta goxha me mburrje apostrofojnë faktin se Kosova është bërë shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, pas publikimit të të dhënave për borxhin publik në fund të gjashtëmujorit të parë të sivjetshëm, në një postim të vetin në rrjetet sociale, pasi ka njoftuar se “Kosova është bërë shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë”, ka thënë se “falë disiplinës fiskale e menaxhimit të parasë publike, është arritur që të ndryshohet trendi i borxhit shtetëror, duke u kthyer sërish në nivele të para pandemisë.
“Një konsolidim i tillë është vlerësuar lart edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ky konsolidim së pari e mban nën kontroll koston e kamatave, sepse sa më pak borxh aq më pak pagesë e kamatave, dhe së dyti na mundëson kushte më të favorshme financimi për huamarrjet e reja në krahasim me të tjerët, sepse kemi dëshmuar qëndrueshmëri dhe mirëshpenzim të parasë publike”, kishte shkruar ministri Murati.
Në anën tjetër, komuniteti i biznesit dhe ekspertë të ekonomisë kritikojnë Qeverinë për uljen e borxhit publik në raport kaq të madh me Bruto Produktin Vendor. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë kohë më parë në një prononcim për medie se Qeveria e Kosovës nuk duhet të mburret me nivelin e ulët të borxhit.
Ai ka kërkuar nga ekzekutivi që të rritet niveli i huas për projekte konkrete që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në ngritjen e mirëqenies sociale. Sipas kryetarit Rafuna, Kosova mund të hyjë borxh deri në 60 për qind të GDP-së.
“Ligji për Borxhin Publik e lejon deri në 40 për qind të Bruto Produktit Vendor. Kurse, Kosova bazën që e ka pa asnjë problem mundet me shkua deri 50-60 për qind me ngritë borxhin publik. Asnjë shtet në histori, jo i Ballkanit, Evropë dhe Botë nuk është zhvilluar pa borxh”, është shprehur ai.
Edhe profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një prononcim për medie, kishte deklaruar se “pjesëmarrja e borxhit të Kosovës në bruto produktin e vendit është rreth 17 për qind dhe në raportet rajonale ky nivel i hyrjes në borxh dhe pjesëmarrjes në bruto produktin e vendit është tejet i ultët. Përvoja e ka treguar se shumë vende në zhvillimin e vetë janë duke u mbështetur me borxhe”.
Por, sipas tij, që të ndodhë kjo edhe në rastin e Kosovës, “duhet të jemi të kujdesshëm sepse në radhë të parë ka rëndësi qeverisja me borxhet e jashtme”, thotë ai.
Ndërkohë edhe njohësit e ekonomisë dhe e obligimeve financiare kërkojnë kujdes ndaj obligimeve, sidomos me borxhe të jashtme, duke theksuar se sado që borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës është i vogël dhe goxha i përballueshëm lehtësisht edhe për Kosovën e varfër, shteti ynë megjithatë duhet të ketë shumë kujdes kur ngarkohet me borxhe të reja. Ato, duhet kthyer domosdo, dhe ngarkesat e mëdha, që do të ishin jashtë mundësive reale të Kosovës me ekonomi akoma të brishtë, fare lehtë mund ta destabizojnë sistemin financiar të vendit.
Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon se “Qeveria duhet të sigurojë që para se të merren vendimet për financimin e projekteve me huamarrje, të jenë bërë analiza të hollësishme me qëllim të shfrytëzimit sa më efikas të këtyre fondeve”. /Buletini Ekonomik/